Në një intervistë për KDPolitik.com Rektori i UEJL-së, Akademik Abdylmenaf Bexheti, bën vlerësimin e vitit 2022, të cilin e quan vit të krizave të njëpasnjëshme, ndërkohë që bën parashikime se çfarë mund të presim në vititn 2023. Ai thotë se studimet dhe analizat shkencore po nxjerrin sheshit padrejtësitë ekstreme në shpërndarjen e të ardhurave por edhe të pasurisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut.
“Vetëm 1% e popullatës, zotëron rreth 15% të të ardhurave të përgjithshme në vend! Kjo flet për shpërpjesëtimin 1:15 të të ardhurave për një vit. Imagjinoni për 10 apo 20 vite çfarë koncentrimi jomeritor të pasurisë do të kemi në vend?”, thotë Bexheti, duke iu referuar një hulumtimi shkencor të kryer së bashku me kolegë të UEJL-së. “Mjerisht, institucionet nuk reagojnë që me instrumentet e politikave tyre të parandalojnë këtë fragmentim socio-ekonomik”.
INFLACIONI DO TË JETË NJËSHIFROR
KDPolitik: Kriza ekonomike, pandemia, kriza politike…Si ishte viti 2022 në sferën e ekonomisë?
Akademik Bexheti: Krizat e njëpasnjëshme për tre vitet e fundit, pa u tejkaluar ajo e pandemisë Covid-19 që si të tilla u futën në krizën inflatorike që kulmoi edhe me krizën energjetike dhe prishjen e zinxhirit të furnizimeve globale, e kanë sfiduar edhe shkencën e ekonomisë, jo vetëm për nga kohëzgjatja dhe thellësia, por edhe për nga “tronditjet” e dyanshme njëkohësisht, si nga ana e ofertës ashtu edhe e kërkesës. Teoria ekonomike në pothuaj një shekull (që nga Depresioni i Madh 1929/33), nuk njeh tronditje të kësaj natyre. Në këtë kuptim, edhe ekonomia e vendit u godit rëndë në të gjitha aspektet -nga reduktimi i ofertës agregate, fillimisht për shkak të pandemisë e pastaj për shkak të kostove rritëse të energjisë e deri te reduktimi i kërkesës për shkak të rënies së fuqisë blerëse. Masat anti-covid për trajtimin e grupeve të rrezikuara sociale si dhe të likuiditetit të rënduar të ekonomisë përmes “infuzioneve monetare”, padyshim që përshpejtuan kudo spiralen inflacioniste dhe Maqedonia ishte ndër vendet më dorëshlyrë në këto subvencione që, pos tjerash, shkaktoi edhe një rritje të lartë të borxhit publik, për tre vitet e fundit në mbi 15% të PBB-së vendore. Përkundër shumë parashikimeve të ekonomistëve skeptik se vitin 2022 mund ta mbyllim me normë negative të rritjes, personalisht kam qenë parashikues racional që para 6-7 muajsh, se prapëseprapë viti vijues do mbyllet me normë të rritjes prej 1.5 deri 2%, që me shumë gjasë edhe do të konfirmohet nga statistikat ekonomike të vendit, pas një apo dy muajsh. Natyrisht, kjo jo që ndryshon shumë në rastin e bazës së ulët ekonomike, por psikikisht ndikon shumë në optimizmin ekonomik si faktor i rëndësishëm në strukturën ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
KDPolitik: Pa dyshim, viti 2022 ishte i vështirë – vit i krizave dhe i shtrenjtimeve. Ka bazë për optimizëm në vitin 2023?
Akademik Bexheti: Të gjitha parashikimet e institucioneve relevante financiare ndërkombëtare, si FMN-ja, BB-ja apo edhe BERZH-ja, por edhe agjencitë parashikuese me relevancë për sektorin e bizneseve në rrafshin global, si McKinsey, Allianz, apo edhe Intellegence Unit, parashikojnë se viti 2023 do të jetë goxha të vështirë, si pasojë e reduktimit të ofertës dhe rënies së produktivitetit, por përtej kësaj, sërish parashikimet për inflacionin global janë bukur optimiste. Në fund të vitit 2023, inflacioni parashihet të jetë rreth 4-5-6%. Pra, njëshifror. Në përgjithësi, kjo kryekëput do të varet edhe nga zhvillimet në frontin ruso-ukrainas, por edhe nga tensionet e tjera globale si në Kinë e Tajvan, po edhe në Iran, Turqi e gjetiu. Tregjet globale financiare i kanë shtrenjtuar valutat dhe kjo pritet të krijojë telashe serioze në investime dhe në konsum, njëkohësisht. Vendet si tonat, me varësi ekstreme nga ndikimet e jashtme, edhe për shkak të “hapjes së madhe”, dhe varësisë së lartë nga jashtë (indeksi i hapjes shkon në 150% të PBB-së vendore) që është mbi 50% më i lartë se mesatarja e BE-së dhe rreth 70-80% më i lartë se i vendeve me ekonomi më të zhvilluar (si SHBA-ja, Japonia…etj).
KDPolitik: Ish-governatori i Bankës Popullore, Petar Goshev thotë se Maqedonia e Veriut ka inflacion më të lartë në krahasim me të gjitha vendet e BE-së. Sa është e vërtetë kjo?
Akademik Bexheti: Sigurisht që kjo edhe statistikisht është e dëshmuar, por krahasimi është i padrejtë me mesataren e BE-së! Kemi vende të BE-së, posaçërisht ato të Baltikut, që kanë inflacion edhe më të lartë se i Maqedonisë, por duhet pasur parasysh nga vjen dhe si është struktura e ekonomisë dhe e shportës konsumatore. Çmimet hyrëse (inputet-energjia, produktet bazike ushqimore, metalet dhe mineralet,…) shkaktojnë edhe rritjen e madhe të çmimeve të prodhimit (PPI-Production Price Index). Në anën tjetër, në shportën e konsumit dominojnë produktet bazë-ushqim, veshmbathje dhe banim, që shkojnë mbi 50% të shportës së konsumit. Kjo godet shtresat e varfëra dhe ato të mesme (gjithnjë e më e reduktuar). Pastaj, shporta e konsumit duhet të analizohet më cilësisht dhe jo vetëm statistikisht, si p.sh. produktet zëvendësuese (kur mishi i viçit e peshkut zëvendësoshet më atë të pulës, kur portokajt zëvendësohen me mollë,…etj), inferioriteti konsumor, ndryshimet e çmimeve të produkteve inferiore,… e deri te intensiteti i këtyre ndryshimeve. Pra, analiza duhet të jetë më e thellë dhe më cilësore që të nxirren konstatime dhe përfundime shkencërisht të besueshme dhe edhe të qëndrueshme.
KOMPANITË ME SUPERPERPROFIT TË PAMERITUAR TË PAGUAJNË TATIME SHTESË
KDPolitik: Ministri i Financave, Fatmir Besimi, shpalosi pakon e reformave tatimore. Si i vlerësoni Ju?
Akademik Bexheti: Janë të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore, por jo me fajin e ministrit, i cili shumë gjatë punoi në përgatitjen e reformave më përmbajtjesore. Kryeministri ra nën ndikimet e paarsyeshme të komunitetit të biznesit, me gjasë në pritshmëri për shpërblime politike, gjë që as që ka ndodhur e as që ka për të ndodhur. Bizneset e mëdha janë përfitues të mëdhenj dhe gjithnjë janë të papërfillshme nga të punësuarit e tyre. Nuk e di pse disa politikanë nuk i mësuan leksionet nga e kaluara, që disa cikle janë dëshmuar, tash e tri dekada. Asnjëherë shumica e të punësuarve nuk dëgjon preferencat politike të pronarëve, edhepse këta të fundit, jo se e bëjnë këtë veprim, por më shumë kërcënohen me gjoja këtë mundësi! Pothuaj se të gjitha vendet e Evropës Perendimore (BE-së dhe jo vetëm!), tanimë zbatojnë të ashtuquajturin tatim i papritur (Winndfall tax) apo atë që tradicionalisht e quajmë tatim mbi superprofitin, një fitim ky i pamerituar që shkaktohet nga konjunkturat dhe krizat e jo nga sakrificat apo meritat e ndërmarrësve. Të tillë në vendin tonë janë disa kompani energjetike, njëra prej të cilave ditët e fundit po e shantazhon edhe qeverinë me refuzim të importit të gazit, sepse dëshiron të përfitojë nga nafta dizel, pavarsisht sa e helmon popullatën! Nuk ngecin as edhe bankat komerciale (me hiperprofitet e tyre), importuesit e ushqimeve bazike, zinxhirët e marketeve, importuesit energjetik, kompanitë e teknologjisë informatike dhe tjera të ngjashme si këto. Personalisht, tash e tre muaj po mundohem të sensibilizoj opinionin rreth këtyre për çka po marrë edhe “selame” nga mediume që kontrollohen nga po këta magnatë të pamerituar!
KDPolitik: Së fundmi keni publikuar një studim me të cilin nxirrni në sipërfaqe një mungesë të madhe të drejtësisë sociale në vend, sidomos kur flitet për të ardhurat vjetore personale. Si mund të përmirësohet kjo?
Akademik Bexheti: Studimet dhe analizat tona shkencore po nxjerrin sheshit padrejtësitë ekstreme në shpërndarjen e të ardhurave të përgjithshme tek ne, ndërsa për pasurinë as që bëhet fjalë! Vetëm një fakt: 1% e popullatës, zotëron rreth 15% të të ardhurave të përgjithshme në vend! Kjo flet për shpërpjesëtimin 1:15 të të ardhurave për një vit. Imagjinoni për 10 apo 20 vite çfarë koncentrimi jomeritor të pasurisë do të kemi në vend? Mjerisht, institucionet nuk reagojnë që me instrumentet e politikave tyre të parandalojnë këtë fragmentim socio-ekonomik. Të gjitha premtimet për konfiskim të pasurive joligjore, jo vetëm që nuk ndodhën, por shkelësit edhe po shpërblehen dhe amnistohen. Dyshimet janë se po ndodhin marrëveshje të heshtura për mosndjekje të mëtejme të elitave aktuale me ata të ardhshmet.
KDPolitik: Si mund të ndreqet kjo padrejtësi ekstreme? A ka instrumente?
Akademik Bexheti: Instrumentet përmirësuese janë tradicionalisht të njohura dhe shumanshme – si nga ana e tarifave tatimore, ashtu edhe e rishpërndarjeve. Prandaj, skema tatimore progresive ishte një nga instrumentet për të cilën punuam rreth dy vite me ministrin e Financave për të filluar, më në fund, që të pasurit të ngarkohen përpjesëtimisht në rritje me tatime krahasimsisht me sistemin e sheshtë tatimor (falte income tax) mbi të ardhurat, për t’u vazhduar edhe me pasurinë. Kjo do krijonte të ardhura shtesë për buxhetin, qendror, por edhe atë lokal, në mënyrë që qytetarëve t’ju ofrohen shërbime më cilësore në arsim, shëndetësi, energjetikë, ekologji, por njëkohësisht edhe subvencione më të mira sociale dhe paga dinjitoze për mësuesit dhe shërbyesit civil. Mendoj se mungesa e guximit dhe oportunizmi politik i qeverisjeve, si ato qendrore dhe lokale njëkohësisht, shkakton qeverisje me huamarrje rritëse në vend të tatimimit rritës (ndaj atyre që kanë më shumë). Si duket tek politikanët po funksionon parimi i botës idilike . Ata parapëlqejnë të qeverisin duke shpenzuar, ama pa tatimuar. Kjo është keqqeverisje, në afat të mesëm dhe të gjatë! Ekonomisti më i famshëm majtist, nga fillimshekulli i kaluar, John Maynard Keynes, shprehet se “në afat të gjatë të gjithë ne jemi të vdekur”! Kjo është edhe logjika e politikanëve!