Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka deklaruar për televizionin e pavarur serb N1 se është optimist për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Ai nuk zbuloi detajet e bisedimeve të zhvilluar këtë të mërkurë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, por tha se “prioriteti është gjetja e një zgjidhjeje për të gjithë rajonin, e jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën”- transmeton kdpolitik.com.
“Nuk dua të hyj në detaje të bisedës, por më duhet të them se ka elemente për optimizëm. Krahas kësaj, dëshiroj të them se ne na duhet jo vetëm zgjidhja e kësaj krizës aktuale, ne na duhet një zgjidhje e qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Ne duam që ta kthejmë këtë krizë në një mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, – tha zyrtari i lartë amerikan duke shtuar se “SHBA-të presin që barrikadat të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur”:
“I dëgjuam shqetësimet e tyre. Ato janë legjitime. Ne duam të punojmë me komunitetin serb në veri të Kosovës, për të përmbushur kërkesat e tyre. Ka mënyrë që të shkohet përpara, ashtu siç ka arsye pse i vendosën barrikadat dhe pse do t’i heqin ato. Po ashtu, serbët duhet të kthehen në institucionet e përbashkëta, sepse janë të nevojshëm atje. Mendoj se në të ardhmen e afërt, kjo edhe do të ndodhë”, – tha Escobar.
Ai ka shpjeguar se nuk është caktuar ndonjë afat për heqjen e barrikadave dhe kthimin në institucione, por ka shprehur shpresën se kjo do të bëhet “në një të ardhme të afërt, përkatësisht për disa ditë”.
Sipas Zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, prioritet është gjetja e zgjidhjes për mbarë rajonin e jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e rëndësishme e komunitetit euroatlantik, por nuk është pjesë e strukturave zyrtare”, – konsideron Escobar.
I pyetur për paraqitjen e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kushtet e tanishme në të cilat Serbia nuk e njeh Kosovën, ai përgjigjet:
“Në vend që të grindemi për nxjerrjen e dokumenteve shtetërore, hajdeni të flasim për heqjen e nevojës për disa nga ato dokumente. Për shembull, të kemi një zonë të tregtisë së lirë për të gjithë rajonin. Të hapni firmë në Mal të Zi dhe më pas të bëni biznes në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ka mundësi që ta përdorim këtë krizë për të gjetur zgjidhje reale për qytetarët e këtushëm”.
Escobar ka ritheksuar se SHBA-ja “kategorikisht hedh poshtë kthimin e ushtrisë së Serbisë në veri të Kosovës”.
“Nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Ky nuk është momenti që të shfrytëzohet ushtria, ky është momenti që të përdoret diplomacia, dialogu dhe kompromisi. Si dhe imagjinata, le të imagjinojmë se çfarë sjell e ardhmja e rajonit”, – tha Escobar.
Ai nënvizoi se deklarata “Kosova ka garanci sigurie nga SHBA-të” nuk është kërcënim për Serbinë dhe se këto garanci vlejnë edhe për serbët në Mitrovicën e Veriut.
“Nuk do të lejojmë që dikush nga Kosova të rrezikojë Serbinë dhe nuk duam të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në veri të Kosovës”,- ka thënë Escobar për TV N1 duke u shprehur optimist se të ardhmen e përbashkët të serbëve shqiptarëve e shikon në BE, ndërsa e ardhmja e përbashkët ekonomike do t’ju mundësojë fëmijëve të qytetarëve të qëndrojnë në vendet e tyre.
“Nëse mendoni për atë që po ndodh sot, kam parasysh Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur dhe të gjitha mundësitë rajonale, kjo do ta zgjidhë këtë krizë dhe do të krijojë mundësi më të mëdha për rajonin”.
Escobar ka shpjeguar, po ashtu, se kjo nënkupton që Serbia ta njohë Kosovën:
“Qëndrimi është që vendet e rajonit duhet të njohin reciprokisht njëri-tjetrin dhe të kenë një rrugë të qartë drejt Evropës”.
Në këtë shtrirje ai e quan të domosdoshme që vendimet kryesore për të ardhmen e tyre duhet t’i marrin serbët nga Kosova, sepse “ata jetojnë atje dhe duhet të përballen me këtë situatë”, – citon kdpolitik.com deklaratën e Zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit.