E premte, 12 Korrik, 2024

DEKLARATA E MINISTRIT BRITANIK PËR SHQIPTARËT, REAGON MINISTRJA XHAÇKA

Pak kohë pas deklaratave raciste të Sekretares së Brendshme, Suella Braverman ndaj emigrantëve shqiptarë, e ashpër ka qenë dhe gjuha e përdorur nga ministri britanik të Emigracionit, Robert Jenrick. Në një video-mesazh për mbështetësit e tij, ministri ka kërkuar që shqiptarët që shkojë në Britani të arrestohen nga autoritetet dhe të rikthehen në Tiranë.

Robert Jenrick- Ministër për migracionin: Jam këtu për të parë dëbimin e emigrantëve shqiptarë. Autobusët sapo janë nisur drejt aeroportit dhe në mëngjes ata do të jenë në Tiranë. Stafi ynë po punon për t’i gjetur shqiptarët, për t’i arrestuar, për t’i sjellë në aeroport dhe kthyer në Tiranë. Këta janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë.

Deklaratës së ministrit britanik i është përgjigjur Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka. Në një postim në “Twitter”, Xhaçka shkruan se ndaj shqiptarëve është përdorur një gjuhë e turpshme dhe linçuese. Sipas ministres, deklaratat e ndaj emigrantëve shqiptarë bëhen nga ministri britanik për ta  përdorur për politikë të brendshme.

“E tronditur përtej asaj që mund të tregojnë fjalët teksa dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, arrestoni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik me një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall të hapur sezonin e gjuetisë për shqiptarët. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që të sjell kujtime të tmerrshme të një brutaliteti të padurueshëm.”

Xhaçka kujton dhe bisedën telefonike mes kryeministrit Edi Rama me homologun e tij britanik Rishi Sunak, që vlerësuan kontributin e diasporës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.

Të fundit