E hënë, 28 Prill, 2025

PSE-të PËR DOKUMENTIN E AKADEMISË SË KOSOVËS


Me gjithë respektin ndaj dokumentit të ASHAK-së “SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR”, më duket se publikimi i tij tani (ndonëse fillimisht u tha se është shkruar të thuash një vit më parë), sikur ai e stërpolitizon qëllimin për implikimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të partive të tyre politike, veçmas të BDI-së së Ali Ahmetit dhe të atij personalisht në debatin për politikën e (pa) shëndetshme të Prishtinës në ndërtimin e kursit për negociatat përfundimtare me Serbinë. Kujtoj se lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që në të gjitha ciklet zgjedhore parlamentare, nga viti 2002 nuk ka shënuar asnjë humbje deri tani ka ndjekur një politikë goxha të matur, pse jo dhe konstruktive, në raportet me partitë politike si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, duke kultivuar një qëndrim të mosimplikimit në zhvillimet e brendshme si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, ndërkohë që vëzhguesit ndërkombëtarë e veçojnë atë për politikë prej shtetari në vorbullën e ngjarjeve çfarë aktualisht e karakterizojnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe politikën shqiptare në veçanti.

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Fillimisht i botuar si Dokument e më pas u korrigjua dhe tash figuron si shkrim – analizë e kreut të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, qasja ka shkaktuar një ortek reagimesh, në Kosovë e Maqedoni të Veriut, po pse jo edhe gjithandej ku ka shqiptarë. Nuk munguan as distancomë të akademikëve kosovarë, por edhe kërkesa për dorëheqjen e z. Kraja. Në Maqedoni, siç edhe mund të pritej, iu bë jehonë sidomos pohimeve për implikimin e Ali Ahmetit dhe partisë së tij BDI në spekulimet për ndarjen e Kosovës, ndonëse ndërkohë emri i tij u hoq nga analiza që sot qëndron e publikuar në web-faqen e Akademisë së Kosovës. Kështu, Arjanit Hoxha, që është zëvendëskryetar i Lëvizjes Besa, në një status në faqen e tij zyrtare, në Facebook, duke iu referuar analizës autoriale të Krajës si përkatësisht “dokument” e “raport”, i bashkohet vlerësimit negativ për rolin e faktorit politik shqiptar në ekzekutivin e Maqedonisë së Veriut (lexo të BDI-së së Ali Ahmetit)

“Raporti i Akademisë së Shkencave të Kosovës në pjesën e komentimit të rolit të faktorit politik shqiptar (forcave politike që kanë përgjegjësi ekzekutive), është një sinjal shumë i fuqishëm për neglizhencën e faktorit politik shqiptar për të vepruar në interes të mbrojtjes, përmirësimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në rajon. Çështja shqiptare në rajonin e Ballkanit çdoherë është trajtuar në pako dhe lëshimi pe i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në proceset e ndryshimeve kushtetuese, jo vetëm që dëmton shqiptarët në vend por edhe dobëson pozitën e Kosovës dhe Luginës në raport me Serbinë.

Gjurmët e lëna në dokumentin e Akademisë së Shkencave të Kosovës për rolin e faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nuk do fshihen asnjëherë dhe ky realitet politik, ku kauza u zëvendësua me pushtetin, do ketë pasoja afatgjate në dëm të shqiptarëve ne vend dhe rajon,”- ka shkruar A. Hoxha.

Po, cilat janë “gjetjet e dokumentit” nga Prishtina që, sikurse e thamë, është pasuar me një mori reagimesh që shkojnë deri tek distancimi i anëtarëve të ASHAK-së dhe kërkesa për dorëheqjen e kreut të saj, akademik Mehmet Krajës?

“Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të konsiderohej si njëlloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktor relevant, as në politikat e brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë e Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev-Ahmeti-Rama dhe më pas Vuçiq, u pa qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonisë së Veriut në shërbyes të tij. Me afrimin e shpejtë dhe gati të papritur me Beogradin dhe më pas me Tiranën, qeveria aktuale e Shkupit mendon se mund të arrijë disa objektiva njëherësh: i) t’i bëjë shantazh BE-së me mundësinë e përafrimit më të madh me Serbinë dhe Rusinë; ii) ta forcojë diskursin e saj nacionalist, për të baraspeshuar me të djathtën, e cila e ka bazë kryesore qëndrimin e prerë antishqiptar; iii) të tërheqë në krahun e vet një pjesë të mirë të elektoratit pro-serb, i cili iu bashkëngjit të djathtës maqedonase për shkak të vijës së saj më të ashpër ndaj shqiptarëve; iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike, duke e identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e saj te faktori shqiptar i Maqedonisë së Veriut; dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova, që ushtrojnë ndikim te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar manipulimit fetar islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ish-Jugosllavisë. Në të gjitha këto pika, afrimi me Beogradin duhet të rivalizojë Bullgarinë, kurse afrimi me Tiranën duhet të margjinalizojë ndikimin e Kosovës. Kjo është traditë recidiviste e Shkupit që në kohën e ish-Jugosllavisë. Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën do të shkaktojnë pashmangshëm disa pasoja të rënda dhe do t’i sjellin dëme të mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe vetë shtetit maqedonas, siç është shtrirja më agresive e radikalizmit islamik, i pa baraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga ndikimi emancipues i Kosovës; radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili nuk do të ndihet mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme e faktorit politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te destabilizimi i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë lidhje shpirtërore, që nuk mundet të minimizohet, aq më pak të mënjanohet tërësisht”- vlerëson akademik Mehmet Kraja momentin aktual politik në Maqedoninë e Veriut dhe pozicionimin e faktorit politik shqiptar – në ekzekutivin e saj (lexo të BDI-së së Ali Ahmetit.

Pa modesti, më duhet të nënvizoj se: Shqiptarët në Maqedoni që nga konstituimi i saj si Republika Federative Popullore e Maqedonisë (fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ishte element konstituiv i tanimë ish-federatës jugosllave) e deri më sot, nuk kanë pasur ndarje më të mirë, në favor të tyre, të ndarjes së pushtetit. Madje, jam ndër ata që pohojnë se edhe kur është fjala për përfaqësimin, sado që kjo mund të jetë e debatueshme, zgjidhjet nuk janë për t’u nënçmuar! Kjo veçmas nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës (2017) e këtej. I debatueshëm, së këndejmi del konstatimi se faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut na qenka kthyer në “shërbyes” të ndonjë koalicioni antishqiptar. Pozicionimi i shqiptarëve dhe i klasës politike shqiptare në përgjithësi dhe i Ali Ahmetit, në veçanti, në Maqedoni, karshi çështjes së Kosovës, që nga fillet e pluralizmit, lufta e 1999-tës e deri tani, nuk është se “dobëson pozitën e Kosovës dhe Luginës në raport me Serbinë”. Përkundrazi: në kohën e ish-Jugosllavisë, në vitet nëntëdhjetë, dy partitë politike shqiptare – e Prosperitetit Demokratik (PPD) dhe Partia Demokratike Popullore (PDP) ishin anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, ndërkohë që Ali Ahmeti është ndër themeluesit e UÇK-së; aktualisht ka qenë Bujar Osmani, në cilësinë e shefit të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, ai që ka artikuluar qëndrimin e Qeverisë, por edhe të BDI-së duke rithënë disa herë se janë avokat dhe “gardian” i mbrojtjes së interesave të Kosovës (edhe në nismën e debatueshme rajonale “Ballkani i Hapur”) duke afirmuar njëherësh qëndrimin se për Shkupin zyrtar do të jetë e pranueshme çfarëdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe, në këtë rrafsh, realisht shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë bërë faktor me relevancë si në politikat e brendshme, ashtu dhe atë të jashtme të vendit.

Me gjithë respektin ndaj dokumentit të ASHAK-së “SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR”, më duket se publikimi i tij tani (ndonëse është shkruar të thuash një vit më parë), sikur ai e stërpolitizon qëllimin për implikimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të partive të tyre politike, veçmas të BDI-së së Ali Ahmetit dhe të atij personalisht në debatin për politikën e (pa) shëndetshme të Prishtinës në ndërtimin e kursit për negociatat përfundimtare me Serbinë. Kujtoj se lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që në të gjitha ciklet zgjedhore parlamentare, nga viti 2002 nuk ka shënuar asnjë humbje deri tani ka ndjekur një politikë goxha të matur, pse jo dhe konstruktive, në raportet me partitë politike si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, duke kultivuar një qëndrim të mosimplikimit në zhvillimet e brendshme si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, ndërkohë që vëzhguesit ndërkombëtarë e veçojnë atë për politikë prej shtetari në vorbullën e ngjarjeve çfarë aktualisht e karakterizojnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe politikën shqiptare në veçanti. Së këndejmi, pohimet e renditura për arritjen e njëhershme të “disa objektivave” (nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut) duket se lëngojnë nga mungesa e argumenteve dhe provave. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja: Përse pikërisht tani dhe cili ishte qëllimi?

Të fundit