E premte, 12 Korrik, 2024

ASOSACIONI I SERBËVE/ NGUSHTOHET LAKU I PRESIONIT AMERIKAN NDAJ KURTIT

Sa më shumë kalojnë ditët, aq më tepër duket se po ngushtohet laku i presionit ndërkombëtar mbi kryeministrin e Kosovës, për të pranuar krijimin e asosacionit të komunave serbe. Ky duket se ka qenë edhe konkluzioni i vizitës së fundit në Beograd dhe Prishtinë i këshilltarit të lartë të DASH-it, Derek Chollet (foto lart). Pas takimit me këtë diplomat amerikan presidenti serb, Vuçiç e falenderoi SHBA për insistimin e këtij asosacioni që parashikon një autonomi më të madhe për serbët e dhjetë komunave: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

“Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri”, tha Chollet gjatë një bisede me gazetarët shqiptarë pasi mbaroi takimet me autoritetet e Prishtinës. Duke këmbëngulur në faktin se Kosova e ka nënshkruar në 2015 këtë angazhim gjatë dialogut me Beogradin, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit th gjatë bashkëbisedimit me mediat: “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

Këto qëndrime vijnë paq kërcënimit të fortë që bëri në fund të vitit të shkuar i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Atëhere ai tha se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”.

Në fakt kryeministri aktual Kurti dhe lëvizja e tij vetëvendosje kur kanë qenë në opozitë kanë marrë flamurin e kundërshtimit më të zjarrtë të këtij asosacioni duke i etiketuar si tradhëtarë ata që pranonin të krijonin në Kosovë një republikë të dytë serbska sipas modelit të Bosnjes. Por edhe sot nga pozita e kreut të qeverisë, Albin Kurti, ka deklaruar disa herë se është kundër një asociacioni njëetnik, që bie ndesh me kushtetutën e Kosovës dhe planin e Athisarit që parasheh një shtet multietnik.

Por në kancelartitë përendimore mëdyshja është nëse dhurata e asaj që Albin Kurti dikur e konsideronte si Zajdenica, duhet bërë tani shpejt, apo duhet pritur që kjo të kryhet në kornizën finale të një zgjidhjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.  Edëard P. Joseph, ligjërues në Universitetin “John Hopkins”, një njohës i mirë i rrethanave dhe dinamikave të Ballkanit Perëndimor mbron me argumenta versionin e dytë. Ai ka deklaruar shpesh në mediat ndërkombëtare se beson që puna për Asociacioni duhet të nis vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia arrijnë një zgjidhje përfundimtare, e cila sipas tij do të ekuilibronte fuqitë negociuese ndërmjet dy vendeve. Shenja se është më pranë këtij varianti ka shfaqur kohët e fundit dhe Albin Kurti. Ndonëse publikisht ai ende e rrefuzon idenë e një shoqate thjesht për serbët, nga presioni ndërkombëtar ai nuk e rrefuzon më me të njëjtin pathos idenë.

“Jemi në një moment kur flasim, diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë në mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet, megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës, që u ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe, dhe që është përpiluar nga z.Ahtisaar, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik. Në fjalën e parë thotë se Kosova duhet të jetë shoqëri shumë etnike dhe asociacionet një etnike nuk janë në fyrmën e atij plani dhe Kushtetutës tonë.” –  deklaroi Kurti këtë të enjte.

Po të njëjtin koncept ai e paraqiti edhe në një intervistë për gazetën “Der Standard”, pas një vizite zyrtare në Vienë. “Ju nuk mund të shërbeni një kafe makiato, pa pasur më parë një filxhan kafeje” u përgjigj ai duke thënë se në fillim duhet rënë dakord për marëveshjen e madhe dhe pastaj duhet folur edhe për asosacionin që prezumon të drejta shumë të gjëra të serbëve për ekonominë, arsimin shendetësin dhe rikthimin e të larguarve në 10 komunat me ku ata janë shumicë.

Pra kjo është beteja reale, tentativa e Prishtinës zyrtare për ta shtyrë në kohë këtë akt që është po aq i dëmshën për sovranitetin e Kosovës, sa edhe për koherencën politike të Albin Kurtit dhe presioni i amerikanëve dhe i BE për ta bërë të mundur sa më parë atë. Dhe pikërisht ky debat ka nxehur edhe njëherë gjakrat politikë në skenën kosovare. Kjo pasi emisari amerikan Derek Chollet la të kuptohet gjatë një interviste për Financial Times se Albin Kurti po zbrapset: “Unë i thash kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se ka një urgjencë të madhe për ta krijuar asosacionin. Ata kuptojnë rëndësinë e kësaj” deklaroi ai. /lapsi

Të fundit