E premte, 19 Prill, 2024

AKADEMIK BEXHETI: JA ÇFARË THASH NË ASHAM PËR KONTESTIN ME BULLGARINË 

“Personalisht çmoj se rruga evropiane, ku bëjmë pjesë gjeografikisht dhe kulturalisht, nuk ka alternativë të qëndrueshme. Ku po shkon rinia jonë, ku duan të jetojnë e punojnë, cili është orientimi i ekonomisë sonë, cilat pasaporta preferojnë qytetarët tanë, cilat makina drejtojnë, cilat universitete i kemi modele, në fondet e kujt aplikojmë, nga tërheqim miliona donacione çdo vit, … etj. Sigurisht jo nga Rusia, Kina apo Bjellorusia! Nuk mendoj se sot gjuha maqedonase është në pozitë më të dobët se para gjashtë muajve, të paktën jo në Evropë”.

Përgatiti: KDP

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, në Shkup, gjatë shtatorit të vitit të kaluar ka diskutuar dy herë çështjet që kanë të bëjnë me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian me theks të veçantë mbi marrëdhëniet me fqinjët e sidomos me Bullgarinë. Kdpolitik.com njofton se debati konsultativ, me dyer të mbyllura, është organizuar me kërkesë të sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, akademik Abdylmenaf Bexheti.

Më poshtë ju sjellim diskutimin e plotë të akademikut tonë të njohur, të mbajtur në mbledhjen konsultative të ASHAM, më nëntë shtator të vitit 2022.

Përtej së vërtetës “tonë” dhe të “atyre”

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjeve të diskutueshme dhe të hapura jo vetëm në kontekstin historik me Republikën e Bullgarisë, por mbi të gjitha, fatkeqësisht edhe për shkak të perceptimeve të gabuara se bashkëqytetarët tuaj shqiptarë, ku bëj pjesë dhe unë, nuk qenkan sa duhet solidarë në mbështetjen e këtyre çështjeve të diskutueshme, të cilat personalisht i konsideroj si perceptime absolutisht të gabuara, të krijuara nga qendra të caktuara për interesin e tyre të përditshëm dhe të vazhdueshëm, isha në dilemë nëse duhet të përfshihem në këto shqyrtime. Megjithatë, nuk mund të mos jem pjesë e këtyre debateve akademike, të cilat fundja janë me interes të përgjithshëm shoqëror dhe shtetëror për vendin tonë.

Unë do të ngre vetëm një tezë dhe dilemë, jo për të errësuar edhe më situatën tashmë të errësuar nga çështjet e diskutueshme, por me qëllim krejtësisht të mirë dhe me arsye racionale, jo emocionale.

Njëri nga kolegët, duke paraqitur pikëpamjet e tij për këto çështje të diskutueshme, tha “…faktet historike nuk përfaqësojnë kurrë të vërtetën e plotë, por kryesisht një të vërtetë, sepse e njëjta (nënkuptohet e vërteta) vazhdimisht mbindërtohet dhe zhvillohet”. Jam plotësisht dakord me këtë konstatim, për shkak se historia si fushë shkencore bën pjesë në shkencat shoqërore.

Mbaj mend që dikur akademiku i ndjerë Katarçiev theksonte se historia është shpesh një mënyrë për të vëzhgimin e fakteve si në hapësirë ​​ashtu edhe në kohë. Në fakt, për këto aspekte të historisë, të paktën për mendimin tim, shtjellimin më të mirë e jep profesori i historisë në Universitetin e Oksfordit, izraeliti Yuval Noah Harari në librat e tij “Homo Sapiens” (Nga vijmë) dhe “Homo Demus” ( Nga po shkojmë) për të vazhduar me librin e tij të fundit “21 mësime për shekullin XXI”.

Ai, me shumë fakte historike, dëshmi dhe shembuj empirikisht të vërtetuar, me një masë të madhe intelektuale kritike, në një farë mënyre e thotë të njëjtën gjë, se historia, veçanërisht historia nacionaliste, është të shpeshtën një fiksion i pastër, në të cilën punohet vazhdimisht derisa të imponohet si e vërtetë. Dhe, kjo  me të vërtetë është ashtu. Prandaj edhe jam dakord me thënien e sipërcituar të akademikut në mbledhjen e parë konsultative.

Ne kemi të vërtetën tonë historike të cilën fatkeqësisht të tjerët nuk e njohin ose nuk duan ta njohin. Ne kemi edhe të drejtën legjitime që ta zhvillojmë atë me argumentet dhe faktet tona të mbështetura në kauzën tonë. Ne nuk mund të mbetemi e të jetojmë me dallimet dypalëshe me Republikën e Bullgarisë, por çfarë t’ju bëjmë të tjerëve. Si t’i bindim të tjerët, francezët, gjermanët, holandezët…të 28 shtetet anëtare të BE-së?

Disa dilema për “të vërtetën tonë” pa hyrë në kualifikimin e saj se sa e fuqishme është, pasi nuk e konsideroj veten kompetent. Prandaj këtu janë edhe kolegët nga shkenca e historisë dhe katedrat universitare. Pyetja ime është më shumë pragmatike. A kemi fuqi të mjaftueshme si shtet dhe si popull, mjaft argumente të vërtetuara shkencërisht, kapacitet dhe resurse të mjaftueshme për ta “dëshmuar të vërtetën tonë” sepse është shumë më e lehtë ta paraqesim atë mes nesh, pothuajse të gjithë bashkëmendimtarë për ato fakte, sepse i shohim me të njëjtën ose pak a shumë me të njëjtën dioptri?

Në këtë kontekst, si shtet, madje në mënyrë bilaterale me shtetin fqinj, jemi në pozita krejtësisht të pabarabarta, as për nga fuqia dhe resurset dhe as për nga pozicioni. Do të thoni se e vërteta shkencore nuk matet me forcën dhe pozicionin e shteteve. Unë nuk mendoj kështu.

Atëherë, cila është alternativa jonë? Të heqim dorë nga BE-ja, përmes së cilës mund të fitojmë më shumë fuqi dhe pozicion për të forcuar shtetin, i cili do të mund të krijojë një bazë për realizimin e kauzës ose anasjelltas. Nëse është kështu, atëherë le të debatojmë për alternativën, nëse ekziston ose është më e mirë, dhe pastaj të bindim publikun (nëse ia dalim me politikanët) dhe të përcaktohemi masovikisht për të.

Personalisht çmoj se rruga evropiane, ku  bëjmë pjesë gjeografikisht dhe kulturalisht, nuk ka alternativë të qëndrueshme. Ku po shkon rinia jonë, ku duan të jetojnë e punojnë, cili është orientimi i ekonomisë sonë, cilat pasaporta preferojnë qytetarët tanë, cilat makina drejtojnë, cilat universitete i kemi modele, në fondet e kujt aplikojmë, nga tërheqim miliona donacione çdo vit, … etj. Sigurisht jo nga Rusia, Kina apo Bjellorusia! Nuk mendoj se sot gjuha maqedonase është në pozitë më të dobët se para gjashtë muajve, të paktën jo në Evropë.

Fakti që dikush dëshiron reciprocitet dhe mendoj se gjatë kohë do të kontestojë shumë gjëra, nuk duhet të jetë arsye për të na larguar përgjithmonë nga mundësia për të qenë më të fortë dhe për të realizuar kauzën tonë, e cila shumë herë madje pa nevojë hiperbolizohet. Vallë, nuk mund të dallojmë provokimin e përhershëm nga qarqe të caktuara të atjeshme nacionaliste dhe  me këtë të na frustrojnë edhe më shumë për të na mbajtur mundësisht sa më larg proceseve integruese të Europës.

Fatmirësisht ata nuk janë shumicë as atje. Provokatorët më radikalë të tipit Karakaçanov, në dy ciklet e fundit zgjedhore, njëri pas tjetrit, u margjinalizuan skajshmërisht. Pse nuk e shikojmë gjysmën tjetër pozitive të fqinjëve dhe me qetësi, me argumente dhe prova, t’i qetësojmë dhe t’i bindim se mund të bashkëpunojmë dhe të jetojmë me dallimet, fundja kështu kanë bashkëpunuar një kohë AShAM dhe AShB. Shtetet më të fuqishme evropiane, me dallime të mëdha mes tyre, bashkëpunojnë në të njëjtin komunitet ekonomik, politik dhe kulturor që quhet BE.

Dioptria bardh e zi dhe logjika e refuzimit të plotë të opsionit të negociatave është vetëm në dëmin tonë. Ato qarqet e atjeshme nacionaliste e dëshirojnë këtë sepse kështu mund të na copëtojnë më lehtë.

Ndoshta mund të keqkuptohem, por jam i sigurt se pas 30 apo 50 vitesh stërnipërit tanë do të qeshin me ne kur të lexojnë historinë moderne, krahas  varfërisë së tillë, një ekonomie kaq të gjymtuar dhe standardit të keq, ku të gjithë, edhe ata nga fqinjësia më e afërt na kapërcyen, ne jemi marrë ekskluzivisht me këto probleme. Nuk e di sa ç’rëndësi do të ketë për maqedonasin ose shqiptarin  gjuha (e kodifikuar) amëtare në Gjermani, në Francë apo në Britani, e të mos flasim për vendet tejoqeanike, kur sot komunikojnë mes vete  më shumë në anglisht sesa në gjuhën e tyre amtare!

Trendi global i dixhitalizimit dhe jeta virtuale po i robërojnë pa mëshirë gjeneratat e reja. Me këtë trend, personalisht e besoj se edhe shumë prej neve nuk pajtohemi fare e as që e arsyetoijmë, por unë çdo ditë e shoh se po rritet për nga  intensiteti. Ndryshimet eksponenciale që po na ndodhin sidomos në njëzet vitet e fundit dhe gjatë viteve të ardhshme  do të ndodhin edhe më intensivisht, do t’i ndryshojnë tërësisht preferencat dhe prioritetet. Si të rritur, mund të mos pajtohemi fare, por nuk mendoj se mund të ndryshojmë gjë në këto trende. Një është dëshira  e krejtësisht tjetër gjë është mundësia!

Dhe së fundi, edhe për një paradoks të çuditshëm mes nesh këtu. Disa, fatmirësisht ende individë të caktuar, të cilët me zë të lartë pozicionohen në rolin e paternalistëve, madje me një dozë të theksuar të patriotizmit folklorik, të cilët janë “mbrojtësit më të zëshëm të gjuhës maqedonase”, (që nuk është aspak e rrezikuar), janë njëkohësisht kundërshtarët me të zëshëm të përdorimit të gjuhës shqipe nga bashkëqytetarët e tyre shqiptarë, ndaj e kundërshtojnë edhe ndryshimin e formulimit kushtetues të para dy dekadave që të emërtohet ashtu siç duhet e jo gjuhë e përqindjeve!

Nuk mund ta kuptoj logjikën e një ekuacioni të tillë se me avancimin e të drejtave të caktuara të dikujt, rrezikohen të drejtat e të tjerëve. Me këtë lloj matrice mendore humbëm dy-tri dekada të vlefshme, u bëmë shoqëria më e fragmentuar mbi baza etnike, me polici vramë për të penguar ngritjen e një universiteti për të studiuar në gjuhë amtare dhe pikërisht këta indivitë të cilët  atëbotë e bënë këtë, sot janë bërë pishman dhe publikisht kërkojnë falje, por pasojat e asaj matrice ishin të mëdha. Ajo që më habit është se nuk kemi nxjerrë mësime madje as nga gabimet e pranuara”.

 

 

Të fundit