E premte, 17 Maj, 2024

MINISTRI I FINANCAVE FATMIR BESIMI NË BRUKSEL

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, ka marrë pjesë në Bruksel në skriningun dypalësh për Kapitullin 32 në lidhje me kontrollin financiar për të cilin Ministria e Financave është institucioni kryesues.

Sikurse transmeton kdpolitik.com, ministri Besimi ka nënvizuar se Ligji i Buxheteve bazë e reformave për përmirësimin e menaxhimit të financave publike“Përmirësimi i menaxhimit të financave publike në kontinuitet është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, i cili është gjithashtu edhe prioritet për aderimin në BE. Si pjesë e reformës në administratën publike ky prioritet është një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE -së. Procesi i arritjes së këtij prioriteti nënkupton përafrimin e legjislacionit tonë me standardet e BE-së, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e sistemit të përgjithshëm të menaxhimit të financave publike, ndërsa udhëhiqet përmes Programit të menaxhimit të financave publike 2022-2025, i cili bazohet në konceptin SMART financa, si dhe Strategjinë nacionale për luftën kundër mashtrimit dhe mbrojtjen e interesave financiare të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2022-2025 e miratuar nga qeveria”, – ka thënë  ministri Besimi. Sipas tij, programi i ri lidhur me reformën e menaxhimit të financave publike synon përmirësimin e kornizës fiskale afatmesme, përforcimin e procesit të planifikimit buxhetor, të sistemit të prokurimeve publike, si dhe avancimin e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, përmes rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

Ministri Besimi ka nënvizuar se miratimi i  Ligjit për Buxhetet vendos bazën e politikës fiskale bashkëkohore, përmirëson projeksionet fiskale afatmesme dhe rrit transparencën. Kjo reformë është theksuar edhe në Raportin e BE-së lidhur me progresin e RMV-së.

Ministri Besimi, theksoi se edhe në periudhën e kaluar janë bërë shumë përpjekje për harmonizim të mëtejshëm të legjislacionit nacional me atë evropian në këtë fushë dhe janë ndërmarrë shumë veprime reformuese që gëzojnë edhe mbështetjen e BE-së. Kreu i Financave ka lënë të kuptohet në të ardhmen, në rrafshin e reformave në qendër të vëmendjes do të jetë miratimi i Ligjit të ri të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, mjetet metodologjike dhe fillimi i zbatimit të tyre me qëllim të përmirësimit të transparencës, përgjegjësisë menaxheriale dhe menaxhimit të mirë me mjetet publike, si dhe miratimi i Propozim ligjit të Revizionit Shtetëror, i cili duhet ta përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet Entit Shtetëror të Revizionit dhe Kuvendit, të përmirësojë kontrollin parlamentar mbi zbatimin e buxhetit dhe monitorimin e rekomandimeve të Entit Shtetëror të Revizionit, të sigurojë vendosjen dhe funksionimin efikas së rrjetit koordinues në luftën kundër mashtrimeve, si dhe ta përmirësojë parandalimin, menaxhimin dhe raportimin e parregullsive gjatë shfrytëzimit të fondeve të BE-së. Në këtë takim në kuadër të skriningut dypalësh u prezantua gjendja dhe plani i mëtejshëm për harmonizimin në fushën e kontrollit të brendshëm financiar publik, revizionin e jashtëm, mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe mbrojtjen e euros.

Të hënën, ministri i Financave, Fatmir Besimi mori pjesë në skriningun dypalësh dedikuar kritereve financiare. Ky është hapi i parë në procesin e negociatave për aderimin  e vendit në BE. Skriningu u mundëson vendeve kandidate të njihen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe me detyrimet që rezultojnë nga to, si dhe me nivelin e gatishmërisë së vendeve dhe planet e tyre për harmonizim të mëtejshëm. Në këtë proces, Ministria e Financave është institucion kryesues në tetë fusha, përkatësisht kapituj në katër klasterë nga gjithsej gjashtë të tillë.

Të fundit