E dini sa peshojnë lotët e të rinjve që i luten shtetit t’iu sigurojë një ilaç, që të mund të vazhdojnë të jetojnë?
Shkruan: Katerina Topallova
Cila është dëshira juaj për Vitin e Ri?
Me siguri të gjithëve diçka po na mungon, të gjithë jemi kërkojmë diçka, të gjithë kemi një qëllim që fshehtas e dëshirojmë nga Babadimri, nga kozmosi dhe nga jeta që të na përmbushet në vitin e ardhshëm. Por ka shumë të ngjarë që të gjitha letrat të përfundojnë me dëshirën për shëndet personal dhe të më dashurve.
Një sentence e njohur thotë se një person i shëndetshëm ka një mijë dëshira, ndërsa i sëmuri vetëm një – të shërohet!
Javën e kaluar, dhjetëra të rinj u mblodhën dhe ftuan mediat për t’u kërkuar me zë të lartë autoriteteve që t’u sigurojnë ilaçet e nevojshme për sëmundjen e tyre të rrallë në mënyrë që ata të jetojnë! Pacientët me fibrozë cistike kërkojnë terapi të rregullt dhe blerjen e ilaçit të ri, nga i cili varet jeta e tyre. Pacientët, përveç sëmundjes dhe pasojave të saj, duhet të luftojnë edhe me sistemin. Nga ministri kanë marrë vetëm një premtim se problemi do të diskutohet në qeveri.
Vajza që e dërgoi mesazhin qau para kamerave! Nuk ka gjë më të dhimbshme se sa një njeri të lutet për jetën e tij, të mos jetë në gjendje të bëjë asgjë dhe të presë që dikush të ketë mëshirë për të dhe të marrë ilaçin që do të thotë jetë për ta!
Rreth 130 persona jetojnë me këtë sëmundje në vend. Të gjithë janë kryesisht fëmijë dhe të rinj, sepse me përparimin e sëmundjes me kalimin e viteve, rritet edhe vdekshmëria. Ekziston një ilaç nga gjenerata e re e të ashtuquajturës terapi modulare, por është e shtrenjtë, ndaj shteti nuk e prokuron. Dhe kështu, ndërsa Europa dhe rajoni tashmë ofrojnë barna të tilla për qytetarët e tyre, në vendin tonë jepet kryesisht terapi më e vjetër që vetëm lehtëson simptomat, por nuk e kuron sëmundjen.
Për të qenë problemi akoma më i madh, pacientët thonë se edhe kjo terapi ka problem, ndaj shpeshherë duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të ndajnë dozën e tyre, me shpresën se autoritetet do t’i sigurojnë ndonjë ilaç.
Këta qytetarë paguajnë sigurime shëndetësore, këta qytetarë paguajnë taksa, këta qytetarë kanë lindur dhe kanë mbetur për të jetuar në këtë vend sepse është sa i tyre, aq edhe i imi, si dhe i çdo politikani që merr vendime se si të shpenzojë paratë e përbashkëta
Nuk mund të mbash konferenca shtypi dhe kokteje të shtrenjta për të prezantuar se si shteti do të ndërtojë një strategji për të rinjtë! Të gjithë politikanët nuk mund i nxjerrin nga goja të rinjtë kur flasin për planet e tyre, për të ardhmen, dhe në të njëjtën kohë t’u shkurtojnë jetën duke mos i siguruar ilaçet bazë pa të cilat nuk mund të jetojnë.
Rrënohet ai shtet që i lë të rinjtë të qajnë para kamerës!
Rrënohet ai shtet që u blen të rinjve një biletë për një drejtim!
Rrënohet ai shtet që i sheh të rinjtë si trup votues, por jo si partnerë për ndërtimin e së ardhmes, po dështon!
Rrënohet ai shtet që u pret flatrat fëmijëve që kanë mbetur të jetojnë në të!
S’ka falje për këta njerëz! S’ka gjueti shtrigash dhe drejtim gishti! Fajin e kanë të gjithë ata, si pushteti ashtu edhe opozita, që lejuan këdo të qajë e të lutet për jetën!
Kur mendoj se është e turpshme, më vjen në mendje se turpi ka kohë që nuk ekziston te njerëzit që vendosin të jenë një lloj udhëheqësish në vend! Një i ri nuk mund të lutet për jetën! Kjo assesi nuk duhet të ndodhë!