E premte, 12 Korrik, 2024

OPOZITA MAQEDONASE PËRGATITET PËR MOCION MOSBESIMI NDAJ QEVERISË

Opozita në Maqedoninë e Veriut paralajmëron nismë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nisma e VMRO DPMNE-së pason refuzimin e kërkesës së saj nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), e kryeministrit Kovaçevski për zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2023.

VMRO DPMNE-ja nuk i ka numrat e nevojshëm prej 61 deputetëve për rrëzimin e Qeverisë, por kryetari i saj, Hristijan Mickoski, tha se ka sinjale se nisma e saj do të mbështetet edhe nga deputetë të partive në pushtet.

“Unë kam sinjale nga disa deputetë të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët vërtet mendojnë se kësaj Qeverie i ka ardhur fundi. Duhet të kemi një qeveri të zgjedhur nga populli, e cila do të jetë e aftë të përballet me sfidat, që po kalon vendi. Shpresoj se kësaj radhe nuk do t’i përdorin metodat nga e kaluara, për presion ndaj deputetëve pasi ata duhet t’i lënë të votojnë sipas bindjeve të tyre, të votojnë për mocionin e votëbesimit të kësaj qeverie dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski.

Por, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, njëherë kryeministër i Maqedonisë së Veriut, tha se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, pasi Qeveria, sipas tij, po funksionon me kapacitet të plotë për realizimin e programit të saj.

“Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë që të përballet me të gjitha sfidat që ndodhen para shtetit, kështu që kemi prioritete të tjera dhe jo zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhje do të ketë në afatin e rregullt në vitin 2024. Sa i përket Grupit Parlamentar të partisë që drejtoj, nuk ka asnjë lëvizje nga qëndrimet e organeve drejtuese dhe janë spekulime pretendimet se ndonjëri nga deputetët tanë mund të votojë kundër kësaj qeverie”, tha Kovaçevski.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë, është shprehur kundër zgjedhjeve të reja duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka prioritete tjera më të rëndësishme se zgjedhjet. Këto prioritete, sipas BDI-së, janë përmbushja e Marrëveshjes me Bullgarinë, përballja me krizën ekonomike, si dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, të kërcënuara, sipas saj, nga faktorë të jashtëm, para së gjithash nga Rusia dhe Kina.

Në këtë kuadër, kryeministri Kovaçevski tha se shumica parlamentare këtë vit prioritet madhor ka votimin e ndryshimeve kushtetuese për të mos mbajtur peng procesin e integrimit evropian.

Maqedonia e Veriut, bazuar në Marrëveshjen me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike, duhet ta ndryshojë Kushtetutën, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues. Në të kundërtën, Sofja sërish mund t’i bllokojë bisedimet për kapitujt që duhet të nisin pas përmbushjes së këtij kushti.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo 80 vota të deputetëve në Kuvend, ndërkohë që shumica ka mbështetjen e 64 deputetëve.

Aleanca për Shqiptarët, që ka tetë deputetë, akoma nuk ka një qëndrim të prerë për mocionin e mosbesimit pasi thotë se prioritet e ka integrimin evropian, edhe pse është kundër Qeverisë aktuale duke e fajësuar për gjendjen në ë cilën ndodhet vendi.
Nga kjo parti thonë se ende nuk kanë pasur bisedime me VMRO DPMNE-në lidhur me kërkesën e saj për zgjedhje të reja.

“Bisedime për këtë çështje nuk kemi pasur dhe as që jemi kontaktuar, por as nuk kemi plane të tilla pasi më shumë do të fokusohemi në ndryshimet kushtetuese që janë shumë të rëndësishme që si porosi e marrim edhe nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, pasi viti 2023 duhet të jetë vit i ndryshimeve kushtetuese dhe i fillimit të bisedimeve me BE-në”, thekson Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Por, ndryshe nga ai, lëvizja Besa, një tjetër parti opozitare shqiptare, do ta mbështesë mocionin e mosbesimit, ndërsa ndryshimet kushtetuese i ka kushtëzuar me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Megjithatë, pa votat e Aleancës për Shqiptarët, VMRO DPMNE-ja nuk do të mund të rrëzojë Qeverinë. Prandaj, ajo shpreson në votat e disa deputetëve të pakënaqur nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe të disa partive të vogla që janë të përfaqësuara me nga një ose dy deputetë në Kuvend.

Aleksandar Spasenovski, njohës i çështjeve politike, thotë se opozita do ta ketë të vështirë të shkaktojë krizë parlamentare, andaj edhe beson se zgjedhje të parakohshme vështirë se do të ketë në Maqedoninë e Veriut.

“Është më e logjikshme të kemi zgjedhje në afatin e rregullt, pra në vitin 2024, të kemi edhe zgjedhje parlamentare, edhe presidenciale. Në historinë e Maqedonisë së pavarur, gjithmonë president është zgjedhur kandidati i partive në pushtet, andaj këtë edhe e presin partitë qeverisëse, të cilat duke e parë rënien e besimit, do të përpiqen që të përmirësojnë perceptimin e qytetarëve duke fituar zgjedhjet presidenciale. Ndërkohë, kërkesa e VMRO-së është e kuptueshme pasi në rast se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe i fitojnë ato, atëherë do të llogarisin edhe fitoren në zgjedhjet presidenciale”, vlerëson Spasenovski.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen në vitin 2024, po këtë vit mbahen edhe zgjedhjet presidenciale, pasi skadon mandati 5-vjeçar i presidentit aktual, Stevo Pendarovski, kuadër i LSDM-së.

Të fundit