E mërkurë, 24 Korrik, 2024

“DITË MË TË VËSHTIRA NA PRESIN”, BB: SHQIPËRIA DO KETË RRITJEN MË TË ULËT EKONOMIKE NË RAJON, VETËM 2.2%

“Kriza me të cilën po përballemi po bëhet më e fortë.” Me këtë paralajmërim për ditë edhe më të vështira e nis Banka Botërore raportin e sapo-publikuar mbi Perspektivën Ekonomike Globale për këtë vit të ri.

“Përkeqësimi i treguesve do të jetë me bazë të gjerë duke prekur thuajse gjithë botën. Rritja ekonomike pritet të jetë vetëm 1.7 për qind nga 3 për qind në parashikimet e 6 muajve më parë.  Kjo do të jetë veçanërisht shkatërruese për ekonomitë më të varfra në të cilat varfëria pritet të thellohet.

Rritja e të ardhurave për frymë do të jetë më e ngadaltë se gjatë dekadës para Covid-19. Ngadalësimi i ekonomive ndërkohë përkthehet në më pak mbështetje sociale si dhe ulje të investimeve në shëndetësi apo arsim.”

Nisur nga këto parashikime të zymta, Banka Botërore kërkon nga qeveritë e të gjitha vendeve më shumë maturi, duke këshilluar ndërmarrjen e disa politikave për mbrojtjen e njerëzve.

“Duhen më shumë investime me qëllim krijimin e vendeve të punës dhe mbajtjen gjallë të konsumit. Shtetet kanë për detyrë urgjente që të hartojnë politika që tërheqin investime. Qeveritë duhet të harmonizojnë politikat monetar me ato fiskale për të mbrojtur shtresën e mesme dhe për të frenuar thellimin e varfërisë. Vendet duhet të tregojnë veçanërisht më transparencë dhe maturi në menaxhimin e borxhit publik.”

Për Shqipërinë Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike në nivelin 2.2 për qind, larg pritshmërive optimiste të mëhershme.

Në Rajon, Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në nivelin 3.7 për qind, ndjekur nga Mali i Zi me 3.4 për qind, Bosnja 2.5 për qind, Maqedonia e Veriut 2.4 dhe Serbia 2.3 për qind.

Të fundit