E premte, 12 Korrik, 2024

E SHTYJMË DISI!

Dhe, në këtë sfond të zymtê fatalisht është projektuar qytetari me njëmijë dëshpërime dhe tashmë i dorëzuar në pamundësinë e vetë të hutisë që gjenezën e ka pikërisht te kjo praktikê e mbrapshtë oligarkësh që funksionojnë si zgjatime që nga transponimi i kontrolluar ” demokratik”. Gjithë dëshpërimi tri dekadësh i qytetarëve mund të vërehet në ato fragmente bisedimesh beketiane që shpërfaqin pasiguri, ankth dhe një vullnet absurd për ta shtyrë gurin e fatalitetit drejt majës së tranzicionit të egër.
” E shtyjmë disi” është metafora ekzistenciale e qytetarëve, përgjigjja ndaj realitetit të zymtë që metastazon në format më absurde të mundshme të fatit të Sizifit.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Zymtësia mund të jetë fjala që më së miri mund të pershkruajë tri dekadat e tranzicionit të përjetshëm dhe të dhimbshëm. Jo se nuk ka pasur shkreptima drite, por ato kanë qenë aq të rralla saqë nuk kanë arritur të dyndin errëtimet e rrëshirta të zymtësisë që me kohë kishte vendosur “perandorinë” e gjendjen së pashpresê dhe idhëtive njerëzore.
Një tranzicion i egër, korruptiv deri në fund me shumë instalime kriminale pamundësoi që Maqedonia e Veriut të lëviz në binarë normaliteti politik dhe shoqëror. Pikërisht në funksion të këtij “pushtimi” të brendshëm u dyndën në hapësirën publike narracione agresive që qëllim të fundit kishin zhvendosjen e vëmendjes në agjenda të paracaktuara që mbulonin vazhdimin dhe strukturimin e oligarkive të reja, të cilat me njëmijë fije ruanin pozicionet e privilegjeve të mëhershme të strukturura nê formë të një etatizmi të ngurtê që vepronte pastaj edhe nivele tjera politike, sociale dhe ekonomike.
Të njëjtat fantazma të dikurshme që sorollateshin në prapaskenat e doskriminimit dhe të logjikës fashiste ndaj realiteteve të padiskutueshme multietnike projektonin me lehtësi të padurueshmr skenare tjera ogurzeza vetëm për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut në një konfliktualitet të kontrollueshëm si një lloj simulakre për të vazhduar me duart e zgjatura të pushtetit.
Padiskutim dekada e parë e demoktacisë dhe e pluralizmit ka qenë vendimtare në krijimin e kësaj zymtësie shoqërore, e cila filloi të metastazojë edhe në periudhën e mëpastajme. Në çdo pore të institucioneve, sodomos të atyre financiare tashmë ishin etabluar këta cerberë të oligarkive që ndërronin ngjyrat, partitë, varësisht se nga anonte fuqia e pushtetit.
Ata kanë qenë gjithnjë aty, në prapaskenat e politikës, herë në emër të politikës, të zgjatimeve politike, e herë të mbështjellë me veladonin e padepërtueshëm të biznismenit. Kanë qenë gjithnjë aty për ta gërryer sistemin e drejtësisë, ekonominê dhe bashkë me këtë edhe të ardhmen e qytetarëve.
I gjithë ky kontekst i paravendosur oligarkish të ngjizura dhe të performuara që nga fillimi e demokracisë dhe pluralizmit të kontrolluat nga prapaskenat e privatizimeve të hershme dhe zhvatjet e mëpastajme ka pamundësuar një tranzicion normal institucional dhe shoqëror. Herë si politikan e herë si biznismen ata janë aty, afër pushtetit, afër korridoreve kafkiane të manipulimit dhe të krijimit të ” dramave” të zymtësisë.

Dhe, në këtë sfond të zymtê fatalisht është projektuar qytetari me njëmijë dëshpërime dhe tashmë i dorëzuar në pamundësinë e vetë të hutisë që gjenezën e ka pikërisht te kjo praktikê e mbrapshtë oligarkësh që funksionojnë si zgjatime që nga transponimi i kontrolluar ” demokratik”.
Gjithë dëshpërimi tri dekadësh i qytetarëve mund të vërehet në ato fragmente bisedimesh beketiane që shpërfaqin pasiguri, ankth dhe një vullnet absurd për ta shtyrë gurin e fatalitetit drejt majës së tranzicionit të egër.
” E shtyjmë disi” është metafora ekzistenciale e qytetarëve, përgjigjja ndaj realitetit të zymtë që metastazon në format më absurde të mundshme të fatit të Sizifit.

Të fundit