“Pikërisht tani, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës do të demonstrojë mbështetje dhe solidaritet për Ukrainën në luftën për integritet territorial dhe sovranitet”,- thuhet në peticionin e deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko, që qysh më 13 dhjetor është publikuar në faqen zyrtare të Presidentit të Ukrainës. Volodymyr Zelensky, president.gov.ua.
Njohja e Kosovës, thuhet më tej ai, do të tregojë se Ukraina, së bashku me botën demokratike, mbështet drejtësinë dhe qëndron në anën e së vërtetës.
Goncharenko thekson se rezoluta e tij, të cilën e ka paraqitur në parlamentin ukrainas disa muaj më parë, në të cilën kërkon njohjen e Kosovës, është ende në pritje që të shqyrtohet.
Prandaj me këtë peticion, së bashku me publikun, thotë ai, kërkohet nga presidenti i Ukrainës që përfundimisht të marrë vendimin për Kosovën,-transmeton kdpolitik.com.
“Në sfondin e përkeqësimit të situatës në Kosovë dhe politikës agresive të Serbisë kundër Kosovës, propozoj që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shqyrtojë njohjen e sovranitetit shtetëror dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës”- thotë Goncharenko duke rikujtuar se aktualisht pavarësia e Kosovës është njohur nga gjysma e vendeve anëtare të OKB-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, si dhe shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s.
Ai shton se që në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka pranuar se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk cënon kurfarë rezolutash dhe akte ndërkombëtare.
“Rusia nuk e njeh Kosovën dhe e konsideron atë tokë serbe. Në të njëjtën kohë, propagandistët e Kremlinit thonë se është e domosdoshme që në Ballkan të organizohet i njëjti rend siç bëri Putini më 24 shkurt në Ukrainë. Ndërsa përfaqësuesit e partisë së presidentit serb Aleksandar Vuçiq kanë folur për “denazifikimin e Ballkanit”. Rusia, së bashku me Serbinë, po përpiqet të inicojë një luftë, duke i justifikuar veprimet e saj me çështjen kombëtare,”- ka thënë Goncharenko.
Deri më sot (19 dhjetor), janë mbledhur më shumë se 4.300 vota të ukrainasve kurse për çdo firmë online është i domosdoshëm identifikimi personal. Afati për mbledhjen e 25 mijë nënshkrimeve të nevojshme për kalimin e peticionit skadon për 84 ditë.