E hënë, 21 Prill, 2025

TAKIMI NË TIRANË, NJË KOORDINIM QË I TEJKALON INTERESAT PARTIAKE

Liderët e partive politike shqiptare e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim me kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërkohë, Lëvizja Besa ka theksuar se “i përgjigjemi pozitivisht ftesës së kryeministrit pa e parë të arsyeshme të ulemi me BDI-në dhe Ali Ahmetin në një tryezë”. Njohës të rrethanave politike theksojnë se mospjesëmarrja e mundshme e Lëvizjes Besa nuk do të ndryshojë asgjë, ndërkohë që e kanë vlerësuar si “papjekuri politike”.  Ata vlerësojnë se me gjasë edhe Lëvizja Besa nuk do ta refuzojë darkën e përbashkët. Ata gjithashtu theksojnë se ftesa e kryeministrit shqiptar Edi Rama për udhëheqësit e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut vjen në një kohë kur do hapet diskutim konkret për ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

 Shkruan: Enis Shaqiri

 Kreu i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka ftuar në Tiranë krerët e të gjitha partive politike nga blloku shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Siç mësohet tryeza e përbashkët e diskutimit pritet të zhvillohet të martën mbrëma në vilën 30 në Tiranë.

Liderët e partive pranojnë ftesën e Ramës për t’u ulur në një tryezë, por me “kusht”

Liderët e partive politike shqiptare, i Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, Partisë Demokratike Shqiptare dhe Bashkimit Demokratik për Integrim e kanë konfirmuar praninë e tyre në këtë takim, përkundër Lëvizjes Besa e cila nuk e sheh të arsyeshme të ulet me BDI-në  në një tryezë të përbashkët.

Në si Lëvizje BESA nuk kemi asnjë dilemë të vetme tek qëllimi i pastërt i kryeministrit të Shqipërisë, për atë që interesohet për situatën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Shqetësimi jonë si Lëvizje është tek BDI dhe Ali Ahmeti, tek lojërat dhe hilet e tij sa i përket këtyre takimeve, pasi që çdo herë kur ai ka telashe brenda subjektit të tij keqpërdor diçka të tillë, andaj ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës së kryeministrit pa e parë të arsyeshme të ulemi me BDI-në dhe Ali Ahmetin në një tryezë“, ka shkruar Faruk Avdiu , zëdhënës i Lëvizjes BESA

Ftesa e Edi Ramës duhet të tejkalojë interesat partiake

Ish deputeti Zudi Xhelili  së fundmi ka komentuar ftesën e krerëve politik të thirrur nga kryeministri Edi Rama. Ai ka theksuar se mos shkuarja e Bilall Kasamit në takim nuk do të ndryshoj asgjë.

Nuk është hera e parë që liderët e partive politike takohen me ftesë të kryeministrit shqiptar. Do të jetë një koordinim që i tejkalon interesat partiake, ka të bëj me vendime të rëndësishme për vendin dhe rajonin. Mos shkuarja e Bilall Kasamit në takim nuk do të ndryshoj asgjë. Nëse ajo që do të bisedohet atje është me interes kombëtar çdo lider do të detyrohet ta respektojë. Taktizimet për mos shkuarje ndoshta kanë të bëjnë me kalkulime rejtingu, por vendimet e Tiranës do të miratohet nga të gjithë forcat politike, sepse pas çdo vendimi të tillë ka diçka më të rëndësishme për ne si popull dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Mickoski dhe Apasievi kërkojnë partner shqiptar por qëndrimet e tyre momentale janë kundër interesave shqiptare dhe të faktorit ndërkombëtar, si dhe kundër euro-integrimeve të vendit”, ka thënë Xhelili.

Ndërsa Ismet Ramadani vlerëson se ftesa e kryeministrit shqiptar Edi Rama për udhëheqësit e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut, vjen në një kohë kur do hapet diskutim konkret për ndryshimet kushtetuese, që pasojnë si kusht për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Kalkulimi i vetëm në përgjigjen pozitive ndaj ftesës vjen vetëm nga kryetari i BESËS që tërheq vëmendje, e këtu është edhe qëllimi i kësaj partie. Besa tani po e llogarit veten si parti e vetme opozitare dhe për çfarëdo iniciative tenton të bëj dallimin. Në fund të fundit nuk e besoj se do të refuzojë ftesën e kryeministrit Rama të ulet në darken e përbashkët me liderët tjerë. Shpresoj se nuk do ta përsërisë gabimin që prapë të radhitet me Levicën dhe VMRO-DPMNE-në, të cilat po ushqehen politikisht nga Rusia e Putinit dhe po tentojnë të pengojnë anëtarësimin e vendit në BE. Zatën opozitarizmi i Besës dallohet nga këto dy parti, por problemi qëndron në faktin se vështirë është të veprosh në një hapësirë opozitare të kontaminuar me propagandë pro-ruse edhe atëherë kur duhet të kritikohet ndonjë dobësi e Qeverisë. Në ambient të këtillë është vështirë të jesh në rolin e opozitës shqiptare”, ka thënë Ramadani për Indeks.mk

Nga ana tjetër, gazetari Destan Jonuzi thotë se qëndrimi i Lëvizjes Besa me në krye Bilall Kasamin, sa i përket mospjesëmarrjes në këtë takim me arsyetimin se nuk ulet në një tryezë me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, dëshmon papjekuri politike.

Jemi dëshmitarë se Kasami është ulur në tavolinë me Ali Ahmetin në shumë takime të thirrura nga Zoran Zaev dhe liderë të tjerë në të kaluarën. Refuzimi i takimit të Tiranës nga ana e tyre tregon se ai tashmë ka zgjedhur partnerët e tij strategjikë dhe po ndjek kursin e tyre politik, kursin e VMRO-DPMNE-së dhe të së Majtës, që në një mënyrë apo tjetër, pengon procesin e integrimit evropian. Ndaj jam i mendimit që Kasami sa më parë të reflektojë dhe mbi të gjitha të ketë parasysh përcaktimin strategjik të vendit, për të mos qenë bisht i atyre forcave që kanë interesa të ndryshme, për të mos vënë në dyshim kursin properëndimor të vendit”, ka thënë Jonuzi, për Fokus.mk

Ministri Osmani : Kryeministri shqiptar Edi Rama është mik i dëshmuar i RMV-së, nuk duhet të krijohen konspiracione nga takimi në Tiranë.

Ministri i Punëve të Jashtme, njëherë edhe zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani ka theksuar se takimi i paralajmëruar i liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut me ftesë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është në kuadër të Vitit të Ri me qëllim të këmbimit të mendimeve për aktualitetet dhe sfidat që e tangojnë rajonin.

Është e qartë se ky vit do të jetë një vit sfidash për rajonin. Megjithatë, jemi në një vit në të cilin ende ka një luftë në kontinentin tonë, në të cilin ka sfida të shumta rajonale, aspirata të përbashkëta të të dyja vendeve për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian” tha Osmani

Ndërkaq, sa u përket qëndrimeve për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen e liderëve të partive politike të ftuara në këtë takim, Osmani tha se nuk duhet të krijohen konspiracione lidhur me këto takime, duke shtuar se Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut

“Në të gjitha takimet ku bisedohet, shkëmbehen ide, informata, janë qëndrime për mirëqenien e vendit tonë, por edhe të tjerëve. Edi Rama këtë e dëshmoi gjatë këtyre muajve me negociatat me Bullgarinë, kur në llogari të interesave të Shqipërisë, ekspozohej duke i potencuar interesat e RMV-së. Unë e kuptoj që partitë politike kanë interes të përdorin dhe të shfrytëzojnë të gjitha situatat për të fituar një pikë politike, por e gjithë kjo kalon çdo kufi dhe shkon përtej dhe rezulton se nuk ka më një rishikim dhe fokusim në interesa reale të sinqerta të shtetit dhe e gjithë kjo rezulton të jetë vetëm interes partiak dhe politik”, tha Osmani.

Së fundi një tryezë e tillë nën organizimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ishte mbajtur në dhjetor të vitit 2016.

Kujtojmë se tryezën e përbashkët me bllokun politik shqiptar e tentoi edhe Lëvizja Besa në tetorin e vitit të kaluar, e cila iu bëri thirrje partive politike shqiptare që të ulen për të diskutuar për heqjen e 20%. Por kësaj thirrje nuk iu përgjigj askush.

Të fundit