Zyra e Prokurorit të përgjithshëm belg po heton dyshime për korrupsion dhe shitje të ndikimit brenda Parlamentit Evropian nga një shtet i Gjirit. Në Bruksel u bënë gjithsej 16 kontrolle, tha prokuroria. Katër persona u arrestuan. Hetimi ka të bëjë me një organizatë të dyshuar kriminale si dhe akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Me gjasë e përfshirë edhe zëvendëspresidetja e PE, Eva Kaili, e cila sipas mediave duhet të jetë arrestuar, – transmeton kdpolitik.com njoftimin e Radios Deutsche Welle.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar nënkryetarja e Parlamentit Europian, Eva Kaili. Politikanja greke tashmë është përjashtuar nga partia e saj Lëvizja Socialiste Panhelene (PASOK) të enjten mbrëma. Edhe Klubi parlamentar i socialdemokratëve në Parlamentin Evropian vendosi për përjashtimin e saj.
Që nga ky vit, Kaili është një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Evropian, në të cilin është deputete që nga viti 2014. Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Shtetit të Belgjikës, hetimi po zhvillohet kundër një organizate të dyshuar kriminale, përpjekjeve të një vendi të Gjirit për të ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian, si dhe për pretendimet për korrupsion dhe pastrim parash.
Prej disa muajsh ekziston dyshimi se një shtet i Gjirit po përpiqet të ndikojë në vendimet politike dhe ekonomike të Parlamentit Evropian. Sipas njohurive të gazetave “Le Soir” dhe “Knak” fjala është për Katarin, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Dyshohet se shuma të konsiderueshme parash apo dhurata të tjera u janë dhënë personave në parlament, që mbajnë poste politike apo që janë në pozicione strategjike.
Kaili, një nga nënkryetarët e parlamentit, tashmë i arrestuar, më 21 nëntor mbajti një fjalim në Parlamentin Evropian për Kampionatin aktual Botëror në Katar. Këtë ngjarje sportive e përshkroi si provë se “diplomacia sportive mund të sjellë ndryshime historike në vendn, reformat e të cilit kanë frymëzuar botën arabe”. Ajo tha gjithashtu se Katari është pionier kur është fjala për të drejtat e punëtorëve. Kaili më herët u takua me Ministrin e Punës të Katarit Samil al-Marri, shkroi në Twitter ambasadori i Katarit në BE, Christian Tudor.
Mes të arrestuarve, sipas raportimeve të mediave, janë edhe ish-deputeti socialdemokrat Pierre-Antonio Panzeri, Sekretari i sapozgjedhur i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave Luca Visentini, si dhe një drejtor i një OJQ-je dhe një asistent në Parlamentin Evropian.
Në parim hetimi drejtohej mbi të gjitha kundër bashkëpunëtorëve e deputetëve, u bë e ditur. Sipas Prokurorisë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar 600 mijë euro para në dorë dhe celularë.
I kontaktuar, shërbimi për shtyp i Parlamentit Evropian nuk ka dashur t’i komentojë këto bastisje. Ai thjesht tregoi se po bashkëpunohet plotësisht me policinë belge./DW/