Ky rizgjim i interesit të Bashkimit Evropian dhe rikthim i fokusit në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm simbolik, por tregon një partneritet serioz dhe një mbështetje solidare në këtë kohë krizash. Bashkimi Evropian vazhdon të jetë mbështetësi dhe donatori kryesor i regjionit dhe për këtë nuk ka asnjë alternativë më të mirë për të rritur mirëqenien e qytetarëve. BE deri më tani ka miratuar financim për 40 projekte kryesore në transport, lidhje, tranzicionin e energjisë, agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, me mbështetjen e BE-së prej 1.8 miliardë euro dhe një vlerë totale investimi prej 5.7 miliardë euro.
Shkruan: Sefer Selimi Jr.
Më 6 dhjetor të këtij viti në Tiranë u mbajt Samiti i katërt me radhë mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti i parë i këtij lloji u mbajt në Selanik të Greqisë, ku u vendosë interesi strategjik i përfshirjes së plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurimin e një perspektive të qartë për këtë qëllim. Pas 15 vitesh pauzë, ky samit u ringjallë në vitin 2018 në Sofje të Bullgarisë dhe u ndoq nga samiti virtual i Zagrebit të Kroacisë në vitin 2020 gjatë pandemisë të Covid-19. Këto samite janë të rëndësishme posaçërisht për vendet aspirantë të Ballkanit Perëndimor për shkak se ky është një mekanizëm që i jep dinamikë procesit të integrimit, por gjithashtu përmes tij vendosen edhe piketat e mbështetjes konkrete financiare dhe institucionale.
Këtë radhë ky samit u cilësua historik, sepse për herë të parë ai zhvillohet në një shtet i cili nuk është anëtar i Bashkimit Evropian dhe këtë nder e pati Shqipëria. Përveç simbolikës kjo në vete përçon edhe një sinjal mjaft të fortë, jo vetëm për vendet aspirantë dhe ato që janë anëtare të BE, por edhe për vendet e treta që këtë regjion e kanë në sferën e tyre të interesit, e këtu në veçanti ndaj Rusisë e cila është duke zhvilluar një agresion ushtarak ndaj një vendi po ashtu me aspirata për t’iu bashkuar familjes evropiane – Ukrainës. Në fakt, siç duket lufta në Ukrainë dhe rritja gjithnjë e më e madhe e euro-skepticizmit dhe humbja e shpresës për perspektivë të qartë e të afërt për integrim në Bashkimin Evropian, e ndjekur nga rritja e mbështetjes gjithnjë e më e madhe për etno-nacionalizmin e ekstremeve të djathta e të majta tek qytetarët ka kthjelluar liderët e vendeve të BE se ky regjion rrezikon sërish të rrëshqas në pasiguri dhe probleme të reja.
Përtej simbolikës, gjatë samitit u miratuan edhe një sërë paketash financiare që kanë për qëllim të ngushtojnë hendekun socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Mes tjerash u vlerësua zbatimi i Planit Ekonomik dhe i Investimeve prej afërsisht 30 miliardë euro, i fokusuar në projektet kryesore për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, mbështetjen për sektorin privat dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. BE deri më tani ka miratuar financim për 40 projekte kryesore në transport, lidhje, tranzicionin e energjisë, agjendën e gjelbër, tranzicionin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, me mbështetjen e BE-së prej 1.8 miliardë euro dhe një vlerë totale investimi prej 5.7 miliardë euro.
Këtu përfshihen 12 projekte investimi të miratuara më 5 dhjetor, nga të cilat 6 projekte në sektorin e energjisë janë përshpejtuar falë paketës së mbështetjes energjetike prej 1 miliardë eurosh, e përbërë nga dy shtylla:
- 500 milionë euro mbështetje të menjëhershme për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor për të zbutur efektet nga rritja e çmimeve të energjisë për bizneset dhe familjet në nevojë, e cila është miratuar dhe do të jetë gati për disbursim në fillim të vitit 2023, dhe
- 500 milionë euro në mbështetje afatshkurtër dhe afatmesme nëpërmjet Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor për të avancuar tranzicionin energjetik dhe sigurinë energjetike. Paketa mbulon Programit Rajonal për Efikasitet Energjetik që do të fokusohet në rinovimin për efikasitet energjetik të ndërtesave private dhe publike, gjashtë grante të reja investimi për burimet e rinovueshme të energjisë, tre skema grantesh për tranzicionin e energjisë në sektorin privat dhe një sërë garancish për të mbështetur energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik. Kjo pritet të mobilizojë në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare deri në 2.5 miliardë euro investime.
Samiti pati edhe një sërë konkluzionesh në lidhje me sigurinë, luftën kundër migracionit ilegal, ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të dëmshme nga jashtë. Mes tjerash u mobilizua një program prej 70 milion euro për rritjen e kapaciteteve për kontrollet kufitare dhe 5 milion euro për rritjen e qëndrueshmërisë ndaj sulmeve kibernetike. Gjatë samitit u nënshkrua edhe marrëveshja për zvogëlimin e tarifave telefonike për roming mes BE dhe Ballkanit Perëndimorë, e cila me hyrjen në fuqi në tetor të vitit 2023 do të ul ndjeshëm çmimet dhe do të ndikojë drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe bizneset.
Pra, ky rizgjim i interesit të Bashkimit Evropian dhe rikthim i fokusit në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm simbolik, por tregon një partneritet serioz dhe një mbështetje solidare në këtë kohë krizash. Bashkimi Evropian vazhdon të jetë mbështetësi dhe donatori kryesor i regjionit dhe për këtë nuk ka asnjë alternativë më të mirë për të rritur mirëqenien e qytetarëve.