E premte, 17 Maj, 2024

A DO KETË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME MË 2023?

A do të detyrohet qeveria ta pranojë ofertën e opozitës – votim të ndryshimeve kushtetuese pasi të shpallen zgjedhjet e parakohshme?

Shkruan: Xhelal Neziri 

Lëvizja BESA këto ditë doli me një propozim të ri për kompromis me qeverinë: do të përkrahin ndryshimet kushtetuese për të përfshirë bullgarët etnikë në preambulë, si pjesë e obligimeve të Propozimit Francez, me kusht që paraprakisht të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Nuk dihet nëse VMRO-DPMNE do të rreshtohet pas një propozimi të këtillë, por duke marrë parasysh presionin për të mos bllokuar këto ndryshime, mund ta shohë si një kompromis të mirë me qeverinë.

Në bazë të marrëveshjes Shkup-Sofje të arritur këtë vit në formë të një Propozimi Francez, Maqedonia e Veriut nisi negociatat e shumëpritura me kusht që deri në mbarimin e procesit të skriningut të bëhen ndryshimet kushtetuese. Për këtë qeveria nuk i ka numrat dhe i duhen diku 4 deputetë për të arritur dy të tretat e votave në Parlament. VMRO-DPMNE ka kohë që kërkon zgjedhje të parakohshme pasi anketat e projektojnë si parti e parë te maqedonasit, larg nga LSDM-ja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nga viti 2006 vendi nuk ka pasur zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet e para pa mbaruar mandatin u shpallën në vitin 2008, pastaj sërish në 2011, 2014, 2016 dhe në fund në 2020. Ky cikël i zgjedhjeve të shpeshta, të jashtëzakonshme, është një tregues për krizën e vazhdueshme politike në Maqedoninë e Veriut, e cila zgjat tash e 14 vite. Nisi me veton Greke për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e përdorur në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, e vazhdoi me veton Franceze në Samitin e Këshillit të BE-së më 2019, që pamundësoi vendin të fillojë bisedimet anëtarësuese me Brukselin dhe po mbyllet me veton bullgare për gjuhën dhe historinë maqedonase.

A do të detyrohet qeveria ta pranojë ofertën e opozitës – votim të ndryshimeve kushtetuese pasi të shpallen zgjedhjet e parakohshme?

Gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e procesit të skriningut. Ky proces, i filluar në korrik të këtij viti, nënkupton analizë të detajuar për secilën fushë të politikës (kapitull), për të përcaktuar se sa mirë është përgatitur vendi. Ky ekzaminim tashmë po zbatohet nga ana e Komisionit Evropian bashkë me Qeverinë e Shkupit. Rezultatet e skriningut sipas kapitujve do t’u paraqiten shteteve anëtare të BE-së në formën e një raporti. Raporti në fund rekomandon ose hapjen e negociatave ose përmbushjen e disa kushteve apo benchmarkeve. Ky proces zakonisht zgjat nga gjashtë muaj deri në dy vite. Serbia nisi procesin e skriningut më 21 janar të vitit 2014 dhe përfundoi në 14 dhjetor të cito 2015, kur edhe i ka hapur dy kapitujt e parë. Mali i Zi, ndërkohë, i fillon negociatat pas gjashtë muajsh skrining në vitin 2012.

Nëse procesi i skriningut për Maqedoninë e Veriut përfundon në shtator apo tetor të vitit 2023, atëherë ndryshimet kushtetuese do të imponohen si kusht për të vazhduar më tej me hapjen e kapitujve të parë. Nëse qeveria nuk do të gjejë mënyrë për të siguruar dy të tretat e votave, atëherë vendi do të thellohej në një krizë të re politike pasi do të aktivizohej vetoja bullgare që do të pamundësonte vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE. Megjithatë, në këtë periudhë zgjedhjet e parakohshme do të ishin të pakuptimta pasi do të mbaheshin disa muaj para zgjedhjeve të rregullta presidenciale, të parapara për në prill të vitit 2024. Bashkë me këto zgjedhje pritet të mbahen edhe ato të rregullta parlamentare. Qeveria e ekspertëve apo e gjerë mund të jetë një tjetër zgjidhje për qeverisjen e vendit deri në zgjedhjet e rregullta.

Sidoqoftë, viti 2023 do të jetë një vit i përmbushur me paqartësi dhe mungesë të stabilitetit politik. Koalicionet dhe rigrupimet ka kohë që kanë filluar, gjithmonë duke u udhëhequr nga disponimi i qytetarëve, i matur në anketa. Më në fund vendi mund të ketë dy blloqe ideologjike, të formësuara si koalicione parazgjedhore, të cilat do të garojnë për të marrë apo vazhduar me qeverisjen.

Të fundit