E enjte, 28 Mars, 2024

A MUND TË HETOHET EDHE RAMA NGA FBI/ GAZETARJA E VOA JEP DETAJE NGA DOSJA

Pas plasjes së skandalit të pagimit të një agjenti të FBI-së nga një shqiptar me lidhje me kryeministrin Rama, pyetja që shtrohet nëse edhe ky i fundit mund të jetë pjesë e hetimit. Gazetarja e “Zërit të Amerikës”, Keida Kostreci thotë se implikimi i Shqipërisë dhe kryeministrit shqiptar në aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë ndaj Charles McGonigal është pasqyruar gjerësisht në mediat amerikane.

Kostreci u shpreh se nuk është e qartë nëse edhe kryeministri Edi Rama po hetohet lidhur me këtë çështje, por sipas saj në aktakuzë del qartë implikimi i kreut të qeverisë shqiptare.

“S’e di nëse ka gjasa që të hetohet edhe Rama, por nga aktakuza është i qartë takimi me kryeministrin e Shqipërisë. Takimet me të përmenden me detaje. Vetë Rama e ka pranuar që ka pasur kontakte miqësore me ish-agjentin e FBI, por në SHBA veprimet e tij nuk shihen normale duke i cilësuar shkelje të ligjit të FBI. Ish-agjenti ka kërkuar para nga personi që ka lehtësuar kontaktin me kryeministrin Rama dhe kjo është një shkelje”, – tha Kostreci në emisionin Now në Euronews Albania.

Sipas saj, aktakuza ndaj ish-zyrtarit të FBI është bërë nga këndvështrimi i departamentit të drejtësisë për shkeljet që ka bërë agjenti i FBI duke përzierë, gjatë kohës kur ishte ende në detyrë, publiken me privaten. Kostreci shpjegoi se nga zbërthimi që i është bërë aktakuzës, lidhja e parë e ish-zyrtarit me Shqipërinë është shtetasi shqiptaro-amerikan Agron Neza. Sipas Kostrecit rezulton se që nga vizita e parë në vitin 2007-2008, ish-zyrtari ka ardhur disa herë në Shqipëri ku është takuar me kryeministrin Edi Rama.

“Këto vizita në Shqipëri ish-zyrtari i FBI s’i ka raportuar, që konsiderohet mashtrime dhe fakti që edhe në Shqipëri edhe në Kosovë ai ka dhënë suvenire të FBI është cilësuar përzieje e publikes dhe privates. Ka shkelur rregullat e FBI. Po të shtosh edhe pagesat që ka marrë nga Neza, ai ka shfrytëzuar postin publik për çështje private që është në shkelje të ligjit të FBI”, – tha Kostreci. /lapsi

Të fundit