E enjte, 18 Korrik, 2024

LAJÇAK: TANI ËSHTË KOHA PËR ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE KOSOVË-SERBI

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se mosbesimi në mes të dyja palëve  është më i lartë se kurrë, tensionet vazhdojnë të jenë të larta, por  është me rëndësi që liderët në Serbi dhe në Kosovë të nisin të krijojnë atmosferën e përshtatshme për bisedime produktive për normalizimin e marrëdhënieve. Në një prononcim për “Politico”, Lajçak ka thënë se heqja e barrikadave të enjten ka zgjidhur problemin, por se tensionet mbesin në nivel të lartë. Duke pranuar se ka caktim afatesh për dialog, ai ka nënvizuar se po qe se dialogu s’përmbyllet në vitin 2023, atëherë “gjithçka duhet të nisë nga e para”.

Niveli i mosbesimit mes të dyja palëve është më i lartë se kurdoherë, ka thënë Lajçak, në ditën kur në veri u hoqën barrikadat që qëndruan për 20 ditë, pas arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, të dyshuar për sulm ndaj Policisë e Komisioneve Komunale Zgjedhore. Serbët hoqën barrikadat nga rrugët në veri pas vendimit që masa e paraburgimit t’i ndryshohej në arrest shtëpiak.

“Ajo që ka rëndësi shumë të madhe tash është të mos lejojmë që situata të kthehet në ndonjë krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të nisin të krijojnë atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh”,- ka thënë ai.

Sipas Lajçakut, afati i marsit ka për qëllim që të përcjellë seriozitetin e arritjes së marrëveshjes, siç shkruan “Politico”. Ky medium tutje ka thënë se komuniteti ndërkombëtar po ndjen urgjencën për ta zgjidhur çështjen duke pasur parasysh luftën e Rusisë dhe se Kremlini ka kohë që kërkon ta joshë Ballkanin të rrijë larg BE-së.

Lajçaku ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për takim – por “problem është rezultati”.

“Dy takimet e fundit ishin në rregull sa i përket atmosferës, por vizionet e dy liderëve nuk u përputhen. Ka gjithmonë pritje të mëdha nga këto takime”, -ka shtuar ai.

Sipas tij, përsëritja e tensioneve të përcjella nga zgjidhjet e përkohshme po bën që negociatorët të angazhohen në “fikjen e zjarrit, pasi s’mund të ketë fokus në normalizim kur ka kriza”.

Përderisa kriza e fundit “ka marrë fund”, ka thënë ai, “shpresoj që të mos ketë në javën e ardhshme krizë tjetër – ose të harrojmë për normalizim”- ka thënë Lajçak.

Sipas tij, aktualisht koha është ideale për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humb ky rast, mosmarrëveshja mund të zgjasë me dekada.

“Tani, kemi strukturë shumë të favorshme: Kemi vëmendjen e top-lidershipit në SHBA dhe BE, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer BE-SHBA – prandaj kjo është dritare e vërtetë e mundësisë, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe ato presidenciale në SHBA do të mbahen më 2024.

“Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, do të duhet të nisim gjithçka nga fillimi. Nëse kthehemi në kriza e përplasje, të harrojmë afatet”, ka deklaruar diplomati evropian për Politico.com që i referohet edhe një deklarate tjetër pesimiste për epilogun pozitiv të negociatave mes palëve:

“Për momentin, është e vështirë të imagjinohet një rezultat pozitiv i negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës,”- ka deklaruar Maja Bjelosh, analiste nga  Qendra për Politikat e Sigurisë me bazë në Beograd.

Të fundit