E shtunë, 20 Prill, 2024

A PO RREZIKOHEN MARRËDHËNIET MES SHKUPIT DHE SOFJES?

  • Anton Pançev: Rasti i sulmit të fundit kundër një djali dhe lëndimet e rënda, që ka marrë, tregojnë edhe një herë se Maqedonia e Veriut ka probleme të thella me ekstremizmin dhe me racizmin.
  • Xhenur Iseni: Shkupi ende nuk i ka filluar negociatat me BE-në, por vetëm janë hapur negociatat, e këto dy terme kanë një dallim të madh. Për këtë arsye, besoj se të dyja vendet nuk do të bëhen pre e provokimeve, sidomos Shkupi që synon fillimin e negociatave me BE-në

Shkruan: Enis Shaqiri

Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes janë vendimtare për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Mirëpo, këto marrëdhënie ditëve të fundit po shoqërohen me deklarata nëse Bullgaria përsëri do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos për negociata të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Sofja ka thirrur për konsultime ambasadorin e saj në Shkup, ndërkohë që Presidenti Pendarovski ka paralajmëruar “listë të zezë” të bullgarëve për shkak të qëndrimeve të tyre anti – maqedonase. Mollë sherri është bërë rrahja në Ohër e njërit prej drejtuesve të klubit bullgar i cili aktualisht po kurohet në Sofje,- raporton KDP.

Ishte ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Milkov, ai i cili në një takim në Bruksel informoi për rrahjen e sekretarit të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov:

Kemi eskalim të tensioneve dhe presionit lidhur me të drejtat e bashkësisë bullgare atje. Ata filluan me miratimin e veprimit legjislativ kundër bashkësisë bullgare dhe të drejtave të tyre për shoqërim, që tregoi konsensus mes pushtetarëve dhe opozitës në bazë antibullgare. Pastaj, menjëherë ndodhi djegia e klubit bullgar, për çka u shqiptua dënim me kusht. Më pas tre sulme të klubeve tjera dhe gjuajtje me armë ndaj njërit prej tyre. Fajtorët asnjëherë nuk u gjetën”, deklaroi Milkov.

Nikollaj, në pyetjen nëse Bullgaria përsëri do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos për negociata të Maqedonisë së Veriut me BE-në, tha se “gjithçka varet si do të vijojnë punët, në vend të parë kjo çështje asnjëherë nuk përjashtohet, edhe pse e drejta e vetos është si një armë atomike”

PANÇEV: TË RESPEKTOHET IDENTITETI I BULLGARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT

Profesori dhe analisti nga Sofja, Anton Pançev thekson për KDP-në se shoqëria në krye me shtetin bullgar, kërkojnë zbardhjen e të gjitha rasteve të tilla, si edhe mbrojtje institucionale për bullgarët dhe klubet e tyre në RMV.

Rasti i sulmit të fundit kundër një djali dhe lëndimet e rënda, që ka marrë, tregojnë edhe një herë se Maqedonia e Veriut ka probleme të thella me ekstremizmin dhe me racizmin. Ky sulm kundër djaloshit Hristijan Pendikov plotësisht u motivua nga urrejtja antibullgare me bazë raciste që po shpërndahet në hapësirën publike të këtij shteti. Shoqëria dhe shteti bullgar kërkojnë zbardhjen e të gjitha rasteve të tilla, si edhe mbrojtje institucionale për bullgarët”, – thekson Pançev.

I pyetur nga KDP për kërkesat bullgare kundrejt Maqedonisë së Veriut, Pançev thotë se kërkesat shkurtimisht kanë të bëjnë me respektimin dhe mbrojten e identitetit bullgar në RMV, të hiqen dhe shmangen fyerjet raciste kundër bullgarëve në librat mësimorë dhe akademikë, si dhe të zgjidhen ngjarjet, artefaktet, dhe personalitetet hisotrike mes dy vendeve.

Kërkesat bullgare në lidhje me Maqedoninë e Veriut shkurtimisht janë këto: 1. Pjesa e popullit bullgar që jeton në Maqedoninë e Veriu duhet të përfshihet në Kushtetutën e vendit dhe të mbrohet nga ligjet e shtetit; 2. Identiteti i bullgarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të respektohet dhe të mbrohet nga ligjet dhe institucionet e shtetit – gjuhë, kujtesë historike, monumente, librat mësimorë etj.; 3. Të hiqen fyerjet raciste kundër bullgarëve në librat mësimorë dhe akademikë, të punohet fort për parandalimin e gjuhës së urrejtjes kundër bullgarëve në hapësirën publike; 4. Nëse ka mosmarrëveshje midis komuniteteve në Maqedoninë e Veriut për periudha, ngjarje, artefakte ose personalitete historike, ato duhet të zgjidhen mbi bazën e “burimeve historike, të bazuara mbi prova autentike për trajtimin shkencor të ngjarjeve historike” (neni 8, pika 2 e Traktatit për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, nënshkruar më 1 gusht 2017)”, – thekson ai.

Sipas tij, kërkesat e lartëpërmendura janë të pranishme edhe në dokumentet e Bashkimit Evropian, ku kërkohet që institucionet dhe autoritetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut t`i respektojnë  këto dispozita kushtetuese.

Këto kërkesa janë të pranishme në shumë dokumente të Bashkimit Evropian dhe tashmë janë pjesë të pandashme nga procesi i evrointegrimit të Maqedonisë së Veriut. Institucionet dhe autoritetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet t’i respektojnë dispozitat e Kushtetutës dhe të ligjeve të veta në lidhje me të drejtat e njeriut, d.m.th. të ndërtojnë shtetin e së drejtës, që është vlerë themelore për Bashkimin Evropian; të respektojnë dhe të zbatojnë legjislacionin e BE-së, përfshirë edhe dispozitat për të drejtat e komunitetit bullgar; t’i respektojnë marrëveshjet dypalëshe. Vetëm kështu do të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe integrimi i Maqedosinë së Veriut në BE do të realizohet në përputhje me aktet e këtij Unioni”, – thotë Pançev.

Ai nënvizon se institucionet e Maqedonisë së Veriut nëse nuk i përmbushin dhe nuk i zbatojnë ligjet, atëherë Republika e Bullgarisë do t’i përdorë të gjitha instrumentet dhe procedurat legale në përputhje të plotë me mekanizmat e BE-së, për bllokimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e mëtejshmëm të eurointegrimeve.

Bullgaria i mbështet kërkesat e komunitetit bullgar dhe nuk ndërhyn në rendin/modelin kushtetues të Maqedonisë së Veriut, sepse disa komunitete të tjera janë përfshirë në Amendamentin IV të Kushtetutës së saj. Pra, Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfshin të drejta kolektive mbi bazën etnike dhe asnjë komunitet etnik nuk mund të diskriminohet dhe të privohet nga ndonjë të drejtë që është në Kushtetutën e këtij vendi. Në qoftë se institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbushin dhe nuk i zbatojnë ligjet e veta, si edhe legjislacionin e BE-së, së bashku me zotimet juridike për të drejtat e komunitetit bullgar, Republika e Bullgarisë do t’i përdorë të gjitha instrumentet dhe procedurat legale në përputhje të plotë me mekanizmat e BE-së, pra edhe bllokimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e evrointegrimeve”.

PRESIDENTI PENDAROVSKI: SHËRBIMI INTELIGJENT RUS PAS STRUKTURAVE BULLGARE QË ZHVILLOJNË FUSHATË ANTIMAQEDONASE

Ditë më parë , Presidenti Stevo Pendarovski paralajmëroi se do t’i propozojë Qeverisë ndalimin e hyrjes në vend të një deputeti të Parlamentit Evropian nga Bullgaria dhe disa personave të tjerë -shtetas të Bullgarisë për shkak të veprimeve që kanë ndërmarrë më parë dhe po i ndërmarrin tani kundër Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse nuk u përmend me emër, mirëpo mësohet se bëhet fjalë për eurodeputetin nga Bullgaria, Angel Xhambaski, i njohur për “retorikën e tij nacionaliste dhe ofenduese ndaj Maqedonisë së Veriut dhe popullit maqedonas, si historikisht ashtu edhe në kontekstin e zhvillimeve dhe ngjarjeve aktuale politike”. Vet Xhambaski ka bërë të ditur se do të vijë në Shkup më 4 shkurt, kur do të festohet lindja e Goce Dellçevit.

ISENI: SHKUPI DHE SOFJA TË MOS BIEN PRE E PROVOKIMEVE TË NDRYSHME

Politologu Xhenur Iseni është i mendimit se ndalesa e disa eksponentëve politik në Sofje, nuk do të rikthejë veton për Maqedoninë e Veriut, pasi personat në fjalë, sipas tij, nuk janë përfaqësues real nga Sofja. Ai thotë se Shkupi që synon fillimin e negociatave me BE-në
nuk duhet të bie pre e provokimeve të ndryshme, duke veçuar këtu edhe Sofjen zyrtare.

Formulimi i një “Liste të Zezë” për disa eksponent të politikës në Sofje, nuk besoj se do të rikthejë veton për Maqedoninë. E para është se këta persona që dëshirojnë tensione dhe që provokojnë, nuk janë përfaqësues real nga Sofja, sidomos kur kemi parasysh se atje është në formim e sipër Qeveria e re dhe institucionet e saj. E dyta është se Maqedonia po bën çmos për ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në preambulë, dhe kjo është kyçe dhe kërkesë e vetme, dhe me këtë përmbyllet gjithçka. Por e mira e gjithë këtyre ndodhive është se në opinion u tha një e vërtetë nga Sofja. Përkatësisht se Shkupi ende nuk i ka filluar negociatat me BE-në, por vetëm janë hapur negociatat, e këto dy terme kanë një dallim të madh. Për këtë arsye, besoj se të dyja vendet nuk do të bëhen pre e provokimeve, sidomos Shkupi që synon fillimin e negociatave me BE-në”, thekson Iseni për KDP.

Kujtojmë se hapja e klubeve në Manastir dhe Ohër që u kundërshtua nga Shkupi zyrtar për shkak mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit, ka shkaktuar polemika dhe tensione të vazhdueshme mes dy vendeve. Dy shtetet akoma i kanë të pazgjidhura çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën historike.

Nndërkohë, në vlugun e përplasjeve më të reja, Bullgaria ka bërë të ditur tërheqjen e ambasadorit të saj nga Shkupi, dhe pezullimin e të gjitha projekteve të përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut.

Kjo është bërë e ditur të enjten nga kryediplomati bullgar Nikolai Milkov, pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Bullgarisë, ku është diskutuar për tensionet e fundit me Maqedoninë e Veriut, pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit – sekretarit të klubit bullgar në Ohër.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vitin e kaluar hoqi veton ndaj Shkupi duke mundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Vetoja ishte vendosur në nëntor të vitit 2020 për shkak të kontesteve mes dy vendeve për gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase.

Të fundit