E premte, 12 Korrik, 2024

“DEKLARATA E TIRANËS” – UDHËRËFYES PËR NË EVROPË

Shkruan: Enis Shaqiri

Nevoja e pëgjigjes së unifikuar si kontinent ndaj rreziku nga ndikimi i Rusisë dhe nga vala e migrantëve ilegal, ka tubuar të martën në Tiranë 27 liderët e Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Është kjo hera e parë që një Samit BE-Ballkani Perëndimor të mbahet në një vend jashtë Unionit.

Samiti i Tiranës mes liderëve të Unionit dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimorë u konkretizua me përfitime të ndryshme, mes tjerash duke rikonfirmuar edhe njëherë përkushtimin e palëkundur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.

Gazetari dhe analisti Sebastian Zonja në një prononcim për KDP thekson se ky samit erdhi në sfondin e pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa Ballkani, sipas tij dhe shumë ekspertëve të sigurisë, ka potencial për ndikimin rus ku edhe mund të kthehet në front trazirash.

Zonja thotë se ky samiti prodhoi edhe një deklaratë të përbashkët, të quajtur “Deklarata e Tiranës” që, sipas tij, ka disa momente kryesore:

Në pikën dy të saj, BE-ja vetëangazhohet për përshpejtim të procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor në union. “BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit …”, shkruhet në deklaratë. Në pikën katër të kësaj deklarate lihet i nënkuptuar mesazhi për Serbinë se loja me dy porta, me Rusinë dhe BE-në, nuk shihet mirë nga vendet anëtare. Ata bëjnë thirrje që Serbia t’i bashkohet sanksioneve evropiane ndaj Rusisë. Risi e përfshirë tashmë në një dokument zyrtar është kthimi prapa i procesit të anëtarësimit.  “Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian ka ftuar Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin të çojnë përpara integrimin gradual të rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar te meritat.”, shkruhet në pikën gjashtë, ” thotë Sebastian Zonja

Sipas tij, bazuar në meritokraci këto pika do të ndezin edhe debate të shumta për sa i përket dy hipotezave për anëtarësimin e rajonit në BE.

Duke parë problemet mes Maqedonisë së veriut dhe Bullgarisë sot, mund të hamendësojmë se nëse Prishtina apo Beogradi anëtarësohen përpar njëra – tjetrës në BE, mund të sjellin probleme në anëtarësim. Sërish, ekspertë të integrimit evropian e shohin të largët anëtarësimin e bllokut ballkanik në BE, duke theksuar se mund të ketë reformim të brendshëm të BE-së për të hequr votën unanime në çështje që kanë të bëjnë me buxhetin apo anëtarësimet. Në pikën nëntë, sa i përket Dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, BE-ja kërkon nga Serbia njohjen e Kosovës, duke e lënë të nënkuptuar njëlloj si kërkesa e Departamentit Amerikan të Shtetit – Marrëveshje me në qendër njohjen”, thotë Zonja

Kujtojmë se në samitin e djeshëm kryediplomati i BE-së, Josep Borell, rikonfirmoi edhe njëherë se Bashkimi Evropian ka dorëzuar në Kosovë si dhe në Serbi versionin final të propozimit më të ri, atij franko-gjerman, në tavolinën e dialogut ku dhe u ka bërë thirrje palëve që të angazhohen maksimalisht, pasi kjo është një mundësi e madhe për ta.

Lidhur me këtë Sebastian Zonja thotë se Serbia po bën lojë të dyfishtë si me BE-në njejtë edhe Rusinë, ku ndaj takimi në Tiranë ishte edhe një mesazh edhe për të.

Ndërkaq pyetja e tij është se nëse Prishtina dhe Tirana do ta kapin këtë moment të rëndësishëm gjeopolitik për të faktorizuar shqiptarët në Ballkan?

Tendeca diplomatike për të barazuar agresionin shoven serb në veri të Kosovës me tendencën e qeverisë së Kosovës për të shtrirë kontrollin e territorit edhe në veri të vendit, është një handikap që duhet marrë parasysh. “Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, shkruhet në deklaratë. Në rastin e faktorit shqiptar në Ballkan, vlen të theksohet se Serbia po bën lojë të dyfishtë me BE-në dhe Rusinë, ndaj takimi në Tiranë ishte një mesazh edhe për të. Pyetja është nëse Prishtina dhe Tirana do ta kapin këtë moment të rëndësishëm gjeopolitik për të faktorizuar shqiptarët në Ballkan? ” thotë Zonja.

Zonja për më tepër komentoi edhe sulmin e fundit ndaj ish-Kryeminstrit Sali Berisha, duke shtuar se mund që të mos jemi dakord me idetë e një politikani, por që aktet e dhunës nuk kanë vend në politikë dhe ai akt sipas tij duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit.

“Po në ditën që mbahej samiti në Tiranë, opozita e përbërë nga Lëizja për Rithemelim në Partinë Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, thërritën protestë për t’i treguar evropianëve se qeveria e Edi Ramës është e korruptuar.Aktet e dhunës nuk kanë vend në politikë dhe ai akt duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit. Mundet mos të biesh dakord me idetë e një politikani, por është kutia e votimit dhe zakonet e shëndosha politike ato që vendosin pikat mbi i, jo dhuna. Për ta vëzhguar më në brendësi këtë akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, ajo dhunë është pasojë e një polarizimi të thellë të politikës shqiptare, ku secili politikan i lartë ka kontributet e veta. Po ashtu, ajo tregon edhe mungesën e përmasës së shoqërisë civile dhe vetëdijes politike të shumë vendimmarrësve për të ndërtuar një amortizator të rëndësishëm ku i thuhet ndal fjalorit që nxit dhunë,” thotë për KDP Sebastian Zonja.

 

 

 

Të fundit