E premte, 19 Prill, 2024

VERIU FORCON BARRIKADIMIN

Në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës (Dudin krsh), konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia.

Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, tha Policia.

Ky lokacion gjendet në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Ndërkaq, barrikada te Shkëmbi i Dudës është vendosur në urën që lidh Mitrovicën e Veriut me rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë.

Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Të fundit