Vedije Ratkoceri: Nuk mendoj se kemi shtim të rasteve, por mendoj se kemi ndërgjegjësim më të lartë të grave për të raportuar dhunën e ushtruar ndaj tyre.
Era Gjakova: Fatkeqësisht viktimat në vendin tonë janë të pamotivuara që të denoncojnë, pasi që hasin në barriera të ndryshme institucionale.
Arbër Kadriu: Ndërhyrja e ekzaminimit të psikologu familjarë do të ishte konsolidim i të gjitha paqartësive që çojnë deri në dhunë, me ç’rast viktima shpesh janë të miturit pra fëmijët.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Megjithëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka infrastrukturë të mirë ligjore, dhuna ndaj grave është ende prezentë dhe jo shpesh e pa ndëshkueshme. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare të institucioneve në vendin tonë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga viti 2019 e deri në shtator të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 2,779 raste të veprave penale të dhunës në familje dhe numri i të dhunuarve nga këto raste, 2,996, pjesa më e madhe janë gra. Gjatë këtij viti në Maqedoninë e Veriut, 1129, prej tyre 792 gra dhe 177 burra e kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre.
Profesoresha universitare dhe ligjëruesja e lëndëve juridiko-penale, Vedije Ratkoceri, thotë se nuk ka shtim të rasteve të dhunës ndaj grave, por se ka ndërgjegjësim më të lartë të grave për të raportuar dhunën e ushtruar ndaj tyre.
“Nuk mendoj se kemi shtim të rasteve por mendoj se kemi ndërgjegjësim më të lartë të grave për të raportuar dhunën e ushtruar ndaj tyre. Ndërkaq, është e vërtetë se edhe ato raste të mos-denoncimit nga viktimat, pra që mbesin në zonën e errët të kësaj forme të kriminalitetit, janë për shkak të humbjes së besimit në institucionet përkatëse ( polici, prokurori, gjykatë) se do t’u ofrojnë mbrojtjen dhe ndihmën e nevojshme. Mosndëshkimi i kryerësve, mos trajtimi adekuat i rasteve të dhunës në familje nga institucionet përgjegjëse dekurajon viktimat që të raportojnë dhunën”, u shpreh profesoresha Ratkoceri.
Aktivistja e shoqërisë civile, Era Gjakova, thotë se edhe pse ka fushata vetëdijesimi kundër dhunës ndaj grave, sërish kemi shtim të numrit të rasteve të dhunës ndaj grave.
“Fatkeqësisht viktimat në vendin tonë janë të pamotivuara që të denoncojnë, pasi që hasin në barriera të ndryshme institucionale. Duke filluar nga policia, nga të cilët një numër shumë i madh nuk janë për këto vepra të cilat në vetvete janë shumë delikate. Më pas kemi raste kur edhe pas denoncimit, organet kompetente nuk i ndërmarrin hapat e nevojshme për zbardhjen e rasteve, gjetjen dhe përcaktimin e sanksionit përkatës për kryerësin e veprës. Nëse flasim për atë se përse kemi kaq shumë raste të dhunës ndaj grave, patjetër që nuk mund ta anashkalojmë edhe mos kontributin e organeve shtetërore dhe vet shtetit për të parandaluar këtë formë të dhunës e cila ushtrohet vetëm pse viktima është vajzë apo grua”, u shpreh aktivistja Gjakova.
Psikologu klinik Arbër Kadriu, ndërkaq, shprehet se orientimi dhe zgjidhja e kësaj problematike është drejtimi tek institucionet shtetërorë.
“Shpesh shkruaj dhe kërkoj që gjeneratat e reja, martesën ta marrin me seriozitet dhe kur ta japin besën në çift të mos e bëjnë pishman. Sa për dhunën ato duhet të paraqiten, të luftohen dhe t’u jepet më shumë hapësirë temave për parandalimin e dhunës ndaj femrave. Orientimi dhe zgjidhja më e mirë do të ishte drejtimi te institucionet shtetërore, policia etj. Ndërkaq edhe ndërhyrja e ekzaminimit të psikologu familjarë do të ishte konsolidim i të gjitha paqartësive që çojnë deri në dhunë, me ç’rast viktima shpesh janë të miturit pra fëmijët”, u shpreh psikologu Kadriu.
Përndryshe, muajt e fundit janë shtuar rastet e dhunës ndaj grave në hapësirat shqiptare, ndërkaq para disa kohësh në Kosovë u vra edhe një grua nga ish bashkëshorti i saj.