Duket se partitë politike dhe eksponentët e tyre në pushtetin qendror e atë vendor, këtë fundvit janë më shumë të preokupuar-a me sondazhet që po dalin e do të dalin sesa me përgatitjet për pritjen e vitit të ri. Me të drejtë: Kriza ekonomike-energjetike, kriza sociale, nuk është se nuk po ndjehet gjithandej kontinentit e botës dhe për pasojë edhe ndër ne. Ama afrimi i zgjedhjeve duket se po rrit adrenalinën politike.
Shkruan: SELADIN XHEZAIRI
Presidenti i 32 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokrati Franklin Delano Roosevelt, është i vetmi shef i Shtëpisë së Bardhë që plotë katër mandate rresh ngadhënjeu në zgjedhjet e atjeshme presidenciale, në një kohë të turbullt si për vendin dhe kontinentin e tij, ashtu edhe për mbarë botën për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte Ai që SHBA-të i rreshtoi përkrah Aleatëve. Roosevelti u gjet në pushtet në kohën e kizës së rëndë ekonomike, që njihet si depresion i madh, por si burrështetas i lindur, gjatë fushatës presidenciale, por edhe me rastin e inaugurimit president përçoi mesazhin e fuqishëm, kur tha se “Të vetmes gjë që duhet t’ia kemi frikën, është vetë frika”(1934). Atëbotë, të thuash njerëzit përballeshin me një realitet çfarë mund të barazohet me këtë të sotmin, ndër ne. “Këto ditë të errëta do të jenë përfituese për ne po qe se do të nxjerrim mësime dhe po ta kuptojmë mirë se fati ynë nuk është që të presin të na shpëtojnë, por ta shpëtojmë veten dhe bashkatdhetarët tanë,”- pati thënë Roosevelt duke vënë në jetë programin e debatueshëm novator “New Deal” që nënkuptonte një pakete të tërë masave për riaktivizimin e ekonomisë dhe rritjen e prodhimtarisë, rregullimin e konsumit dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, veçmas në sistemin bankar.
Iu riktheva qëllimisht kësaj historie të shkuar për të vënë në spikamë se është koha e fundit që partitë politike duhet që më me guxim të ofrojnë zgjidhje për përballjen dhe kapërcimin me sukses të kësaj “frike” që realisht po na shkallmon, ndaj për pasojë është momenti që edhe të bëjnë atë që do ta quaja ndryshim në stilin e qeverisjes. Gjykoj se për këtë edhe nuk duhet “zbuluar Amerikën”, por duke praktikuar standardet çfarë, ta zëmë, i kërkon Bashkimi Evropian, duke praktikuar terapinë e Brukselit për diagnozën e padiskutueshme në fushën e sundimit të shtetit të së drejtës apo të luftimit të korrupsionit e të krimit të organizuar në të gjitha levat e pushtetit, qoftë ai qendror apo vendor. Zgjedhjet e radhës, prandaj do të duhet të jenë një shans i mirë për të artikuluar strategji e programe që nuk do të jenë vetëm në funksion të “joshjes” së votuesve për ditën D, sa për të siguruar fitoren, por për ta bërë më të mirë jetën e qytetarit. Zhvillimet gjeopolitike, ndikimet dhe ndërhyrjet, pse jo edhe presionet nga jashtë nuk është se nuk janë e s’do të jenë të pranishme edhe në këtë prag fushatë. Dhe, më duket se këtë po e thonë edhe partnerët strategjikë të vendit, është koha që forcat kryesore politike të kapërcejnë veten. Të “tejkalojnë” po e them në sensin e sjelljes së vlerave të reja: Tashmë po përvijohen kampet pozitare e opozitare, maqedono-shqiptare. Ekspertë të fushës, ama edhe sociologë e psikologë, pranojnë se koalicionet etnikisht të përziera parazgjedhore do t’i bënin shumë mirë shoqërisë në përgjithësi. Për shkak se partitë politike nuk do të ndërsenin “kasnecët e radhëve të veta” për të goditur, qoftë edhe me barut të largur, as “shqiptarët, as maqedonasit”, por në vend të kësaj gara do të zhvillohej, pa tensione etnike, për vlera e standarde, për përgjegjësi e llogaridhënie. Së këndejmi, a do t’ia dalin Kovaçevski, Micskoski apo edhe Apasievi, nga njëra anë, dhe Ahmeti, Taravari apo edhe Kasami, nga ana tjetër, të bëjnë ndonjë “New Deal”, mbetet për të pritur e për ta parë. Kjo, s’do mend, varet nga të gjitha partitë politike dhe eksponentët e tyre në pushtetin qendror e atë vendor. Ato dhe ata, përtej preokupimit me sondazhet që po dalin e do të dalin, duhet të mendojnë për problemet dhe sfidat: Kriza ekonomike-energjetike, kriza sociale, nuk është se nuk po ndjehet gjithandej kontinentit e botës dhe për pasojë edhe ndër ne. Kërkohen zgjidhje, për të flakur pyetjen: A po na kthehet depresioni i madh?!