E premte, 12 Korrik, 2024

MINISTRI SERB I MBROJTJES PËR SITUATËN NË VERI TË KOSOVËS: MJAFTON NJË FIJE SHKREPSE

Ministri serb i Mbrojtjes Milosh Vuçeviq ka deklaruar se situata në Kosovë “është ende shumë e tensionuar” dhe se “mjafton një fije shkrepse që gjkithçka të kallet”. Sikurse përcjell kdpolitik.com, ai ka thënë për të përditshmen pro-qeveritare “Kurir” se “ashiqare po zhvillohet një luftë tepër perfide për t’u bërë me dije serbëve se nuk janë të mirëpritur në Kosovë e Metohi dhe që në heshtje të kryhet edhe një tjetër eksod” ka thënë Vuçeviq duke rikonfirmuar se Serbia do të “mbetet e vendosur dhe këmbëngulëse” në kërkesën e saj që në Kosovë të kthehet një pjesë e policëve dhe ushtarëve në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Situata është ende shumë e tensionuar dhe e kam thënë se mjafton një fije shkrepse që gjithçka të ndizet. Në veri të Kosovës dhe Metohisë ka tensione të mëdha dhe populli me të drejtë është shumë i shqetësuar, sepse loja e nervave dhe loja me pasigurinë e jetës dhe të mbijetesës ka vite që po vazhdon për shkak të sulmeve dhe provokimeve gjithnjë e më perfide nga ana e të ashtuquajturave autoritete të Kosovës. Kjo është një periudhë tepër e vështirë për popullin tonë dhe për shtetin tonë. Iu jemi të ekspozuar  presioneve të mëdha nga të gjitha anët. Ashiqare po zhvillohet një luftë tejet perfide për t’u bërë të ditur serbëve se nuk janë të dëshiruar në KeM dhe që në heshtje të kryhet edhe një tjetër eksod”, – ka deklaruar ministri serb i Mbrojtjes duke e arsyetuar kërkesën për dërgimin e  “njëqind deri në një mijë forcave serbe të sigurisë” si mënyrë “për t’i kontribuar paqes, uljes së tensioneve dhe mundësisë për gjetjen e zgjidhjeve kompromise”, – transmeton kdpolitik.com.

Ndërkaq, i pyetur se “çfarë zgjidhje përfundimtare për Kosovën dëshironi e cilës i frikësoheni”, Vuçeviq thotë:

“Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe dialogut, dhe do të vazhdojë të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe për të kërkuar një marrëveshje politike, për të shmangur çdo përshkallëzim të mundshëm të konfliktit. Ju e dini se për çdo marrëveshje nevojitet vullneti i të dyja palëve. Do të bëjmë çmos që të jemi të mençur, të përgjegjshëm, të mos biem pre e provokimeve  dhe të shmangim çdo konflikt të mundshëm. Kjo nuk do të thotë tutemi, por thjesht kërkojmë që zgjidhja të gjendet  përmes dialogut politik për të ndalur këtë terror ndaj serbëve, i cili po zgjat shumë dhe që ka për qëllim krijimin e atmosferës në të cilën është e pamundur mbijetesa e serbëve në KeM”./KDP/

Të fundit