E premte, 25 Prill, 2025

LUFTË SPECIALE APO PARALAJMËRIM PËR SULME TERRORISTE: PËR DY MUAJ 14 KËRCËNIME ME BOMBË

Kërcënimet me bomba janë shtuar që nga fillimi i lufëts në Ukrainë. Dyshimet janë se të njëjtat vijnë nga Rusia për shkak të reshtimit të Maqedonisë së Veriut në anën e Perëndimit dhe në mbrojtje të Ukrainës. KDPolitik.com i siguroi të dhënat ekskluzive nga MPB-ja për këto sulme hibride, sipas të cilave vetëm në dy muajt e fundit janë regjistruar gjithsej 14 raste, me ç’rast vetëm një autor është zbuluar.

Shkruan: Enis Shaqiri

Në një hark kohor prej dy muajsh në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 14 kërcënime me bombë që kanë përfshirë 130 lokacione të ndryshme. Këtë e tregojnë të dhënat zyrtare të cilat Kdpolitik.com i siguroi nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, për herë të parë me këto lloje sulmesh kibernetike ky institucion është ballafaquar më 19 tetor 2022, kur përmes postës elektronike kanë pranuar një mesazh-kërcënues për vendosjen e një bombe në një nga autobusët e transportit publik të Shkupit.

Kërcënimet e këtij lloji për mjete shpërthyese të vendosura me intensitet të lartë, të cilat u përcillen nga adresa të ndryshme emaili në institucione të caktuara, kemi hasur për herë të parë më 19 tetor 2022, kur është dërguar kërcënimi për vendosjen e bombës në një nga autobusët e JSP-së. Po ashtu, në periudhën në vijim dhe deri më sot (13.12.2022) më shumë mesazhe të tilla kërcënuese janë dërguar në shkollat ​​e mesme në Shkup, shkollat ​​fillore në Shkup, Kavadar dhe Kriva Pallankë, Banka Popullore e RMV-së, Ministria e Punëve të Jashtme, GTC, Kompleksi Cevahir Sky City Holding. Kështu, në harkun kohor prej gati dy muajsh kemi të bëjmë me 14 kërcënime që i referohen më shumë se 130 lokacioneve ku operon ministria”, thonë nga MPB.

VETËM NJË AUTOR ËSHTË ZBULUAR

Nga të gjitha rastet e kërcënimeve, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se deri më tani vetëm një autor është identifikuar.

Në lidhje me të gjitha kërcënimet/kallëzimet, Ministria vepron përmes Departamentit për Krimin Kompjuterik, Departamentit për Luftimin e Terrorizmit dhe Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, të cilët, përmes aktiviteteve të përbashkëta të koordinuara dhe nën udhëzimet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndikimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërmarrin veprime të gjithanshme hetimore për zbulojnë autorët. Vetë hetimet janë jashtëzakonisht komplekse dhe lidhen me shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit dhe mbështetjes, si dhe me kërkesat për ndihmë juridike ndërkombëtare. Deri më tani është identifikuar një autor nga Shkupi, ndaj të cilit është parashtruar kallëzim përkatës penal”, bëjnë të ditur nga MPB.

Jo vetëm Maqedonia e Veriut, por edhe vendet e tjera të rajonit, sipas MPB-së, po përballen me sulme të këtilla kibernetike të cilat janë rritur ndjeshëm në periudhën pas fillimit të Agresioni rus në Ukrainë.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky është një lloj sulmi hibrid ndaj vendit tonë. Në atë drejtim MPB-ja ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për të mbrojtur sigurinë dhe lirinë e qytetarëve, por në atë drejtim sigurisht që duhet një front më i gjerë në të cilin do të përfshihen të gjithë qytetarët e shtetit, veçanërisht në bashkëpunimin dhe mbështetjen e aktiviteteve që ndërmerren nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky lloj i kërcënimeve nuk është dukuri që është shfaqur vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vende të tjera të rajonit, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe vende të tjera të Evropës, përfshirë SHBA-në dhe Kanadanë, janë gjithashtu të ndjeshme ndaj këtij lloji të sulmeve, të cilat janë rritur ndjeshëm në periudhën pas fillimit të Agresioni rus në Ukrainë”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

RUZHIN: BOTA ËSHTË NDARË NË DY TABORË, SULMET VIJNË PASI NE JEMI ME PERËNDIMIN

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre gjeopolitike, njëherësh edhe ish ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, thotë për KDPolitik.com se aktualisht bota është ndarë në dy taborë: nga njëra anë SHBA, BE, NATO, ndërsa nga ana tjetër Kina, Rusia, Bjellorusia, si dhe Irani. Maqedonia e Veriut, thotë Ruzhin, i përket taborit të parë dhe kjo është arsyeja kryesore përse vendi po përballet me kërcënime hibride.

Bota është në ndryshime të mëdha. Rendi i vjetër ndërkombëtar po zhduket dhe ky është fundi i globalizimit dhe fillimi i deglobalizimit dhe riglobalizimit. Në njërën anë do të jenë SHBA, BE, NATO dhe në anën tjetër aleatet si Kina, Rusia, Bjellorusia, Irani dhe ndoshta ndonjë shtet tjetër që nuk e pranon unipolarizmin amerikan. Si shtet në këtë grup që është me NATO-n, BE-në, SHBA-të është e kuptueshme që në kontekstin e sapo krijuar shteti përballet me kërcënime hibride. Kërcënimet hibride konsistojnë në sulme kibernetike ndaj objekteve infrastrukturore ose të ashtuquajturat infrastruktura kritike, siç janë institucionet, spitalet, bankat etj. Propaganda e luftës parë nga aspekti “soft power”, për të destabilizuar institucionet dhe për të krijuar një sulme psikologjik mbi popullin. Në këtë drejtim janë shumë të rëndësishme format e ndryshme të mbrojtjes kibernetike, por edhe përgatitja pra informimi i popullatës për të gjitha aspektet, pa shkaktuar panik”, thotë Ruzhin

Sipas tij, sulmet hibride mund të vijnë edhe nga persona privat, formacione paraushtarake, banda kriminele, apo shtete. Megjithatë, Ruzhin thotë dyshimi kryesor është se prapa kësaj lufteje speciale qëndrojnë Rusia, Kina, Azia, Afrika, Irani dhe shtete tjera. Kjo eshtë vetëm një dyshim,pasiqë nuk eshte i kyçur ndonjë shtet tjetër.

VMRO KËRKON PËRGJEGJËSI NGA SPASOVSKI

Nga ana tjetër, nga partia opozitare VMRO-DPMNE thonë se Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, që para një muaji ka deklaruar se hetimi nuk ka treguar se kush qëndron pas alarmeve për bomba, andaj sot kemi kaos, panik dhe alarme të reja për bomba. Për këtë arsye kjo parti kërkon dorëheqjen e ministrit.
Më shumë se një muaj shkollat e mesme dhe fillore, qendrat tregtare, Banka Popullore, ndërtesa banimi, ministri dhe institucione tjera shtetërore janë cak i alarmeve për bomba, ndërsa ministri për punë të brendshme Oliver Spasovski nuk mund të zbuloj se kush qëndron pas këtyre alarmeve të rrejshme.Ndërsa paaftësinë e tij e paguajnë qytetarët. Kjo duhet të ketë një fund”, thonë nga VMRO.

DIMITAR KOVAÇEVSKI: GJENDJA E SIGURISË NË VEND ËSHTË STABILE

Ndryshe nga VMRO-DPMNE, kryeministri Dimitar Kovaçevski pohon se gjendja e sigurisë në vend është stabile, ndërkaq siguron se MPB po punon me kapacitet të plotë.

Situata e sigurisë në vend është stabile, Ministria e Brendshme po kryen plotësisht dhe me sukses punën e saj për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në vendin tonë. Sa i përket kërcënimeve monstruoze me bomba… edhe vendet fqinje janë të ekspozuara ndaj këtij lloj sulmi. Të fundit janë në Mal të Zi, por ka edhe në Serbi. Sipas njohësve të kësaj çështjeje, ato janë shtuar sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë. Ministria e Brendshme vepron me kapacitet të plotë në lidhje me kërcënimet me bombë. Si rezultat i kësaj më 5 dhjetor 2022, Departamenti i Antiterrorizmit ka paraqitur kallëzim penal kundër një të mitur nga Shkupi në PTHP për ndjekje të krimit të organizuar”, thotë Kovaçevski.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është rreshtuar fuqishëm në anën e Ukrainës që nga fillimi i agresionit të Rusisë në shkurt të këtij viti. Përveç sanksioneve ndaj Rusisë, vendi ka dërguar ndihma ushtarake dhe logjistike për Ukrainën. Para dhe pas anëtarësimit në NATO në vitin 2020, Maqedonia e Veriut në vazhdimësi ka qenë cak i sulmeve hibride pasi është konsideruar si pjesë më e cenueshme e Aleancës.

Të fundit