Ashtu siç paralajmëroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, barikadat që u vendosën nga serbët etnikë të Kosovës kanë fiolluar të hiqen që nga mëngjesi i së enjtes, përcjell KDPolitik.com raportimin e mediave kosovare.
Largimin e barrikadës në Merdare e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Në një komunikatë për media policia tha se “rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në ora 09:50 është liruar për qarkullim”.
Policia njoftoi “qytetarët dhe bashkatdhetarët se tani pikëkalimi kufitar Merdare, është liruar për qarkullim dhe i është kthyer normalitetit të plotë”.
Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë që ndodhet në vendin e ngjarjes.
Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ku ishte bllokuar rruga, thanë se ishin pjesërisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës.
Ata theksuan se po veprojnë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova.
Më 27 dhjetor, pika kufitare në Merdare u mbyll nga Policia e Kosovës pasi një grup serbësh në Serbi kanë bllokuar rrugën për në kufi.
Barrikadat në veri janë vendosur me 10 dhjetor si kundërshtim ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror në Mitrovicë të Veriut si dhe Zubin Potok.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në mëngjesin e hershëm të së enjtes është raportuar se në lokacionin e quajtur Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicën e Veriut, janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.
Sipas Policisë së Kosovës, përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar ndërsa rasti është duke u hetuar.
VUÇIQI KONTROLLON SITUATËN
Një ditë më parë, Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai.
Ai takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Pas takimit, Vuçiq lexoi konkluzionin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, lidhur me heqjen e barrikadave.
“Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”, thuhej në konkluzionin e lexuar nga Vuçiq.
“Ne nuk kemi besim te [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiq.
Vuçiq tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse është territor i Serbisë”.
I pyetur nga gazetarët për kthimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, Vuçiq u përgjigj se “heqja e barrikadave nuk ka të bëjë me këtë çështje”. “Kthimi në institucione kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 dhjetor u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, pasi zyrtarët serbë në veri të Kosovës, në nëntor u tërhoqën nga institucionet.
ÇFARË U DISKUTUA?
Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsion.
Vuçiq tha paraprakisht se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.
Ai po ashtu tha se Dejan Pantiq ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.
Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës vendosën që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Vuçiq tha se kërkesa e tyre e dytë ishte që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.
“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai.
Para nisjes së takimit, presidenti i Serbisë deklaroi se do të “pranoj çdo vendim” të serbëve nga Kosova lidhur nga barrikadat në veri.
Ai tha se pret që serbët “të vijnë me kërkesa për të dhe për Serbinë”, dhe shtoi se ata nuk i besojnë as Bashkimit Evropian dhe as SHBA-së, e më së paku kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi më herët se Vuçiqi u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.
Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët më 28 dhjetor, SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
Tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor.