Lufta mes pushtetit dhe opozitës ; Ndryshimet Kushtetuese në proporcion me zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.
Shkruan: Enis Shaqiri
Maqedonia e Veriut gjendet përballë një sfide të madhe për sa i përket rrugëtimit evropian. Pas hapjes së negociatave në Bruksel, më 19 korrik ku edhe u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, me BE-në, Shkupi zyrtar nisi edhe zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në BE, por që bisedimet për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndodhur ndryshimet Kushtetuese, që nënkupton përfshirjen e pakicës bullgare në të.
Momentalisht, ende mbetet e pa qartë se cila do të jetë strategjia e Qeverisë për ta siguruar shumicën prej 2/3 –tave të votave për ndryshim të Kushtetutës.
Kujtojmë se për të bërë ndryshimet Kushtetuese, duhet të miratohen dy të tretat, apo 80 votat e deputetëve në Kuvend, që aktualisht shumica ka mbështetjen e vetëm 64 deputetëve.
Opozita maqedonase, kundërshton kategorikisht ndryshimet Kushtetuese, me një qëndrim të prerë, si dhe me zgjedhje të parakohshme parlamentare.
VMRO-DPMNE në krye me Hristijan Mickoskin të premten edhe njëherë ritheksuan nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickovski shtoi se qeveria nuk e ka shumicën për ndryshimet kushtetuese, aryse kjo pasiqë partia e tij ende nuk i ka ndryshuar qëndrimet.
“Qëndrimi është se ky Parlament nuk ka mandat të ndryshojë Kushtetutën sepse as opozita ka marrë pjesë në krijimin e asaj marrëveshje, e as opozita është pajtuar me atë marrëveshje, e as, ka dalë para qytetarëve që të premtojë se do të ketë ndryshime kushtetuese. Kështu që sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dalim të gjithë me zgjidhje të problemit të cilin e solli qeveria e BDI-së e mbështetur nga LSDM-ja, prandaj qytetarët janë ata që do të vendosin se kujt do t’ia japin besimin. Do të kenë disa opsione kështu që qytetarët janë ata të cilët do të japin udhëzime ku do të duhet të lëvizë Maqedonia”, deklaroi Mickoski.
KU I KA VARUR SHPRESAT VMRO-DPMNE?
Ndryshe, edhe VMRO DPMNE-ja nuk i ka numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve për rrëzimin e Qeverisë. VMRO beson se me votat e ASH-së, Lëvizjes Besa, si dhe disa deputetëve të pakënaqur të LSDM-së dhe BDIsë do të mund të rrëzojë Qeverinë.
Kreu i Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari ditë më parë deklaroi se partia e tij është pro ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se nuk ka asnjë parti shqiptare që është kundër integrimit të vendit në BE. Sa u përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ASH-ja ende nuk ka një qëndrim të prerë, pasi thotë se prioritet e ka integrimin evropian të vendit.
“Bisedime për këtë çështje nuk kemi pasur dhe as që jemi kontaktuar, por as nuk kemi plane të tilla pasi më shumë do të fokusohemi në ndryshimet kushtetuese që janë shumë të rëndësishme që si porosi e marrim edhe nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, pasi viti 2023 duhet të jetë vit i ndryshimeve kushtetuese dhe i fillimit të bisedimeve me BE-në”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët.
Përkundër ASH-së, Lëvizja Besa, ndryshimet kushtetuese i ka kushtëzuar me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ndërkaq, nga partia ne pushtet, LSDM thonë se shumica parlamentare këtë vit prioritet madhor ka votimin e ndryshimeve kushtetuese për të mos mbajtur peng vendin karshi procesit integrues evropian.
PSE LSDM NUK DO ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME?
Kreu i Qeverisë, njëherit edhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, ditë më parë tha se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, pasi Qeveria, sipas tij, po funksionon me kapacitet të plotë për realizimin e programit të saj.
“Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë që të përballet me të gjitha sfidat që ndodhen para shtetit, kështu që kemi prioritete të tjera dhe jo zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhje do të ketë në afatin e rregullt në vitin 2024. Sa i përket Grupit Parlamentar të partisë që drejtoj, nuk ka asnjë lëvizje nga qëndrimet e organeve drejtuese dhe janë spekulime pretendimet se ndonjëri nga deputetët tanë mund të votojë kundër kësaj qeverie”, tha Kovaçevski.
Ndërsa për ndryshimet Kushtetuese, ai sot tha se Maqedonia e Veriut ka afat deri në nëntor të këtij viti që ta përmbush këtë detyrë.
“Deri në nëntor janë 10 muaj dhe aspak nuk mendoj se kjo është periudhë e shkurtër, për 10 muaj mund të bëhen shumë punë pozitive.Gjithsesi çdo kush duhet të jetë përgjegjës dhe të jetë në nivel të detyrës dhe të obligimeve që i ka ndaj qytetarëve.Unë nuk jam njeri i cili ka ardhur në pozitë që të bindë dikë por për ta zbatuar strategjinë dhe qëllimet që i ka vendosur shteti para 31 viteve.”, tha Kovaçevski.
CILA ËSHTË STRATEGJIA E BDI-SË?
Njëjtë ë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. Nga atje thonë se Maqedonia e Veriut ka prioritete tjera më të rëndësishme se zgjedhjet. Këto prioritete, sipas BDI-së, janë përmbushja e Marrëveshjes me Bullgarinë, përballja me krizën ekonomike, si dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, të kërcënuara, sipas saj, nga faktorë të jashtëm, para së gjithash nga Rusia dhe Kina.
I pari i vendit, Stevo Pendarovski është i qëndrimit se Maqedonina e Veriut për momentin nuk ka konsensus nacional që të vazhdojmë drejt Bashkimit Evropian.
“Megjithatë, nuk jam i sigurt në këtë kontekst për dy gjëra të tjera. Së pari, nuk e di nëse do të arrijmë një konsensus kombëtar. Për momentin nuk e kemi lidhur me këtë çështje. Flasim për një konsensus të vërtetë retorik. A do ta arrijmë dhe a do ta ruajmë atë, sepse ai duhet të ruhet për vite e vite ndërsa negociatat janë duke vazhduar”,ka theksuar Pendarovski.
Presidenti i shtetit mes tjerash ka shtuar se partitë opozitare nuk do ta ndryshojnë qëndrimin duke shpresuar që do të fitojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Qeveria aktuale ka mandat të plotë politik edhe për dymbëdhjetë muaj, ndërsa zgjedhjet e rregullta parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen në vitin 2024. Këtë vit mbahen zgjedhjet presidenciale, pasi skadon mandati 5-vjeçar i presidentit Stevo Pendarovski.
ÇKA THONË NDËRKOMBËTARËT?
Euroambasadori Dejvid Gir, dje në tryezën e rrumbullakët “Ballkani Perëndimor ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes: Maqedonia e Veriut – anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030” e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve, tha se RMV për të arritur qëllimin final drejtë rrugës së BE-së duhet të ketë vendosmëri të vërtetë politike, duke përfshirë këtu të gjitha partitë politike, institucionet, biznesin si dhe shoqërinë civile.
“Pyetja është nëse vendi mund të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030? Përgjigja është: kjo varet nga vetë vendi. Detyra është e rëndësishme, shtrirja e reformave është e madhe. Do të ketë ulje-ngritje si këtu, ashtu edhe në Bruksel. Besoj se rrugën afatgjatë, itinerarin e ka përcaktuar BE-ja dhe premtimi është real. Varet nga vlerësimi i nevojave dhe interesave reciproke”, tha Gir.
Gir tha se me ndryshimet Kushtetuese, RMV nuk e humb identitetin, gjuhën, apo historinë, duke shtuar se vendet-tjera anëtare kanë pasur mbrojtje të tilla kushtetuese të përfshira në kushtetutat e tyre dhe si shembull e theksoi Kroacinë.
Nga ana tjetër ambasadorja gjermane Anke Holstein, para pak ditësh në një intervistë për “Nezavisen” kishte deklaruar se ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të bëhen, nuk janë të dhimbshme për vendin por të njëjtat sipas saj, duhet t’i hapin rrugën drejt BE-së vendit.
“Ky ndryshim kushtetues nuk ka alternativë. Besoj se për nga përmbajtja nuk është aspak keq për Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i dëshiruar kushtetues specifikon gjëra që nuk janë të dhimbshme për askënd. Por që procesi si i tillë është shumë i dhimbshëm për vendin, e kuptoj plotësisht. Sepse ka pasur një ndryshim kushtetues pas Marrëveshjes së Prespës dhe më pas ka pasur një premtim se do të mjaftonte për t’i hapur rrugën jo vetëm NATO-s, por edhe BE-së. Dhe tani edhe një herë duhet ndryshuar kushtetuta, dhe kjo dhemb dhe duket e padrejtë, por besoj se në fund është një hap që thjesht duhet bërë. Të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen evropiane të vendit duhet të bashkëpunojnë mes palëve: E ardhmja e vendit duhet të jetë mbi interesat e partive individuale”, ka deklaruar Holstein.
Holstein mes tjerash kishte shtuar se vendi nuk e meriton të shkëputet nga rruga evropiane.
“Bëhet fjalë për procesin e gjerë tashmë të përmendur të modernizimit të të gjithë shoqërisë, i cili do t’u sjellë të mira të gjithë njerëzve në vend. Për këtë po flasim në afrimin me BE-në dhe në pranimin përfundimtar. Kjo është arsyeja pse ndryshimi kushtetues duhet të pasojë këtë vit dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në këtë hap të vështirë, natyrisht pa dashur ta detyrojmë apo imponojmë asgjë.”