E premte, 25 Prill, 2025

INTERVISTË, XHEMAL ABDIU: MBARËVAJTJA DHE REZULTATI I REFERENDUMIT DO TË VARET NGA GJITHË NE

Para disa ditësh pas një debati publik Lëvizja “Anti Bixhoz” ka iniciuar mbajtjen e referendumit në Tetovë për t’i larguar objektet e lojërave të fatit jashtë vendbanimeve. Në një intervistë për KDP, kryetari i Lëvizjes “Anti Bixhoz” Xhemal Abdiu, flet për ecurinë e kësaj iniciative dhe për format e realizimit. Abdiu thotë se sipas ligjit për qeverisje lokale nevojiten 20% e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i trupit  votues të komunës përkatëse. “Mendojmë që ky numër nuk është problem të realizohet pasi në Lëvizje edhe pa mos e njohur mirë ligjin ishim te gatshëm të mbledhim edhe numër më të madh të nënshkrimesh në interes të qytetarit”, thotë ai. Abdiu thekson se Lëvizja “Anti Bixhoz” është propozues i referendumit. “Nga ana tjetër këshilltarët komunal i kanë ato nënshkrime dhe janë të obliguar të mbrojnë qytetin nga çdo e keqe që e dëmton pasi ata janë zgjedhur me votën e popullit. Ata vetëm duhet ta miratojnë dhe dërgojnë deri te KSHZ. Në rastin e kundërt nëse nuk votojnë PRO, atëherë ne do të duhet t’i grumbullojmë ato nënshkrime dhe të obligojmë përsëri këshillin komunal. Mendojmë se nuk do të hasim në kundërshti”, thotë ai në intervistën për KDP.

Intervistoi: Gentuar Ismaili

KDP: Keni paralajmëruar referendum për t’i larguar objektet e lojërave të fatit nga objektet e banueshme. Si lindi ideja e referendumit?

Xhemal Abdiu: Me datë 14. 12. 2022 në sallën e komunës së Tetovës me iniciativë të Lëvizjes Anti Bixhoz u mbajt debat publik në prani të mysafirëve nga profile të ndryshme: kryetarit të komunës së Tetovës, përfaqësues nga komunitetet fetare, përkrahës e bashkëpunëtorë nga qytetet e tjera me moton “Ngrite zërin, parandalo pasojat”.

Sfida e radhës ishte mbrojtja e mjedisit ku jetojmë e veprojmë dhe mbrojtja e sovranit nga çdo e keqe që e dëmton, duke e shfrytëzuar të drejtën e vetëqeverisjes lokale dhe kompetencat e tyre për referendumin gjithëpopollor.

Me këtë rast profesori universitar edhe ekspertë të lëmive të ndryshme biseduan  dhe debatuan rreth rregullsisë dhe mënyrës së organizimit të kësaj beteje për mbrojtjen e qytetarit.

KDP: Sipas ligjeve në fuqi për të iniciuar referendum, ju duhet rreth 20% e popullsisë në atë komunë. Si do të arrini të grumbulloni këto nënshkrime?

Xhemal Abdiu: Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale nevojiten 20% e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm të trupit  votues të komunës përkatëse.

Mendojmë që ky numër nuk është problem të realizohet pasi në lëvizje edhe pa mos e njohur mirë ligjin ishim te gatshëm të  mbledhim edhe numër më të madh të nëshkrimesh në interes të qytetarit.

Në realitet situata e realizimit të referendumit në këtë rast qëndron  ndryshe dhe besoj se do të mundem të qartësoj.

Në fakt ne, Lëvizja Anti Bixhoz jemi propozues të referendumit. Nga ana tjetër këshilltarët komunal i kanë ato nënshkrime dhe janë të obliguar të mbrojnë qytetin nga çdo e keqe që e dëmton pasi ata janë zgjedhur me votën e popullit.

Ata vetëm duhet ta miratojnë dhe dërgojnë deri te KSHZ. Në rastin e kundërt nëse nuk votojnë PRO, atëherë ne do të duhet t’i grumbullojmë ato nënshkrime dhe të obligojmë përsëri këshillin komunal.

Mendojmë se nuk do të hasim në kundërshtim, për momentin në të cilin gjendemi, pastaj shohim e bëjmë.

KDP: Kur planifikoni ta dërgoni iniciativën në KSHZ dhe a keni resurse të mjaftueshme për ta realizuar këtë iniciativë?

Xhemal Abdiu: Mendojmë që nga java e ardhshme të fillojmë. Kemi të caktuar ditën për takim, me profesorët universitarë, të cilët ditën e debatit e elaboruan ligjin. Do të nxirren konkluzione të dala nga po ai debat dhe do t’ia dorëzojmë këshillit komunal, pastaj ata do të duhet ta vazhdojnë çështjen.

Në fakt nuk kemi pse të presim kohë të përshtatshme, por të fillojmë menjëherë të veprojmë. Na presin punë.

KDP: Cila do të jetë pyetja e referendumit dhe a do të ketë ndonjë fushatë për promovimin e referendumit?

Xhemal Abdiu: Për sa i përket pyetjes e cila do të parashtrohet në fletën e referendumit, mendojmë të mos e ngarkojmë vetën dhe të tjerët.

Realisht bëhet fjalë për objekte ku ushtrohen vese të këqija dhe fitimi nga ata është rruga e drejtpërdrejtë më abuzive, e cila fillimin dhe fundin e ka me kriminalitet.

Me rëndësi jetike është të dërgojmë mesazh të qartë “JEMI APO NUK JEMI” për organizimin e lojërave të tilla! Do të mbrojmë familjet tona apo do t’ i lëmë në mëshirën e të tjerëve!

KDP: Cila është komuna e parë që planifikoni ta realizoni këtë iniciativë dhe a do të ketë iniciativë të ngjashme edhe në komunat tjera dhe si do të realizohet?

Xhemal Abdiu: Besoj se do të kuptohem drejtë.

Tetova është qyteti ku u mbajt debati, është baza ku filluam, vendi ku llogarisim se e kemi mbështetjen e fuqishme dhe qyteti ku mund të fillojmë tash e menjëherë. Andaj mendojmë në Tetovë, Pollog. Çdoherë kemi potencuar se ne veprojmë në nivel nacional edhe ashtu do të ngelë. Shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë duke pasur parasysh se realizimi i këtij projekti kërkon të sakrifikojë secili nga ne dhe nga të mirë pasiv të kalohet në të mirë aktiv. Mos të harrojmë mbarëvajtja dhe rezultati i referendumit do të varet nga gjithë ne.

 

KDP: A mendoni se nëse ka referendum mbarë popullor ajo do t’i vetëdijësojë funksionarët shtetëror, anëtarët e Qeverisë, deputetët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare, që t’i ndalojnë lojërat e fatit?

Xhemal Abdiu: Nëse do të mendonim kështu, ne si Lëvizje Antibixhoz duhej të dorëzoheshim që moti. Vet fakti që erdhëm në situatë të mbajmë referendum tregon se diçka nuk funksionon, janë po të njëjtit funksionarë të cilët aludojnë vetëm tek përfitimi, pa mos llogaritur dëmet që shkakton bixhozi. E jona është që të insistojmë, të mos dorëzohemi para tyre dhe t`ju bëjmë me dije se ne si popull nuk e llogarisim jetë kumar. Jemi të mendimit se do të vij koha të dalim nga ky rreth vicioz dhe nga kjo vrimë e zezë në të cilën na solli vendimmarrja jonë, individët të cilët i zgjodhëm vet.

KDP: Rezultatet e referendumit, a do t’i përdorni si mjet juridik, nëse është nevoja të shkohet në ndonjë instancë gjyqësore?

Xhemal Abdiu: Mendojmë që po, nëse shkon sipas planit që e kemi paraparë në bashkëpunim me ekspertët juridikë do të bëjmë çmos që nënshkrimet e deponuara të popullatës të mos shkojnë kot dhe do të përdorim çdo mekanizëm që e kemi në dispozicion. Mendojmë se rezultati nuk do të mungojë.

KDP: A do të keni takime veç e veç me institucionet lokale nëpër komunat e Maqedonisë së veriut, me qëllim që referendumi të shtrihet në nivel nacioanl?

Xhemal Abdiu: Paraprakisht ne do të veprojmë në mënyrën e njëjtë sikur në Tetovë. Do të takohemi me krerët partiak, do të marrim përkrahjen e tyre pastaj do të vijoj referendumi. Filluam nga dita e djeshme dhe i bëmë thirrje publike kryetarit të komunës së Gostivarit për takim me Lëvizjen Antibixhoz, duke i bërë me dije se komuna e ardhshme do të jenë ata.

KDP: Cila është porosia juaj ndaj të gjitha institucioneve qendrore në vend sa i përket problematikës që ju trajtoni si organizatë?

Xhemal Abdiu: Jo që nuk do të flasim ne, por tash e tutje do i japim më tepër hapësire, veprimi i qytetarit që të tregojë vetveten, që të mos thotë “se un do kisha vepruar ndryshe“ apo “rëndë” është, nuk arrihet gjë“. T`iu themi vendimmarrësve mjaft e nënçmuat inteligjencën tonë, mjaf menduat se jeni të paprekshëm, të mos harrojnë nga erdhën e t`iu themi mjaft luajtët kumar me ne për interesin tuaj.

Padyshim se janë mundësitë që të dështojmë në një moment në jetën tonë, mirëpo nëse nuk dështojmë, tregon se nuk po përpiqemi.

Të fundit