E enjte, 28 Mars, 2024

BORIS TADIQ AKUZON KREUN E ZYRËS SERBE PËR KOSOVËN

Boris Tadiq, ish-president i Serbisë dhe lider i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës serbe për Kosovën nuk po e thotë të vërtetën kur deklaron se Serbia do të shqyrtojë kthimin e njëmijë pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në Kosovë, – transmeton kdpolitik.com

“Drejtori i zyrës për KM po e gënjen opinionin se Serbia do të “shqyrtojë” kthimin e deri në 1000 pjesëtarëve të forcave tona të sigurisë në KM me qëllim të mbrojtjes së popullatës sonë. Ndërsa e vërteta është se unë mund të vijnë në KM vetëm me miratimin e komandantit të KFOR-it dhe jo për atë qëllim!”- ka shkruar Tadiq në Twitter.

“Pra, Zyrën për KM na e udhëheq një person që nuk e njeh madje as rezolutën 1244 ose që qëllimisht i mashtron qytetarët për gjoja patriotizmin e këtij qeverie, për të mbuluar se i kanë dorëzuar pothuajse të gjitha levat e mbetura të shtetshmërisë së Serbisë pas Marrëveshjes së Kumanovës,” – vlerëson Tadiq.

Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Petkoviq, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi më 8 dhjetor, pohoi se në veri të Kosovës kanë hyrë 300 deri në 350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe pjesëtarët e njësisë speciale.

Lidhur me këto pretendime serbe, drejtori ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politika Strategjike, në Beograd, Nikola Luniq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Beogradi nuk mund të vendosë vetë se kur do të dërgojë trupa të tilla dhe nëse dëshiron t’i dërgojë ato. Ai theksoi se është vendimtare nëse Beogradit i është lejuar t’i dërgojë dhe se një vendim i tillë nuk mund të shqyrtohet pa KFOR-in dhe OKB-në.

“Kjo është një deklaratë populiste që ka për qëllim opinionin e brendshëm politik, por goxha e rrezikshme. Ajo zgjon të gjitha instinktet nacionaliste të popullit tonë”, – transmeton kdpolitik.com deklaratën e Luniqit për seksionin serb të Radios Evropa e Lirë.

Të fundit