E premte, 25 Prill, 2025

SHKOFTË E U HARROFTË!

Në këtë kapërcyell të motomoteve, kanë qenë sondazhet e agjencive prestigjioze, po edhe të atyre partiake, ato që festat e fundvitit na i bënë pelin: Të gjithëve, të varur e të pavarur, po na ha meraku që fijet i ka te dilema si të kapërcehet kjo gjendje krize, ndërsa ata të cilët mëtojnë t’ju dalin zot punëve, japin e marrin për të na joshur se si në garat zgjedhore të radhës do të dalin me atë shkopin magjik për t’i vënë punët në vend. „Vezët në shportë e shportën në dorë”- thotë një miku im shkrimtar duke më rikujtuar se nuk duhet humbur shpresën: Nëse sivjet ishte keq, kjo s’do të thotë se kështu do të jetë edhe në mot! Shkoftë e u harroftë!  

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

E mira e të mirave të këtij fundviti, në rrafshin kombëtar, rajonal e ndërkombëtar, është se dolën sheshit, pa maska, të gjithë protagonistët që fjalët i kanë të ëmbla e punët e tharta. Zhvillimet nuk është se ishin e janë të llojit të vet në këto tri rrafshet e sipërthëna, për shkak se ngërthejnë inate-teket që, marrë hollë e hollë, për një plesht – djegin jorganin!

Zhvillimet në Veri të Kosovës e në Mal të Zi, si rezultat i interferimit serbo-rus, me mbështetjen e fuqishme të kishës ortodokse, nga njëra anë, dhe veprimet prej kapadaiu të politikanëve të atjeshëm të cilëve duket se iu mungon sensi i përgjegjësisë së lidershipit, më anë tjetër, duket se qendrat e vendosjes i kanë vënë në rolin e sehirxhiut. U dasht të shpërthejë lufta në Ukrainë që të ndizet alarmi se ajo që sot ndodhë në fqinjësi, shumë kollaj, nesër mund të të shpërthejë edhe në shtëpi.

Në të njëjtën kohë, në hapësirat rajonale, të Ballkanit Perendimor, duke filluar nga kjo jona, në Maqedoninë e Veriut, gjithçka po vendoset gjithnjë e më shumë në funksion të zgjedhjeve të radhës: Në Mal të Zi, Kosovë e Serbi, beteja kryesore është se kush-kë do ta mund; në Bosnjë e Hercegovinë forcat politike të të trija komuniteteve sikur po e provojnë se edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme po e përkeqësojnë diagnozën e shtetit jofunksional që injektohet sa nga Beogradi, po aq edhe nga Zagrebi e besa edhe nga Ankaraja. Shqipëria dhe shqiptarët po bëjnë beteja në dy fronte: Socialistët e Edi Ramës po japin e marrin për të mbrojtur “kalanë e pamposhtur” të qeverisjes, pa zgjedhur mjete, ndërsa frontit opozitar si duket do t’i duhet kohë për t’u konsoliduar si alternativë serioze edhe për shkak të përplasjeve të brendshme, kryesisht në gjirin e Partisë Demokratike.

Në këtë vijë, në Maqedoninë e Veriut, duket se pozita e opozita kanë ndezur motorët për garën e radhës. Sondazhet e fundit të agjencive prestigjioze, varësisht se cilat janë, por edhe të atyre partiake, nuk është se nuk po shkaktojnë lëkundje tektonike. Në të gjitha kampet politiko-partiake të të dyja taborëve etnike. Kjo për shkak se zhvillimet e kësaj vjeshte shpërfaqën plasaritje serioze, ta zëmë, si në gjirin e BDI-së apo të ASH-së, ashtu edhe tek VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja. Prandaj, kanë të drejtë ata të cilët parashikojnë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mund të prodhojnë “befasira” çfarë deri tani nuk i kemi parë. Kjo për shkak se të dyja kampet, ai pozitar dhe opozitar, kanë nevojë për zgjerimin e radhëve dhe kjo detyrimisht imponon domosdoshmërinë e koalicioneve entinikisht të përziera parazgjedhore(diçka të përafërt me atë që në zgjedhjet e fundit e bëri LSDM-ja me Besën apo Besa me LSDM-në). Gjykoj se kjo edhe është e mundshme, për shkak se shqiptarët aktualisht nuk kanë ndonjë kërkesë “maksimaliste” që s’do të mund të gëlltitej nga maqedonasit. Kjo – e para, dhe e dyta – koalicionet do të ishin koalicione vlerash e standardesh që nuk është se janë të panjohura, bile, bile mund të merren edhe nga, ta zëmë, Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian! Vetëm se, të njëjtat duhet praktikuar e vënë në jetë. E thash këto ditë se, në gjykimin tim, përveç të ashtuquajturës “Levica”, në vija të trasha, të gjitha forcat politike janë për integrim në familjen e madhe evropiane. “Rrëshqitjet” e herëpashershme të së djathtës duhet parë më shumë nga këndi i përpjekjeve për të arkëtuar sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës sesa si rezultat i ndikimit malinj nga jashtë. Natyrisht, çdo shmangie e forcave serioze politike të vendit nga kursi i integrimit euro-atlantik do të ishte me pasoja katastrofale. Një devijim i këtillë do të zhbënte gjithë investimin prej dekadash, si të partive maqedonase, ashtu dhe atyre shqiptare. Nuk kam dyshim se çfarëdo anashkalimi i vlerave evropiane apo injorim i rekomandimeve që vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni, do të sanksionohej me ashpërsinë çfarë po e përjetojnë disa protagonist të jetës politike edhe në fqinjësinë tonë. Prandaj, besoj se edhe VMRO-DPMNE-ja, edhe LSDM-ja, nuk do të zyrtarizonin ndonjë koalicion parazgjedhor me “Levicën” për shkak se do të duhet të jenë të vetëdijshme se me këtë do ta humbisnin besimin karshi faktorit ndërkombëtar, nga njëra anë, por edhe se një krushqi e tillë politike me automatizëm do t’ua mbyllte derën e bashkëpunimit me forcat politike shqiptare.

Të fundit