E premte, 12 Korrik, 2024

SHTETI “VLON” NGA VJEDHJET, SHUMË PAK RASTE ZBARDHEN

Besa Arifi: “Vjedhjet vështirë zbulohen, së pari për shkak të shpeshtësisë së këtij krimi, lehtësisë me të cilën mund të kryhen dhe faktit që ka vende të cilat nuk janë të siguruara dhe ku nuk ka mbikëqyrje me mjete teknologjike. Po ashtu, pasi vidhen sende të luajtshme të cilat lehtazi mund të shiten apo të transferohen diku tjetër, kjo i bën këto krime ende më të vështira për t’u zbuluar”.

Muazam Halili : “Pa dyshim se përqindja prej 10,8% e zbardhjes së vjedhjeve tregon rezultat jo të kënaqshëm në luftën e këtij lloji krimi, aq më shumë kur bëhet fjalë për RMV-në, që pretendon të bëhet anëtare e Unionit Evropian. Ky rezultat është një tregues, që organet kompetente të vendit ose më saktë thënë të MPB- së, seriozisht të marrin parasysh për të detektuar faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat”.

 Shkruan: Gentuar Ismaili

Funksionarët shtetërorë deklarojnë se janë duke luftuar krimin, por realiteti tregon një tjetër pasqyrë. Sipas të dhënave të raportit vjetor të MPB-së, nga 1 janari deri me 31 dhjetor 2021, vetëm në Shkup kanë ndodhur gjithsej 5569 vjedhje (1973 vjedhje të lehta, 3596 vjedhje të rënda). Po sipas këtij raporti nga këto raste vjedhjesh janë zbuluar 602 raste, me 473 padi të iniciuara, ndërsa 603  persona kanë fituar padi penale.

Nga një përllogaritje del se çdo ditë kanë ndodhur nga 15 vjedhje. E shndërruar kjo në përqindje, efikasiteti policisë për kapjen e autorëve të vjedhjeve arrin në 10.8%. Sipas ekspertëve shteti duhet të forcojë infrastrukturën ligjore, ndërkohë që theksojnë  se duhet të ketë më shumë ndriçim publik dhe më shumë kamera të sigurisë.

Profesoresha universitare Besa Arifi thotë se shteti duhet që në masë më të madhe të vendos mbikëqyrje në hapësirat publike.

“Vjedhjet vështirë zbulohen, së pari për shkak të shpeshtësisë së këtij krimi, lehtësisë me të cilën mund të kryhen dhe faktit që ka vende të cilat nuk janë të siguruara dhe ku nuk ka mbikëqyrje me mjete teknologjike. Po ashtu, pasi vidhen sende të luajtshme të cilat lehtazi mund të shiten apo të transferohen diku tjetër, kjo i bën këto krime ende më të vështira për t’u zbuluar. Përfundimisht, lidhur me vjedhjet ka edhe numër të errët të kriminalitetit, sepse shpesh të njëjtat as nuk paraqiten nga viktimat, veçanërisht kur bëhet fjalë për vjedhje të imta ose kur viktima konsideron se nuk ia vlen barra qiranë angazhimi lidhur me paraqitjen e këtyre krimeve. Shteti duhet që në masë sa më të madhe të vendosë mbikëqyrje në hapësirat publike. Mungesa e kamerave të sigurisë, dhe sidomos mungesa e ndriçimit në vende të caktuara, mundëson që vjedhjet të kryhen me lehtësi dhe të njëjtat të mbeten të pazbuluara”, thotë Arifi.

Profesori universitar Muazam Halili thotë se duhet të ketë pranim të kuadrove të nëpunësve policorë sipas përgatitjeve profesionale, duke vazhduar më tej me trajnime të specializuara të cilat ndikojnë në parandalimin dhe uljen e këtyre rasteve.

“Pa dyshim se përqindja prej 10,8% e zbardhjes së vjedhjeve tregon rezultat jo të kënaqshëm në luftën e këtij lloji krimi, aq më shumë kur bëhet fjalë për RMV-në, që pretendon të bëhet anëtare e Unionit Evropian. Ky rezultat është një tregues, që organet kompetente të vendit ose më saktë thënë të MPB- së, seriozisht të marrin parasysh për të detektuar faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat. Sipas mendimit tim, shteti apo më saktë thënë MPB-ja, duhet pasur parasysh pranimin e kuadrove si nëpunës policorë dhe sistematizimin e tyre në vende të duhura, sipas përgatitjeve profesionale që kanë, duke vazhduar më tej me trajnime të specializuara që gjithsesi do të ndikonin në parandalimin dhe uljen e këtyre rasteve, mbase për të eliminuar totalisht  është e pamundur”,  thotë Halili.

Përndryshe, sipas ekspertëve, numri i madh i vjedhjeve nuk është vetëm në vendin tonë por edhe në rajon.

Të fundit