Shkruan: Enis Shaqiri
Ndërkombëtarët, analistët dhe politikanët kanë dënuar ashpër sulmin fizik ndaj ish-kryeministrit dhe kreut të opozitës Sali Berisha. Berishës u godit me grusht në protestat e djeshme të opozitës, të zhvilluara në të njëjtë kohë me Samitin e BE-së.
Ky incident mori vëmendjen e analistëve, ambasadave, aktorëve politikë në vend si dhe më gjerë.
Analisti Lutfi Dervishi për “A2CNN” thotë se për këtë ngjarje duhet të ketë një reagim edhe më të madhë të politikës, si të opozitës ashtu edhe të mazhorancës, të cilët të dënonin dhunën.
“Ajo çfarë ne mund të analizojmë është se si reagohet ndaj kësaj ngjarjeje. Dhe e nisim që nga reagimi i parë jo profesional i truprojave që bënë të njëjtën sjellje si agresori.Kemi një shprehje që: “Gjuha eshtra nuk ka dhe eshtra thyen”. Domethënë diskursi politik është krejt i papranueshëm dhe çfarë i ka paraprirë kësaj situate ka qenë një gjuhë tejet e ngarkuar, që detyrimisht çon në konflikt.Dhe pastaj vijmë te një konflikt në një manifestim, sepse për mua e tillë ishte, nuk ishte një protestë, sepse një protestë është kur kemi përplasje me policinë të protestuesve,” ka thënë Dervishi
Ai mes tjerash ka shtuar se policia nuk ka intervenuar në kohë, pasiqë sipas tij agresori është marrur me dhunë drejtë selisë së PD-së, në vend të stacionit policor.
“Dhe çfarë shteti kemi këtu kur agresorin e marrin truprojat dhe e çojnë në selinë e PD. Nuk kishte asnjë polic aty. Ngjarja ka ndodhur 300 metra larg vendit ku po mbahej samiti.Në një vend normal do të duheshin të gjithë përfaqësuesit e politikës, mazhorancë dhe opozitë, pa ekuivokë, që në momentin e parë të dënonin dhunën. Dhe së dyti, të ketë një hetim të thellë e profesional, pa ndonjë ndikim,” ka shtuar më tej analisti Lutfi Dervishi.
Në lidhje me sulmin fizik ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar edhe ambasada e Britanisë së Madhe.
Në një postim në Twitter, ambasada britanike shkruan se “Dhuna s’ka vend në demokraci.”
“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë gjithmonë të drejtën për protestë paqësore. Sulmi ndaj Sali Berishës është një sulm i papranueshëm ndaj fjalës së lirë. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qëndrojnë krah për krah në mbështetjen tonë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. ”
Kujtojmë se pas incidentit të ndodhur në nisje të protestës reagoi edhe ambasada amerikane ne Tiranë.
“Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës”, shkruhet në reagimin e Ambasadës së Shteteve te Bashkuara në Tiranë ndërsa ju kërkojnë autoriteteve hetimin e ngjarjes.
“U skandalizuam nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të parlamentit dhe presim që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin.”
Nga Tirana edhe delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) reagoi për aktin e dhunshëm ndaj Berishës ku edhe dhe presin hetimin e plotë të ngjarjes.
“Dënojmë me forcë sulmin fizik që ndodhi sot gjatë protestës në Tiranë dhe presim që incidenti të hetohet plotësisht. Cdo sulm ndaj demonstruesve paqësorë që ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike te grumbullimit, dhe lirisë së shprehjes është I papranueshëm.”, thuhet në reagimin e BE-së.
Nga ana tjetër politologu Afrim Krasniqi shpreh i shqetësuar për atë që mund të vijë pas kësaj ngjarje.
Krasniqi për A2 CNN, ka thënë se ka një polarizim ekstrem, sipas tij shoqëria shqiptare, në thelb, është komuniste.
“Akti ishte i dënueshëm dhe akti sjell pasoja. Frika ime është pasoja që do të ketë në shoqërinë shqiptare. Unë kam ndjekur sot komentet e qytetarëve të thjeshtë dhe kam parë një polarizim ekstrem. Kur lexon atë gjuhë e kupton se pse Shqipëria ndodhet në këtë ditë. Shoqëria shqiptare është shoqëri komuniste në thelb, është shoqëri bardhezi, është shoqëri, e cila e shikon kundërshtarin si armik të vendit dhe të interesit publik dhe është i gatshëm ta eliminojë kundërshtarin politik”, shprehet Krasniqi.
Nga kabineti i kryeministrit Edi Rama janë shprehur se dhuna nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë mjet për adresuar çfarëdo çështje.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit.”
Sali Berisha në një konferencë për mediet pas përfundimit të protestës ka folur për sulmin fizik ndaj tij.
“Siç u pa, ishte një akt agresiv kriminal, i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur. Por ajo që është më flagrante, është se personi është agjent i policisë kriminale. Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale, kontingjent që futen me doza të vogla në rrethet e trafikantëve, problem me disa ç’rregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të, dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur. Fakti që zyra e tij, e kishte gati shkresën për të ua dhënë gazetarëve. Ju e dini se në raste të tilla këta persona përdoren, se një njeri normal nuk pranon kurrë të përdoret. Edi Rama duke dashur që të paraqesë veten duar jashtë e paraqiti veten 100% duar brenda,” është shprehur Berisha.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 31 vjeçari rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për plagosje, prishje të qetësisë publike si dhe në fushën e lëndëve narkotike.