Krijuesi dhe profesori universitar, Salajdin Salihu ka theksuar se monografia dhe krijimtaria e Nevzat Bejtuli-Kica i takon artit elitar, ndërsa teksti i monografisë është një lloj palimpsesti. “Sa i takon tekstit të kësaj monografie mund të them se është një lloj palimpsesti që nënkupton tekstin e fshirë në papirus mbi të cilin është shënuar tekst tjetër, por në thellësi ruhen gjurmët e një teksti apo vizatimi paraprak”, ka theksuar Salihu. Ndërsa drejtor i Galerisë së Arteve, Ilir Kurtishi tha se kjo monografi është një vepër e rëndësishme për artdashësit që në mënyrë koncize dhe gjithëpërfshirëse vë në spikamë tërë opusin krijues të vetë piktorit Nevzat Bejtuli Kica.
Shkruan: Enis Shaqiri
Në Galerinë e Arteve në Tetovë është promovuar monografia e piktorit dhe profesorit universitar Nevzat Bejtuli – Kica.
Fjalë rastit mbi monografinë e piktorit Nevzat Bejtuli – Kica kanë mbajtur krijuesi dhe profesori universitar Salajdin Salihu si dhe drejtor i Galerisë së Arteve në Tetovë, Ilir Kurtishi.
Autori i tekstit të monografisë, profesor Salajdin Salihu tha se krijimtaria e Nevzat Bejtuli -Kicës është në dimensionet e artit elitar.
“Sa i takon tekstit të kësaj monografie mund të them se është një lloj palimpsesti që nënkupton tekstin e fshirë në papirus mbi të cilin është shënuar tekst tjetër, por në thellësi ruhen gjurmët e një teksti apo vizatimi paraprak. Për mendimin tim, monografia dhe krijimtaria e autorit Nevzat Bejtuli – Kica është në dimensionin e artit elitar dhe ka disa faza krijuese, me dy cikle, ku e para edhe është veçuar me veprën Njeriu dhe Kali, që është edhe një dyshe e pandashme që tregon lidhjen simbolike. Në pikturat e Kicës, kali, shumë herë është shfrytëzuar si motiv në artet pamore, ku ka simbolizuar bukurinë, fuqinë, shpejtësinë, delikatesën. Po ashtu kali paraqitet si specie e bukur, me trup të përsosur. Ndryshe nga shumë piktorë të tjerë, që kanë qenë të obsesionuar vetëm pas pikturimit të kalit, Kica e paraqet artistikisht lidhjen e njeriut me kalin. Kali është ndihmës i njeriut në kohë paqe dhe lufte, në kohë të trazuara e të qeta, ndërsa të dytat janë legjendat që vetë Kica shpeshherë i risemantizon legjendat apo mitet që i merr për t`i përpunuar, dhe kur i shikojmë pikturat e Kicës, ne në njëfarë mënyre i lexojmë edhe rrëfimet e autorit”, tha Salajdin Salihu.
Salihu tha se në artin e Kicës ka lojë krijuese e realizuar nëpërmjet ngjyrave, vijave, hijeve, dritës. Sipas tij, Kica gjatë kohë ka qenë i obsesionuar pas pikturimit të kuajve.
Ndërsa Ilir Kurtishi, Drejtor i Galerisë së Arteve, vlerësimin mbi monografinë e Nevzat Bejtuli – Kicës e shtjelloi përmes krijimtarisë artistike duke shtuar se kjo monografi është një vepër e rëndësishme për artdashësit ndërsa qëllimi i monografisë siç tha ai ishte që në mënyrë koncize dhe gjithëpërfshirëse ta vë në spikamë tërë opusin krijues të vetë piktorit Nevzat Bejtuli Kica, gjë që do iu shërbejë edhe gjeneratave të reja.
“Vetë botimi i monografisë së Nevzat Bejtuli – Kicës dëshmon për përkushtimin e galerisë si dhe në kultivimin e vlerave kulturore artistike. Si ekspozitë përmbyllëse dhe madhështore të vitit 2022, Galeria e Arteve Tetovë e pa të arsyeshme rikuperimin, rimbledhjen e veprave dhe jetëshkrimin e profesorit ordinar Nevzat Bejtuli Kica.. Pra ky promovim ka kuptimin simbolik dhe cilësor, jo vetëm në RMV por edhe me gjerë” , tha Ilir Kurtishi.
Të pranishmit në këtë manifestim, ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup.
Veprat e autorit Nevzat Bejtuli Kica do të ekspozohen më datë 28.12.2022 (e mërkurë) në ora 19.00 në Galerinë e Arteve Tetovë.
Jetëshkrimi dhe opusi krijues
Nevzat Bejtuli – Kica ka lindur në vitin 1962 në fshatin Gjurgjevisht të Gostivarit. Aty e ka filluar shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme, e ka kryer në Visoko të Bosnjë e Hercegovinës.
Akademinë e Arteve të Bukura e ka kryer në Shkup, në vitin 1993, kurse studimet pasuniversitare në Prishtinë, në klasën e Rexhep Ferrit, në vitin 2002. Nga themelimi i Universitetit të Tetovës është angazhuar si pedagog. Në Fakultetin e Arteve e ligjëron lëndën Nudo, Kërkimi dhe studimi i trupit të njeriut në art figurativ. Ka thirrjen më të lartë akademike – profesor ordinar.
Nevzat Bejtuli – Kica ka hapur ekspozita personale edhe jashtë vendit, në SHBA, Paris, Itali, Austri, Bosnjë etj.
Për krijimtarinë artistike të tij kanë shkruar shumë autorë.
Kica është nderuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Çmimet:
- 2006 – Çmimi Petar Mazev, Shkup
- 2011 – Çmimi i vendit të dytë për skulpturë “Nexhat Agolli”, Shkup
- 2011 – Blerja e akuarelit, Komuna Karpos, Shkup
- 2013 – Artisti i vitit i Osten, ekspozita e 42-të e Vizatimit, Shkup
- 2015 – Arritja e vitit “Milingona e Artë” Shkup
- 2015 – Osten i Artë i vitit, Bienalja e Vizatimit Osten, Shkup
- 2015 – Vendi i dytë për konkursin Mozaik për sheshin e Shkupit
- 2018 – Çmimi i Osten për Legacy, Shkup
Udhëtime studimore:
- 2000- Boston, SHBA, Klubi Mobius (Tetor)
- 2004 – Paris, Francë, Cite Internationale des Arts (Mars derinëPrill)
Kritikat:
- 2003 – Salajdin Salihu “Në atelien ë e Kicës”
- 2006 – Mixhait Pollozhani – Përmbledhje e konceptit “Njeriudhe kali”
- 2007 – Jovan Damjanovski “Ese mbi kalin frymëzues në pikturën e Kica”
- 2008 – Lazo Plavevski “Marrëdhëniet dhe variacionet”
- 2012 – Emil Aleksiev “Kalorës nga Reka”
- 2013 – Mixhait Pollozhani “Kalorësi blu i ekspresionizmit shqiptar”