E hënë, 21 Prill, 2025

GAZETARI SERB: ZGJIDHJA E PROBLEMIT TË KOSOVËS VARET NGA EPILOGU I LUFTËS NË UKRAINË

“Nga epilogu i luftës në Ukrainë do të varet edhe zgjidhja e problemit të Kosovës”. Kështu ka deklaruar Milivoje Mihajloviq, gazetar dhe analist nga Beogradi i cili deri në vitet e nëntëdhjeta ka raportuar nga Kosova për televizionin serb dhe aktualisht përmendet si një ndër njohësit më të mirë të raportove shqiptaro-serbe. Në të njëjtën kohë, sikurse transmeton kdpolitik.com, ai ka tërhequr vërejtjen se rajoni “është në kthetrat e mafies së bashkuar ballkanike, e cila nuk e dëshiron” zgjidhjen e problemit të Kosovës.

“Nënshkrimi i marrëveshjes nga ministritë e punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë nuk ishte lëvizje cilësore për Beogradin, as që për të ishte momenti i mirë, megjithëse ajo nuk ka asnjë peshë, përveç asaj mediatike”.

Kështu ka deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve FoNet gazetari Milivoje Mihajloviq. Sipas tij, marrëveshja serbo-ruse për konsultime mes dy ministrive edhe u nënshkrua për t’i treguar publikut në Serbi se “pushteti nuk i ka shkëputur lidhjet me Rusinë dhe se në një farë mënyre edhe më tej funksionon linja mes Beogradit dhe Moskës”.

Nga ana tjetër, veprimi shkaktoi një ortek reagimesh nga Perëndimi, i cili e sheh si një veprim të gabuar të Serbisë, – tha Mihajloviq, duke nënvizuar se kjo është dhe një pikë presioni mbi Beogradin që sa më parë të reagojë me sanksione ndaj Federatës Ruse.

“Nuk e di pse qeveria e vuri veten në një situatë të tillë, me siguri për shkak të planeve që në pranverë të mbahen do zgjedhje të reja, por kjo lloj lëvizje është sikur Perendimit t’ia vësh topin për penallti për të gjuajtur në portën tonë”- thotë Mihajloviq. Kjo marrëveshje, argumenton ai, e shtyn në hije  aneksimin e pjesëve të Ukrainës dhe Serbia tani është në margjina, një pikë uji në detin e lajmeve të mëdha botërore e të lojërave gjeopolitike, gjë që sigurisht e kanë pasur parasysh ata të cilët morën vendimin për firmosjen tani të marrëveshjes me Rusinë.

I pyetur nëse Serbia prapëseprapë do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ai u përgjigj se nuk e di nëse Beogradi do t’u rezistojë presioneve nga Perëndimi, por paralajmëroi se sanksionet kundër Moskës do të kishin pasoja serioze për sektorin energjetik dhe stabilitetin në Serbi.

“Nuk e di se sa e gatshme është qeveria për t’i bërë ballë atij presioni apo sa është e gatshme t’i bindet, por çfarëdo që të bëjë do ta paguajnë qytetarët e Serbisë…Blerja e kohës ngushton hapësirën për manovrim, për shkak se në fund pushteti do të duhet të vendosë “ose atje ose atje”,- transmeton kdpolitik.com deklaratën e analistit Milivoje Mihajloviq për agjencinë serbe të lajmeve FoNet.

“Puna është se si do të dalim nga kjo situatë, mendoj se ngjarjet në Ukrainë dhe në nivel global në një farë mënyre do të na shpëtojnë nga një lloj kataklizmi kur është fjala për presionin nga njëra anë apo tjetra”,- vlerësoi Mihajloviq.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse të dyja palët e detyrojnë të përcaktohet presidentin serb, ai pranon se këtë nuk e di, por mendon se Vuçiq, në atë rast, “nuk do të ketë alternativë daljeje sa i përket mbetjes në pushtet, ndërsa çfarë do të bëj Serbia pas kësaj, si do të duket – këtë do ta shohim”.

Sipas Mihajloviqit, Serbinë po e shfrytëzojnë edhe Rusia edhe Perendimi që ajo të jetë një tjetër levë presioni për izolimin e Rusisë, ndërsa dhe Rusia dëshiron të sigurojë prani politike në truallin e Evropës, ndër të tjera, edhe nëpërmjet Serbisë.

“Kjo është një luftë e madhe. Gjithnjë e më shumë në të gjitha mediat botërore po përmendet se tashmë ka krisur Lufta e Tretë Botërore,”- thotë ai duke  krahasuar situatën globale me atë në prag të Luftës së Parë Botërore.

“Kemi interesat e të mëdhenjve, kemi të vegjlit që do të digjen në konfliktet e të mëdhenjve, ndërsa Evropa është bërë shesh lojërash të interesave strategjike gjeopolitike globale”, – vlerëson Mihajloviq i cili druan që fronti nga Ukraina të mos përhapet në zona të tjera.

“Po shohim që Lindja e Mesme është gjithmonë e gatshme për konflikt, Ballkani po ashtu”, – tha ai, duke përmendur se nuk është i sigurt se do të kalojmë mirë nëse liderët lokalë nuk merren vesh për të shmangur të paktën ndonjë konflikt të madh.

I pyetur për iniciativën e Parlamentit Evropian  që Serbisë t’i suspendohen  negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ai përgjigjet se ky kërcënim është real dhe kujtoi se ky ekziston tash 20 vjet, sidomos për shkak të problemit të Kosovës.

“Kemi probleme me integrimet evropiane, jo vetëm kur është fjala për hapat që ne si shtet jemi të detyruar t’i bëjmë për të arritur në para dyerve të Evropës, por para së gjithash për shkak të Kosovës”, – shpjegoi Mihajloviq.

Kur thotë “ne”, Mihajloviq shpjegon se me këtë nënkupton “pushtetin aktual, pushtetin e kaluar, ose cilindo pushtet” dhe përfundon se Kosova “është problemi që sjell ekipin në pushtet në Serbi dhe e heq atë nga pushteti, e sjell atë me premtimin se do ta zgjidhë dhe e heq me premtimet e të paplotësuara”.

Mihajoviq nuk beson se Serbia do t’ju ekspozohet sanksioneve apo izolimit nga Perëndimi dhe shpjegon se “askush nuk ka për të izoluar ose vrarë borxhliun”.

“Nëse dihet se Serbia ka hyrë borxh në Perëndim, secili dëshiron ta mbajnë në jetë borxhliun, qoftë edhe për aq sa të jetë i aftë për të kthyer borxhet,”- tha Mihajloviq.

Megjithatë, sipas tij, asgjë nuk është e pamundur, sepse Evropa ka rënë në qorrsokak dhe është bërë, në një farë mënyre, peng i konfliktit midis Lindjes dhe Perëndimit.

I pyetur nëse aneksimi rus i pjesëve të Ukrainës është goditje e rëndë për rendin  juridik ndërkombëtar çfarë e kemi njohur deri tani, pas rrezikimit të tij shumëvjeçar, në themele, në anë të ndryshme të botës, ai u përgjigj se “të mëdhenjtë nuk e njohin të drejtën ndërkombëtar për të vegjlit”.

“Ama ndoshta kriza ukrainase, në rastin më të mirë, do të jetë një mundësi për të rivendosur drejtësinë ndërkombëtare, për të rikonsoliduar disa gjëra. Për këtë, natyrisht duhet marrëveshje e të mëdhenjve. Ne të vegjlit nuk kemi çfarë të kërkojmë këtu”, – ka vlerësuar Mihajloviq.

I pyetur nëse marrëdhëniet me Moskën ndikojnë në pozicionin e Beogradit në negociatat me Prishtinën, ai përgjigjet se “ato nuk ndikojnë në masë të madhe”, por vlerëson se “dialogu në Bruksel është banalizuar”.

Është reduktuar në mbetjen në pushtet si të garniturës beogradase dhe asaj prishtinase, pohon Mihajloviq, i cili mendon se po zhvillohet një lojë e madhe, para së gjithash mediatike që qytetarët të mbahen në një lloj frike.

Ndërhyrjes se për zgjidhjen e problemit të Kosovës po përfshihen gjithnjë e më shumë ndërmjetësues, ai i përgjigjet  duke thënë se të gjithë janë të shqetësuar për situatën në Ballkan dhe i frikësohen një konflikti më të madh, por edhe sepse të gjithë duan të qëndrojnë në tavolinë, sipas atij rregullit “kush nuk është në tavolinë ai është në meny”, ndonëse nuk e kanë idenë si do ta zgjidhin.

Përkundër kësaj, Mihajloviq mendon se nga epilogu i luftës në Ukrainë do të varet edhe  zgjidhja e problemit të Kosovës, por ai tërheq vërejtjen se Ballkani është në kthetrat e mafies së bashkuar ballkanike, e cila nuk e dëshiron këtë zgjidhje.

“Kjo mafi është në lidhje të ngushtë me politikën dhe institucionet e sistemit, para së gjithash me sistemet e sigurisë dhe asaj nuk i duhet zgjidhja, sepse do të mund të punojë pa probleme për sa kohë që zgjat një gjendje e tillë,” – thotë gazetari serb duke përjashtuar mundësinë e ndonjë konference të re ndërkombëtare për Kosovën me arsyetimin se Uashingtoni, para së gjithash, e ka kuptuar se tani nuk është koha për të “bërë kufij të rinj”:

“Ata këtë nuk do ta thonë kurrë publikisht sepse e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, sepse kanë investuar në atë luftë të Kosovës në masë të mirë, por e kanë kuptuar që viti 2022 nuk është viti kur përvijohen kufijtë”.

Mihajloviq është i bindur se amerikanë e kanë kuptuar edhe se Kosova nuk mund të jetë plotësisht e pavarur pa pëlqimin e Beogradit dhe se është shumë më mirë të punojnë për përafrimin e të dyja palëve dhe forcimin e lidhjeve ekonomike,që do të sillnin më shumë përfitime sesa negociatat 15 vjeçare”.

Prandaj, ai çmon se në këtë moment nuk duhet zgjidhur nyjën e Kosovës, sepse ndarja apo pavarësia e plotë e Kosovës do të prodhonte efekt domino, ndërsa “rajoni do të hynte në ferr”, që do të ishte “reprizë e viteve nëntëdhjetë”. “Atëherë do të ishte logjika – nëse mundet Presheva, pse jo Tetova, nëse mundet Tetova, pse jo Ulqini”, – ka thënë Mihajloviq, duke tërhequr vërejtjen për rrezikun e forcave centripetale kombëtare në Ballkan.

I pyetur se çfarë mund të presin qytetarët, nëse kihet parasysh e gjithë situata në të cilën ndodhet Serbia, Mihajloviq është përgjigjur se në vendin  e stërngarkuar me borxhe, të shkatërruar nga privatizimi, me një matricë kulturologjike në ngjyrat rozë dhe me një Kuvend që duket si reality show, ata mund të presin ose një reset të madh ose dështim.

Se nga cila anë do të kthehet Serbia, kjo varet gjithmonë nga pushteti, tha Mihajloviq, duke vënë në pah se pushteti i mbanë mediat, e formëson vëmendjen dhe ndërgjegjen e qytetarëve ashtu siç i konvenon atij dhe prandaj shumica e qytetarëve, gjithnjë përderisa është  kështu, edhe voton për të.

Sipas tij, shumica e serbëve voton përherë për pushtetin aktual, ndërsa kur pushteti ndërrohet, atëherë ata ndryshojnë opsionin e tyre politik dhe votojnë për atë pushtetin tjetër.

“Nuk e di, vetëm se kam frikë se kriza e madhe botërore do t’i lëkund dhe do t’i shkund të mëdhenjtë, e sa na përket ne të vegjëlve, “Zoti na ndihmoftë””- ka thënë gazetari i njohur Milivoje Mihajloviq për agjencinë serbe të lajmeve FoNet./danas.rs/

Të fundit