E diel, 27 Prill, 2025

OSMANI: KOSOVA DUHET TË NXJERRË MËSIME NGA PËSIMET TONA

Maqedonia e Veriut nga një janari ka marrë kryesimin e OSBE-së. Kryediplomati i këtij shteti, Bujar Osmani, ka bërë me dije se në krye të agjendës do ta ketë Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovës-Serbi. Ai, në njjë intervistë për gazetën “Nacionale” të Prishtinës, ka thënë se Kosova duhet t`i shfrytëzojë mundësit që i ofrohen në këtë proces. Sipas tij, Kosova nuk duhet ta bëj gabimin e Maqedonisë së Veriut, – përcjell kdpolitik.com.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka ftuar Kosovën që të tregohet e kujdesshme në procesin dialogut me Serbinë. Ai ka bërë me dije se vendeve të vogla mund t’ju kushtojë shumë çdo hap i gabuar apo shans i lëshuar.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Osmani ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë çdo mundësi në këtë proces për të kapur pozicione më të volitshme.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të bëj gabimin që Maqedonia e Veriut e ka bërë për 30 vite, duke lëshuar mundësi të volitshme.

Në këtë intervistë, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut ka ritheksuar se Maqedonia e Veriut mbështet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe një zgjidhje të shpejtë e gjithëpërfshirëse që ka në epiqendër njohjen e ndërsjellë të dy shteteve.

Nacionale: Zoti Osmani, nga 1 janari, Maqedonia e Veriut merr kryesimin e OSBE-së. Çfarë do të thotë kjo për vendin?
Osmani: OSBE-ja është organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë e shtrirë në tre kontinente, me 57 vende pjesëmarrëse dhe rreth 1.3 miliardë banorë. E veçanta e OSBE-së është qasja gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, jo vetëm konvencionale politiko-ushtarake, por edhe aspekti ekonomiko- ambiental dhe human i sigurisë. OSBE-ja është organizata e vetme multilaterale që ka misione afatgjate në terren në12 shtete. misione të specializuara për gjitha ciklet e konfliktit, parandalimin, arritjen e marrëveshjeve dhe rehabilitimin post-konfliktual. Duke qenë se pikërisht në Shkup është hapur misioni i parë i OSBE-së para 30 viteve dhe i njëjti akoma është aktiv, kemi një situatë kur një vend i vogël i një rajoni të vështirë që deri sot ka qenë konsumues i shërbimeve të OSBE-së, tani më është “pjekur” për t’i prirë vetë organizatës. Ne po e ndjejmë se Maqedonia e Veriut ka arritur në atë stad të zhvillimit të brendshëm dhe ndërkombëtar sa që ka ardhur koha të “kthejmë borxhin” për atë që komuniteti ndërkombëtar ka bërë për ne. Pra, tani është koha që të japim kontributin tonë për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në botë. Andaj, vendimi konsensual i të gjitha vendeve të OSBE-së për të na e besuar këtë mision është një njohje e madhe si për vendin ashtu edhe për diplomacinë tonë për shkak se e avancon drejtpërsëdrejti pozicionin ndërkombëtar të shtetit.

Nacionale: Cili do të jetë prioriteti gjatë kësaj presidence?
Osmani: Kryesimin e OSBE-së e nisim nën moton “Fjala është për njerëzit” (“its about people”), pikërisht për të vendosur fokusin mbi impaktin që OSBE-ja ka në terren, në zonat e konfliktit, me qëllim të lehtësimit të jetës së njerëzve, parandalimin e dhunës, rehabilitimin dhe integrimin e tyre. Kjo për shkak se njerëzit janë konsumatorët final të shërbimeve të OSBE-së. Ne mund të merremi me politika “të mëdha”, të mundësojmë ose të bllokojmë nismat e ndryshme në emër të interesave “të mëdha e të larta”, por nuk duhet të harrojmë se në fund fjala është për njerëzit, veçanërisht për ata që janë në rajonet e mbërthyera nga konflikte dhe grupet më vulnerabël. Agresioni rus në Ukrainë ka çuar në krizën më të madhe me të cilën është përballur bota që nga Lufta e Dytë Botërore dhe natyrshëm çështja e Ukrainës dikton të gjitha proceset në OSBE-së dhe do të jetë sfida dhe prioriteti më i madh gjatë kryesimit tonë njëvjeçar. Gjithashtu, nuk do shkëputim vëmendjen tonë nga monitorimi i fokusuar i të gjitha konflikteve të ngrira në rajonin e OSBE-së. Si kryesues, do të avokojmë fuqishëm për riafirmimin e parimeve dhe përbetimeve të organizatës si dhe për rivendosjen e dialogut dhe të mirëbesimit, si mënyra më e mirë për tu përballur me problemet dhe sfidat e sigurisë.

Nacionale: Ku do të jetë rajoni i Ballkanit Perëndimor në agjendën e presidencës suaj?
Osmani: Rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetë në krye të agjendës sonë. Vetëm një fakt ilustrues: dy misionet më të mëdha të OSBE-së ndodhen në këtë rajon, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Në fakt, OSBE-ja ka misione afatgjata në terren në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që në të vërtetë përbën gjysmën e numrit të përgjithshëm të misioneve të saj. Kjo vetvetiu flet për peshën që ka rajoni për organizatën. Kur kësaj t’i shtohet edhe fakti që ne si kryesues vijmë nga rajoni dhe përveç që kemi interes të drejtpërdrejtë, kemi edhe njohuri për specifikat e rajonit, nuk ka dilemë se Ballkani Perëndimor me të gjitha specifikat ka për të qëndruar lartë në agjendën tonë.

Nacionale: Kosova dhe Serbia gjatë kësaj periudhe do të kenë një dinamikë të re drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Cili do të jetë roli i Maqedonisë së Veriut si kryesuese e OSBE-së në këtë proces?
Osmani: Kujtoj se duhet të jemi të saktë, të jemi të përpiktë, në vlerësimin e situatës në Kosovë në këtë fazë të ndjeshme. Vihet re një dinamikë e shtuar e aktiviteteve, për shkak të rritjes së spirales së tensioneve më të fundit. Çmojmë se është me rëndësi që situata të mos përshkallëzohet. Është i nevojshëm qetësimi i situatës dhe vazhdimi i dialogut. Vetëm dialogu mund të japë rezultate dhe zgjidhje. Për të gjitha çështjet, ka procese të vazhdueshme që drejtohen nga disa qendra dhe ndërmerren nisma për zgjidhjen e problemeve, ku BE-ja (sidomos Gjermania dhe Franca) dhe SHBA-të luajnë një rol kyç. Natyrisht, kjo nuk e ngushton hapësirën për kontribut konstruktiv. Besoj se OSBE-ja ka një rol plotësues në këto zhvillime dhe procese. Nga ana tjetër, dhe shikuar nga këndvështrimi ynë, bëhet fjalë për dy vende me të cilat kemi raporte të mira. Pikërisht kjo na mundëson që të luajmë rol konstruktiv në procesin e filluar. Këtë vit ne veprojmë nga pozita e kryesuesit të OSBE-së dhe duke e bërë këtë, në qasjen tonë, duhet të udhëhiqemi nga mandatet ekzistuese të OSBE-së. Si mjetet tona ndihmëse, ne kemi të dy misione në terren që kanë pasur dhe do të kenë edhe në të ardhmen rol konstruktiv.

Nacionale: Në vjeshtën që e lamë pas BE-ja ua ka prezantuar palëve planin për marrëveshjen finale. Çfarë duhet të bëj Kosova në këtë proces?
Osmani: Politika ndërkombëtare është në parim e ngurtë, e ashpër dhe e pamëshirshme, në veçanti për vendet e vogla. Dhe, duhet shumë mençuri, takt dhe vlerësim i saktë i momentit. Vendeve të mëdha, ndonjëherë, edhe mund t’ju lejohet, si të them, të bëjnë edhe vlerësime të gabuara për shkak se ato përsëri mund të rikthehen në trajektoren e duhur. Vendeve të vogla mund t’ju kushtojë shumë çdo hap i gabuar apo shans i lëshuar. Mundësitë, rastet, shanset, janë të pakta dhe të rralla në politikën ndërkombëtare, çdo çarje e vogël duhet shfrytëzuar për të kapur pozicione më të volitshme. Maqedonia e Veriut është sa shembull i mirë po aq edhe i keq për ta ndjekur. 30 vite lëshoi mundësi të volitshme duke pretenduar se është kërthiza e botës dhe se komuniteti ndërkombëtar do t’i nënshtrohet pozicioneve të saja duke kërkuar falje që i ka bërë të padrejtë. Këtë iluzion vendi im e pagoi shtrenjtë duke humbur një të ardhme ndryshe nga kjo e sotmja, duke humbur gjenerata të tëra. Sot do të ishim anëtar i Bashkimit Evropian dhe sigurisht me kompromise më të volitshme sesa ato që u bënë më vonë. Më pas vendi ynë nxori mësime nga kjo eksperiencë dhe me guxim mori vendime të mëdha për të kapur dhe rikthyer momentin, por kjo është vetëm përvoja jonë. Kosova ka lidershipin e vet që më së miri do bëj vlerësime për të marrë edhe vendimet e duhura. Ne mbështesim dialogun dhe një zgjidhje të shpejtë e gjithëpërfshirëse që ka në epiqendër njohjen e ndërsjellë të dy shteteve./nacionale.com/

Të fundit