- Dekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ligjeruesja e lëndëve të Shkencave Politike, Diturije Ismaili, mendon se shkaqet për mos përfshirjen e grave në ekzekutiv janë tek natyra tradicionale dhe patriakaliste e shoqërisë sonë.
- Deputetja e shumicës parlamentare që vjen nga radhët e BDI-së, Arbana Pasholli, vlerëson se është koha që në dekadën e dytë të shekullit 21, të bëhen përpjekje të pakursyeshme që ky fenomen të ndryshojë që mos të jetë arsyetim e praktikë.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Pothuajse në çdo cikël zgjedhor, apo pas përfundimit të secilës fushatë zgjedhore vihet në spikamë çështja e barazisë gjinore. Mirëpo, faktet thonë se që nga pavarësia Maqedonia e Veriut nuk ka pasur asnjë grua si kryetare shteti, kryeministre, as kryetare Parlamenti.
Përveç se në Parlament, ku përfaqësimi i grave është i rregulluar me ligj, në institucionet tjera dominojnë burrat. Në pushtetin ekzekutiv vendi ynë ka vetëm një zëvendëkryeministre, pesë ministre dhe dy zëvendëseministre. E vetmja parti që ka përfaqësim të femrave në Qeveri është LSDM-ja dhe PDSH-ja me zv/ministren e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaku. Ndërkohë, të gjitha partitë e tjera që përbëjnë koalicionin qeverisës përfaqësohen vetëm nga burrat.
DITURIJE ISMAILI: JEMI SHOQËRI TRADICIONALE DHE PATRIARKALE
Njohëset e këtyre çështjeve thonë se edhe pse gratë arsimohen më shumë se burrat, politikëbërësit zgjedhin që partitë e tyre të përfaqësohen kryesisht nga burrat.
Dekanja e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ligjeruesja e lëndëve të Shkencave Politike, Diturije Ismaili, mendon se shkaqet për mos përfshirjen e grave në ekzekutiv janë tek natyra tradicionale dhe patriakaliste e shoqërisë sonë.
“Unë mendoj se kjo është shumë pak si numër përfaqesim i gjinis femërore në pushtetin ekzekutiv. Edhe pse statistikat tregojnë se gjinia femërore është po aq e arsimuar se gjinia mashkullore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, politikbërësit tonë duhet të kenë parasysh që gjatë formimit të Qeverisë, të përfaqësojnë gjininë femrore, ashtu siç ju garanton ligji dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh profesoresha Ismaili.
ARBANA PASHOLLI: PËRFAQËSIMI I GRAVE PATJETËR TË NDRYSHOJË
Deputetja e shumicës parlamentare që vjen nga radhët e BDI-së, Arbana Pasholli, vlerëson se është koha që në dekadën e dytë të shekullit 21, të bëhen përpjekje të pakursyeshme që ky fenomen të ndryshojë që mos të jetë arsyetim e praktikë.
“Vlerësoj se është një fakt që duhet trajtuar shumë seriozisht dhe që na vendos të gjithëve përpara përgjegjësisë në kontekstin e angazhimit për arritjen e pushetit, me qëllim përfaqësimin e drejtë të grave në nivelet më të larta të udhëheqjes. Vlerësoj se është koha që në dekadën e dytë të shek. 21 të bëjmë përpjekje të pakursyeshme që ky trend të ndryshojë dhe të mos jetë arsyetim e praktikë. Kemi gra dhe vajza të shkolluara, të afta, të përkushtuara dhe puntore dhe jam më se e bindur se do të kishin mundur të na përfaqësonin denjësisht”, u shpreh deputetja Pasholli.
RMV NË FUND TË LISTËS PËR PËRFAËQSIM TË GRAVE
Gratë janë krejtësisht të margjinalizuara në politikë. Rrallë vendosen në funksione të fuqishme, ndërsa prania e tyre në sferën institucionale shpepsh është sa për të përmbushur kuotat ligjore.
Nga të dhënat në listat në ueb faqen e KSHZ-së, në zgjedhjet e fundit lokale ishin regjistruar 301 kandidatë për kryetar komune, prej të cilëve vetëm 25 ishin femra. Kjo do të thotë se në garën për kryetarë komunash përfaqësimi i grave ka qenë vetëm 8,3 për qind, për dallim nga meshkujt që dominuan listat edhe në këto zgjedhje me rreth 92 për qind.
Sipas të dhënave të UN Women, nga 133 vende, pjesëmarrja e grave në pushtetin vendor në nivel botëror është 36%. Vetëm 2 vende kanë mbi 50%, ndërsa 18% e vendeve kanë pjesëmarrje të grave mbi 40%. Sipas indeksit të UN Woman, Maqedonia e Veriut në vitin 2020 është në vendin e 22-të të lartë në botë me 48 gra nga 120 deputete në Parlament. Ndërsa sipas numrit të grave në Qeveri, RMV është në vendin e 84-të me vetëm 5 gra nga 23 mandate ministrore, ose 22%.
Në Evropë, nga ana tjetër, Islanda mund të mburret se ka shumicën e grave në Parlament. Ky vend u bë vendi i parë në Evropë ku ka më shumë gra se burra në parlament. Nga 63 mandate në legjislativ, 33 janë gra, pra 52 për qind e përfaqësimit.