E diel, 27 Prill, 2025

REJTINGU I ISH KRYEMINISTRIT NIKOLLA GRUEVSKI, BEFASUES DHE PARADOKSAL

Sipas anketës më të fundit të IRI-it, ish kryeministri në arrati Nikolla Gruveski ka rejting më të madh prej 7 përqind mes liderëve politik në Maqedoninë e Veriut. Profesori universitar, Selam Isejni, thotë se fakti që për ironi gjendet emri i Nikolla Gruevskit si “lider më i preferuar” vërteton paradoksalisht disponimin që po pasqyrohet në tërësi. Ndërsa për analistin politik Qenan Aliun, mbetet indikative përqindja e rejtingut të ish-kryeministrit në azil Nikolla Gruevski. Analistët theksojnë se në bllokun politik shqiptar rezultatet mbeten konstante, ndërkohë që theksojnë se nuk duhet anashkaluar numri i madh i të papërcaktuarve që tejkalon përqindjen e të gjithë përcaktimeve tjera. Ata gjithashtu shohin një rritje tek partia “E Majta”

 Shkruan: Enis Shaqiri

 Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) ka publikuar anketën e fundit për rejtingun e partive politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe për besueshmërinë tek krerët politik. Anketë kjo e realizuar gjatë muajit tetor.

Në pyetjen nëse “Zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin nesër”, 19 % e elektoratit do të votonin për VMRO-DPMNE-në, 11% do të votonin për LSDM-në, ndërsa për të Majtën “LEVICA” 6%.

Tek blloku shqiptar, për Bashkimin Demokratik për Integrim  do të votonin  7% të votave të përgjithshme, pas saj, renditen Aleanca për Shqiptarët me 5% , Lëvizja Besa me 4%, dhe Alternativa me 1%.

Sa u përket liderëve politik, në listë kryeson ish kryeministri Nikolla Gruevski me 7% si lideri më i përzgjedhur, i cili aktualisht gjendet në Hungari si azilant politik, pas Gruevskit, me 6% vijonë lideri nga radhët e VMRO-PDMNE-së Hristijan Mickoski, duke u ndjekur nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski me 5%, si dhe Dimitar Apasiev me 4%.

Ndërsa tek blloku shqiptar i pari renditet Ali Ahmeti me 6%  ai që kryeson listën e besueshmërisë së liderëve, duke u ndjekur nga Bilall Kasami me 3% si dhe Ziadin Sela me 2%.

Profesori Universitar, Selam Isejni në një prononcim për KDP thekson se rezultatet e anketës të publikuar ditë më parë, pasqyrojnë një realitet të disponimit në elektorat, pavarësisht nëse analizohen në tërësi apo veçmas për segmente të ndryshëm.

Kjo mund të thuhet edhe për besueshmërinë e lidershipit të partive politike, apo partive si subjekte. Gjë që, nëse eventualisht do të bënim interpretim subjektiv, dikush edhe mund t’i merrte si situatë e favorshme për arsye të ndryshme, por ama një fakt që po neglizhohet, apo nuk theksohet sa duhet, është fakti që numri i atyre që “nuk do të votoni” apo “janë të papërcaktuar”  tejkalon përqindjen e të gjithë përcaktimeve tjera. Sidoqoftë, edhe ky fakt është relevant, për shkak se ashtu, mbi bazën e këtyre të dhënave, mund të ndërtohen veprime dhe politika që secili subjekt, natyrshëm do t’i pretendojë që t’i konvertojë në rezultat të favorshëm për ata”, thotë Isejni

Ndërsa në lidhje me besueshmërinë dhe përkrahjen e liderëve politik,  Isejni thotë se “fakti që për ironi gjendet emri i Nikolla Gruevskit si ‘lider më i preferuar’ në preferencat, mund  të themi që kjo në fakt e vërteton paradoksalisht disponimin që po pasqyrohet në tërësi.”

Nga ana tjetër analisti politik Qenan Aliu thotë për KDP se indikative në anketën e fundit është përqindja e rejtingut të lartë të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, duke nënvizuar këtu se Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) është një ndër profilet me besueshmëri të lartë sa u përket anketave,

Instituti Ndërkombëtar Republikan-IRI padyshim është një ndër profilet me besueshmëri të lartë lidhur me anketa. Por është botërisht e njohur se është institut me profil amerikan. Anketat parimisht janë për të matur rejtingjet, por shpesh nga shumë sosh në RMV këta i bëjnë për të krijuar rejtingje. Kjo nuk ka të bëjë me IRI-n, por me shumë të tjerë që bëjnë anketa me porosi për interesa komerciale. Ajo që duket indikative në anketën e fundit ka të bëjë me përqindjen e rejtingut të ish-kryeministrit në azil Nikolla Gruevski. Dhe për këtë moment a fshihet ndonjë taktizim i madh politik apo vërtetë qytetarët e anketuar në Maqedoninë e Veriut mendojnë ashtu, por që mbetet për t’u pare”, thotë Aliu

Aliu mes tjerash thotë se blloku shqiptar momentalisht po qëndron konstantë, pa ndonjë ndryshim të madh, ndërsa zgjedhjet sipas tij janë anketa më reale, pasi që në këtë vend, siç thotë ai, gjërat ndryshojnë për pak muaj.

Pra madje shihet se diskursi i të Majtës së Apasievit sikur po kryn punë. Ky subjekt po shkon në ngritje, favorite po del VMRO-DPMNE më pas LSDM. Ndërkaq trendi tek partitë politike të shqiptarëve me pak plus e minus duket në konstantë. Por prapëseprapë zgjedhjet janë anketa më reale, sepse në këtë vend gjërat ndryshojnë për pak muaj dhe kurrë si dihet se çka sjell e nesërmja. Ndaj mendimin se kjo anketë ka për qëllim të shpërfaq impakt reflektues për zhvillimet që duhet të ndodhin tani në janar shkurt lidhur me amendamentet e kushtetutës, ” thotë për KDPolitik, Qenan Aliu.

Krahas besueshmërisë së subjekteve politike si dhe liderëve, rezultate të ulëta numërohen edhe mbi institucionet në vend.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, thotë se rezultatet alarmante janë sfiduese.

Rezultatet e asaj ankete duhet të paraqesin sfidë edhe për personat që kap anketa megjithatë edhe për institucionet. Rënia e besimit ndaj një partie politike është problem i partisë politike por rënia e besimit ose besimi i ulët në institucione të caktuara është diçka shumë alarmante për të gjithë ne. Prandaj thash se paraqesin sfidë”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Anketa e fundit e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) gjithashtu tregoi se vetëm 4% e qytetarëve kanë besim te Gjyqësori, kurse Prokurorisë Publike i besojnë vetëm 3%. I ulët gjithashtu është besimi edhe në institucionet arsimore, me 11%, ndërsa 10 %  e qytetarëve kanë besim në institucionet shëndetësore shtetërore si dhe policinë.

Ndërkaq, edhe pse 58 %  e qytetarëve mendojnë se shteti po shkon në drejtim të gabuar, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, është i bindur se qeveria aktuale është në rrugën e duhur.

Jam i bindur se të gjitha këto politika qytetarët i njohin dhe do t’i njohin edhe më tej sepse bëhet fjalë për politika jashtëzakonisht të rëndësishme në një kohë jashtëzakonisht të vështirë dhe që udhëhiqen në mënyrë jashtëzakonisht transparente”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Të fundit