E premte, 12 Korrik, 2024

GRUSHTET NË SHKOLLA NUK KANË GJUHË E ETNI!

Shkruan: ARTA TAHIRI

Shteti ka ndaluar ndëshkimin fizik që arsimtarët ua bënin nxënësve si masë pedagogjike në komunizëm, mbase ndër më absurdet. Në të shumtën e rasteve, ndëshkimi fizik përdorej për disiplinimin edukativ të fëmijëve. Përderisa kjo dukuri është e ndaluar në sistemin arsimor, herë pas herë dëgjojmë e shohim ngjarje, në të cilat nxënësit sulmojnë mësuesit e tyre. Shumë raste nuk i dëgjojmë e shohim!

 

Rastet e dhunës ndaj mësuesve në shkollat fillore dhe të mesme nuk janë shumë të shpeshta, por kur ndodhin, marrin vëmendje të madhe nga media dhe publiku.

Bëhet fjalë për një problem kolosal, që së bashku me bullizmin mes nxënësve, i cili është masiv, ndikojnë që sistemi arsimor të vendnumërojë, të mos sigurojë zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Por, njësoj si dhunës si dukuri asociale, edhe bullizmit duhet t’i kushtohet kohë dhe hapësirë në media në mënyrë sistematike, duke përfshirë raportimin për raste të caktuara, por mbi të gjitha hulumtimin rreth shkaqeve të dhunës dhe bullizimit në shkolla!

Shpesh, në rrjetet sociale ose në media shfaqen video, në të cilat nxënësit i tallin mësuesit e tyre ose edhe i sulmojnë fizikisht, që flet për faktin se telefonat celularë keqpërdoren nga nxënësit. Shkollat duhet të mendojnë mbi ndalimin dhe kufizimin e përdorimit të tyre gjatë procesit arsimor, siç ndodh në shtetet perëndimore! Media, duhet të raportojë mbi këto raste, por gjithmonë me sens etik dhe me profesionalizëm.

Televizioni Kanal 5, i cili ka licencë nacionale teresteriale, pra që transmeton në tërë shtetin, më 11 dhjetor publikoi lajmin, i shoqërua me video, në të cilën shihet se si një nxënës, para tre viteve, ka keqtrajtuar fizikisht mësuesen në shkollën e mesme “Jovçe Teslikov” në Veles!

Por, anakronizmi i këtij raportimi është se theksohet se në video dëgjohet se nxënësi që xhiron flet në gjuhën shqipe, ndërsa në kllapa theksohet “është plotësisht jorelevante për ngjarjen, sepse ka mundur të flasë edhe kinezisht nëse do”.

Kjo media, e cila që në fillim të raportimit mbi këtë ngjarje thekson se është kompani e përgjegjshme shoqërore, dhunës i jep ngjyrë etnike. Edhe negacioni nxjerr në pah stereotipizimet që i ka një njeri, qoftë ai edhe gazetar apo redaktor! Vetë theksimi i shqipes dhe më pas pohimi se ka mundur që gjuha e përdorur në video të jetë edhe ajo kineze, dëshmon konotacionin etnik në këtë raportim!

Nga ajo që dëgjohet në video, konstatohet se bëhet fjalë për disa tinguj zhurmues, por që nuk janë të qartë se janë shqip, ndërsa në prapavijë dëgjohet një këngë e tipit “turbo zbavitëse”!

Edhe sikur të ishte e qartë se nxënësit janë shqiptarë, kjo nuk është e rëndësishme për publikun, pasi përkatësia etnike apo gjuhësore e tyre nuk ka as interes minimal publik.

Në një shoqëri të ndjeshme në dimensionin etnik dhe fetar, gazetarët duhet të jenë skajshmërish të vëmendshëm kur theksojnë përkatësinë identitare të dikujt, aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë. Kjo mënyrë e raportimit, nuk bën gjë tjetër, përpos se i përforcon stereotipet etnike, të cilat janë dukuri negative, ndërsa edhe ashtu janë të pranishme në shoqërinë tonë.

Një raportim që thekson se “nxënësi sulmues” është shqiptar, ndërsa, për shembull se Enis Bardhi është “futbollist maqedonas” dhe Besir Alili  “kampion maqedonas” evropian në mundje, i përforcon edhe më shumë stereotipat sociale me motive etnike.

Një pjesë e madhe e mediave kanë përgjegjësi të madhe, ndonëse nuk janë përgjegjësit e vetëm për faktin që në shoqëri, ndaj shqiptarëve, përkatësisht maqedonasve, romëve apo komuniteteve tjera, shpesh hasen qëndrime jotolerante, sipërfaqësore dhe të padrejta.

Mbase në një shoqëri, në të cilën media edhe për virusin Kovid 19 raportoi etnikisht dhe jo etikisht, është e pritur, edhe pse nuk është normale, që dhunuesit të një mësueseje t’i bëhet portretizim etnik.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit