E enjte, 16 Maj, 2024

VIDEO/INTERVISTË, QENDRIM RIJANI: ARTI ËSHTË NJË FORMË PËR TË THYER RREGULLA DHE KUFIJ MENTALITETI

Në një intervistë ekskluzive për KDPOLITIK.COM, regjisori Qendrim Rijani thotë se ka përzgjedhur që ta vë në skenën e Teatrit Shqiptar të Shkupit “Tri motrat” e Çehovit për shkak se është një ndër kryeveprat botërore e vënë gjithashtu në skenë të paktën në teatrot më serioze të botës. “ Një ndër arsyet se pse zgjodha Çehovin është sepse në këtë moshë artistike e ndjeva se jam i gatshëm për të punuar një vepër të këtij autori”, thotë Rijani. Sipas tij, një tjetër arsye e përzgjedhjes së veprës “Tri motrat” është fuqia dramaturgjike që ka kjo vepër në kuptimin e përsosjes deri në detaj si dhe fuqia e aktualitetit, në kuptimin që tema qëndron në kohë dhe përkon me gjendjen e shoqërisë që kemi sot për të ikur nga realiteti.

Intervistoi: Enis Shaqiri

Në lidhje me impulset për ta vënë një vepër në skenë, Rijani thotë se në botën tonë të artit nuk kemi çfarë shpikim, të gjitha idetë janë në ajër, e rëndësishme është se kë do gjuajmë, edhe veprat e rëndësishme botërore të gjitha janë në ajër, e rëndësishme është sa ne jemi të gatshëm për t’i punuar. ”Filloj nga autori, pastaj vazhdoj me aktualitetin që ndodhet brenda veprës, pas kësaj resurset të cilat i kemi, qoftë në aspektin e resurseve aktoriale, a i kemi ata aktorë për ato personazhe, duke filluar që nga mosha, që nga forma e lojës, potenciali emocional që kanë aktorët brenda vetes, ai i kemi brenda atij teatri në të cilin duhet ta vëmë në skenë, veprën, pastaj resurset infrastrukturore të teatrit në raport me çështjen e skenografisë dhe mbi të gjitha çfarë ofron vepra në goditjen që duhet t’ia japë shoqërisë, publikut, të paktën për të dëshmuar se pse ekzistojmë ne si komunitet artistik, pse ekzistojmë ne si teatër përballë tyre”, thekson Rijani.

Sipas tij, një ndër gjetjet gjeniale të Çehovit është koha relative brenda veprës. Ai thotë se pikërisht këtë element e ka shtrydhur deri në fund.

Rijani thotë për KDP se duhet dinamizuar komunikimi mes hapësirave shqiptare në fushën e teatrit “ Ne duhet të marrim dhe të japim akoma më shumë me njëri-tjetrin, të shkëmbehemi akoma më shumë me njëri tjetrin dhe duhet të njihemi akoma më shumë me njëri tjetrin, në mënyrë që në Shqipëri, Kosovë edhe këtu tek ne të ofrojmë etnogjeografinë më të madhe artistike”, thotë ai.

Sipas tij, të paktën në botë e artit nuk duhet të ketë kufij fizikë dhe as politikë, sepse është një frymë.

Në intervistën për KDP, Qendrim Rijani flet edhe për shkollat dhe konceptet mbi teatrin, për kultivimin e publikut si dhe për trashëgiminë teatrore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

 

Të fundit