E premte, 12 Korrik, 2024

INTERVISTË, SEBASTIAN ZONJA: SAMITI I TIRANËS U RA KAMBANAVE TË ALARMIT

Intervistoi: Enis Shaqiri 

Gazetari dhe njohësi i mirë i proceseve politike në Shqipëri dhe më gjërë, Sebastian Zonja duke folur për portalin kdpolitik.com shprehet se samiti i Tiranës ju ra tre kambanave alarmi për Tiranën dhe Prishtinën. Ai thotë se në kuadër të këtij samiti u prodhua edhe deklarata e përbashkët, e quajtur “Deklarata e Tiranës”.

Zonja gjithashtu thotë se Samiti i së martës në Tiranë, solli në Shqipëri liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, në thelb të këtij tij, u dakordua edhe një herë se Ballkani është prioritet strategjik për BE-në. Ndërkaq ky samit sipas Sebastian Zonjës vjen në sfondin e pushtimit rus në Ukrainë, ndërsa Ballkani dhe shumë ekspertëve të sigurisë, ka potencial për ndikimin rus dhe mund të kthehet në front trazirash.

Mirëpo çfarë u dakordua konkretisht dje në Samitin e Tiranës? Përse kryetarët e shteteve dhe Qeverive Evropiane u mblodhën në Tiranë? A do të përshpejtohet procesi  i integrimit evropian për vëndet e Ballkanit Perëndimor në sfondin e invasionit rus në Ukrainë? Çfarë parasheh pika nëntë, për sa i përket Dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit? Si u konceptua vizita e presidentit gjerman Steinmeier, pak ditë përpara samitit, në Shkup dhe Tiranë? Përse opozita në Shqipëri vendosi që të protestojë në të njejtën ditë me samitin BE-Ballkani Perëndimor?

Për këto dhe për më shumë detaje për KDPOLITIK.COM flet gazetari Sebastian Zonja nga Shqipëria.

KDP: Përse kryetarët e shteteve dhe Qeverive Evropiane u mblodhën në Tiranë?

Sebastian Zonja: Investimi evropian për ta mbajtur samitin në Tiranë është shenjë diplomatike për të treguar qëndrimin euroatlantik të palëkundur të vendit tonë në vazhdimësi, pavarësisht kush ka qenë në krye të qeverisë dhe shtetit.
Samiti i ra tre kambanave alarmi për Tiranën dhe Prishtinën:
1. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të kthehet mbrapa.
2. Brukeli angazhohet për normalizim marrëdhëniesh në dialogun Prishtinë – Beograd, ndërsa Washingtoni kërkon njohje recpiroke si nga Shtëpia e Bardhë, po ashtu edhe nga Departamenti i Shtetit. Pse ky ndryshim qëndrimesh?
3. Serbia, nga dokumenti i Tiranës, angazhohet për normalizim marrëdhëniesh, ndërsa Prishtina për Asosacion.
Samiti i së martës prodhoi deklaratën e përbashkët, të quajtur “Deklarata e Tiranës” dhe po ndalemi në disa momente kryesore:
– Në pikën dy të saj, BE-ja vetëangazhohet për përshpejtim të procesit integrues të vendeve të Ballkanit perëndimor në union. “BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit …”, shkruhet në deklaratë.
– Në pikën katër të kësaj deklarate lihet i nënkuptuar mesazhi për Serbinë se loja me dy porta, me Rusinë dhe BE-në, nuk shihet mirë nga vendet anëtare. Ata bëjnë thirrje që Serbia t’i bashkohet sanksioneve evropiane ndaj Rusisë.
– Risi e përfshirë tashmë në një dokument zyrtar është kthimi prapa i procesit të anëtarësimit. “Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian ka ftuar Komisionin,
Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin të çojnë përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar te meritat.”, shkruhet në pikën gjashtë.

KDP: A do të përshpejtohet proçesi i integrimit evropian për vëndet e Ballkanit Perëndimor në sfondin e invasionit rus në Ukrainë?

Sebastian Zonja: Kjo pikë do të ndezë debat sa i përket dy hipotezave për anëtarësimin e rajonit në BE. A do të kemi anëtarësim në bllok, apo veç e veç, bazuar në meritokraci? Duke parë problemet mes Maqedonisë së veriut dhe Bullgarisë sot, mund të hamendësojmë se nëse Prishtina apo Beogradi anëtarësohen përpar njëra – tjetrës në BE, mund të sjellin probleme në anëtarësim. Sërish, ekspertë të integrimit evropian e shohin të largët anëtarësimin e bllokut ballkanik në BE, duke theksuar se mund të ketë reformim të brendshëm të BE-së për të hequr votën unanime në çështje që kanë të bëjnë me buxhetin apo anëtarësimet.

KDP: Çfarë parasheh pika nëntë, për sa i përket Dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit?

Sebastian Zonja: Në pikën nëntë, sa i përket Dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, BE-ja kërkon nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërkohë, kërkesa e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit Amerikan të Shtetit thotë marrëveshje me në qendër njohjen. Po aty, në atë paragraf, shkruhet “Ne përsërisim pritshmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë.”Asosacioni është një temë e nxehtë në Kosovë, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, që do të ndikonte negativisht nëse do të implementohej me fuqi ekzekutive në zhvillimin normal të shtetit të Kosvoës.
Nevojitet një angazhim më i madh i qeverisë së Kosovës për transparencë ndaj qyetarëve sa i përket Dialogut, sepse udha që po merr Dialogu dhe shfaqjet që tentojnë të fshehin përmbajtjen e tij, si nga qeveritë e mëparshme, por edhe Kurti tani, tregojnë se ka një tension që i mbahet “sekret” publikut.
Tendenca diplomatike evropian për të barazuar agresionin shoven serb në veri të Kosovës me tentativën plotësisht legjitime të qeverisë së Kosovës për të shtrirë kontrollin e territorit edhe në veri të vendit, është një handikap që duhet marrë parasysh. “Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, shkruhet në deklaratë.
Në rastin e faktorit shqiptar në Ballkan, vlen të theksohet se Serbia po bën lojë të dyfishtë me BE-në dhe Rusinë, ndaj takimi në Tiranë ishte një mesazh edhe për të. Pyetja është nëse Prishtina dhe Tirana do ta kapin këtë moment të rëndësishëm gjeopolitik për të faktorizuar shqiptarët në Ballkan?
Dyshoj. Tirana ka treguar se ka një kryeministër që është “one man shoë”. Do që t’i marrë të gjitha përfitimet për vete në raste të këtilla. Pavarësisht kësaj, është gjë shumë e mirë që Shqipëria paraqitet si faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe partner i besueshëm në NATO.

KDP: Si i komentoni lëvizjet e fundit të kryeministrit Albin Kurti?

Sebastian Zonja: Në Kosovë, lëvizja e fundit e Kurtit për targat ishte shumë e mirë për të tërhequr vëmendjen te ajo që mund ta quajmë hipokrizia e Evropës, ku mbyll njërin sy për Putinin e Ballkanit, Vuçiqin. Por, siç duket, Kurti nuk i kishte bërë llogaritë mirë sepse amerikanët ishin kundër rritjes së tensioneve. Nuk deshën ndërlikime të situatës në Ballkan. Tentativa e Kurtit nuk u ndoq nga diplomacia kosovare, që do të thotë se Kosova, ashtu si Shqipëria, i përdor ambasadat për të rehatuar miqtë e politikanëve. Nevojitet për Kosovën në këto momente një infrastrukturë e fortë shtetërore dhe diplomatike për të përçuar mesazhin e rëndësishëm – në Ballkan ka një Putin të vockël dhe viktima me agresorin nuk janë njësoj.

– Po ashtu, Komuniteti Politik Evropian është një nismë e re që tashmë zë vend edhe në dokumentet zyrtare të Bashkimit Evropian. Në këtë Komunitet, në pikën 10 përfshihet edhe Moldavia. Nëse vendet e Ballkanit nuk bëjnë përpara me reformat, ata mund të kalojnë në një dhomë me Moldavinë dhe Ukrainën sa i përket anëtarësimit dhe ky është hap mbrapa.

KDP: Si u konceptua vizita e presidentit gjerman Steinmeier, pak ditë përpara samitit, në Shkup dhe Tiranë? Si dhe a ka më të ardhme nisma e e Ballkanit të Hapur ?

Sebastian Zonja: Vëmendja edhe vizita e presidentit gjerman Steinmeier, pak ditë përpara samitit, në Shkup dhe Tiranë, la të kuptohet se grupet e punës mes gjermanëve dhe shqiptarëve dhe maqedonëve kanë qartësuar dhe bashkërenduar qëndrimet e Tiranës dhe Shkupit për problemt rajonale. Presidenti, sikundër edhe vetë kancelari Scholz në një artikull në “Foreign Policy”, kanë vënë theksin te Procesi i Berlinit. Pra, me gjasë, pas samitit të Tiranës, nuk ka më Ballkan të hapur, por vetëm Proces Berlini.

KDP: Përse opozita në Shqipëri vendosi që të protestojë në të njejtën ditë me samitin BE-Ballkani Perëndimor?Si dhe çka mund të na thoni për incidentin ndaj Sali Berishës në protestat e ditës së djeshme të opozitës?

Sebastian Zonja: Po në ditën që mbahej samiti në Tiranë, opozita e përbërë nga Lëvizja për Rithemelim në Partinë Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, thërritën protestë për t’i treguar evropianëve se qeveria e Edi Ramës është e korruptuar. Vëmendjen e protestës së opozitës e mori dhuna e ushtruar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Aktet e dhunës nuk kanë vend në politikë dhe ai akt duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit. Mundet mos të biesh dakord me idetë e një politikani, por është kutia e votimit dhe zakonet e shëndosha politike ato që vendosin “pikat mbi I”, jo dhuna. Njëzëri, politikanë, intelektualë dhe trupi diplomatik kanë reaguar kundër dhunës së ushtruar ndaj z. Berisha.
Për ta vëzhguar më në brendësi këtë akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, ajo dhunë është pasojë e një polarizimi të thellë të politikës shqiptare, ku secili politikan i lartë ka kontributet e veta. Po ashtu, ajo tregon edhe mungesën e përmasës së shoqërisë civile dhe vetëdijes politike të shumë vendimmarrësve, për të ndërtuar një amortizator të rëndësishëm ku i thuhet ndal fjalorit që nxit dhunë.
Dhuna në sferën e politikës ka një shekull që legjitimohet nga shumë njerëz, sidomos nga historianët e kohës së komunizmit. Legjitimuan vrasjen e Esad Pashë Toptanit mbi motive patriotike. Po ashtu, mbi këto motive, kanë legjitimuar atentatet ndaj Ahmet Zogut. Diktatori Enver Hoxha do ta përsoste dhunën shtetërore me toga pushkatimi dhe duke zhdukur institucionin e avokatisë. Edhe gjatë pluralizmit politik postkomunist, politikanët e lartë mbetën me të njëjtën mendësi, ku dhuna ishte pjesë e fjalorit të tyre dhe nuk kanë munguar as aket publike të dhunës.
Po sjell një rast historik për të ilustruar çka thashë më sipër. Kur Ahmet Zogu po hynte në parlament, Beqir Valteri del dhe i qëllon me pistoletë për ta vrarë. Beqirit i merrej goja dhe, pa e thënë akoma fjalinë, Zogu ngre krahun për ta çarmatosur, ndërhyn Garda dhe Valteri shtin në drejtim të tij duke e plagosur në krah dhe brinjë.
Osman Gazepi, adjutant i Zogut, merr një bombë dore dhe shkon te grupi opozitar. Valteri futet në banjën e Kuvendit, ndërsa ndihmësit e Zogut shkojnë për të shpërthyer derën. Situata ishte alarmante. Zogu ngjitet në foltoren e Kuvendit dhe qetëson gjakërat. Beqirit i jep bursë më pas dhe i thotë të mos përdoret nga politika. Gjithë opozitarët e kohës investoheshin asokohe për atentate ndaj Zogut dhe njëri – tjetrit. Sot, pas kaq dekadash, politika ka mbetur ende si një shekull më parë me thirrje për dhunë dhe duke u sjellë si çeta revolucionare, jo parti politike.

 

 

Të fundit