Kjo histori nuk do të përfundojë këtu, por do të vazhdojë – dhe do të vazhdojë për mirë sepse atë që nuk e kuptojnë iniciatorët e këtij veprimi është që hapësirën nuk e bëjnë muret por njerëzit brenda tyre, që një vend nuk e bëjnë pllakat por idetë, që një komunitet nuk mbahet nga shtypja por nga liria, nga pavarësia – andaj Spejsi do të gjejë mure e pllaka të reja ndërkaq muret e objektit të ish-radio Tetovës do të frymojnë me turp, apo do të mbulohen nga sërish nga harresa.
Shkruan: Sefer Selimi Jr.
Në qershor të vitit 2018 në dyert e organizatës tonë, Democracy Lab, në Tetovë trokiti një grup i të rinjve me një kërkesë që na eksitoi të gjithëve. Ky grup i të rinjve urban kërkonte një organizatë lokale e cila do të mbulonte institucionalisht një iniciativë bashkëpunimi në kuadër të programit evropian Erasmus+ me një organizatë nga Brukseli, e cila si mision të vetin kishte ringjalljen dhe rikthimin në funksion të komunitetit hapësira publike të braktisura.
Në thelb, kjo ide fisnike zgjidhte më shumë probleme përmes një qasje të vetme: Mënjanonte pisllëkun e mbledhur nga koha dhe harresa institucionale, rikthente në përdorim një objekt që është ndërtuar me paratë e qytetarëve dhe në fund e kthente atë në resurs për vetë komunitetin ku mund të zhvillohen aktivitete dhe ngjarje të ndryshme – përfshirë dhe shfrytëzimin ditor ku të rinjtë mund të mblidhen për të kaluar kohën. Dilema ynë e vetme në atë kohë ishte nëse pas rivitalizimit të objektit do mund vetë komuniteti të kujdeset për hapësirën për të mos e lënë të kthehet në skutat e harrësës sërish. Kjo ishte një brengë legjitime duke qenë dëshmitar dhe duke u përballur si organizatë drejtpërdrejtë me letargjinë e të rinjve në shoqërinë tonë.
Megjithatë, pas shumë përpjekjesh arritëm të dakordohemi, u vendosëm plotësisht në funksion të kësaj iniciative dhe pas shumë përpjekjesh, hulumtimesh e konsultimesh identifikuam dy hapësira për intervenim: 1) Objekti i lënë pas dore i ish-Radio Tetovës dhe 2) Hapësira përballë stacionit të autobusëve ku do të ndërtohej një mini-skatepark. Për dhjetë ditë të korrikut, Tetovën e vërshuan më shumë se 40 vullnetar nga Belgjika, Kosova dhe Zvicra, djem e vajza të reja me profesione të ndryshme të cilët duke shfrytëzuar pushimet vjetore erdhën për t’i dhënë Tetovës një hapësirë për komunitetin. Puna e tyre fizike, bashkë me vullnetarët lokal ishte një përpjekje tejnjerzore me djersët e derdhura në kuptimin figurativ e real të fjalës – nga herët në mëngjes deri në orët e vona të natës. Vetëm nga objekti i ish-Radio Tetovës janë hedhur më shumë se 4 kamionë me zhul e mbeturina, e pluhuri matej me pëllëmbë. 10 ditë pa ndërprerje vullnetarët jo vetëm që transformuan një objekt nga i cili të zinte frika në një objekt modest por gjithë jetë për komunitetin, por ato sollën edhe festën, përkushtimin e për më tepër sollën shembullin e dashurisë për komunitetin. Nga kjo lindi Hapësira Socio Kulturore e Tetovës, apo siç njihet nga të rinjtë – Spejsi.
Pas transformimit fizik duhej transformimi njerëzor për t’i dhënë shpirt e jetë një objekti me mure të lagëta e mykura nga harresa. Përtej investimit të vazhdueshëm por copa copa e me shumë vështirësi, me shumë pengesa e ngadalësime nga institucionet e pushtetit lokal, grupi i të rinjve që morën përsipër ta ringjallin objektin me shumë sakrificë por me vullnet të palëkundër në fund arritën t’i kthejnë shpirtin objektit. Për katër vite u organizuan ekspozita, debate, punëtori e aktivitete shoqërore të cilët aq shumë i mungojnë rinisë dhe komunitetit tonë. Me vetëmohim u ndërtua një komunitet i pavarur, aleternativ e urban i të rinjve të Tetovës dhe jo vetëm. Sepse ashtu siç Tetova ndoqi shembullin e Brukselit dhe Prishtinës, atë shembull e ndoqi edhe Tirana dhe vazhdojnë ta ndjekin edhe qytete tjera në Ballkan e Evropë.
Dhe kur gjithçka kishte hyrë në rrugën e mbarë për t’u kthyer në një hapësirë që do të prodhojë shpirt të pavarur e urban mes të rinjve, kur këta të rinj u njohën dhe u pranuan nga komuniteti vendor dhe i jashtëm – ata që duhej t’u jepnin krah, u ngritën paturpësisht ta vdesin këtë hapësirë. Mendjengushtësia dhe zemërvogëlsia e udhëhequr nga smira, dashuria për pushtet dhe kontroll, dhe interesi afatshkurtër i Kryetarit të Komunës dhe njerëzve përreth tij u vunë në lëvizje për ta uzurpuar dhe tjetërsuar një iniciativë qytetare, të udhëhequr nga vetë të rinjtë. Duke analizuar kampanjën paraprake të udhëhequr nga militantë partiak të Kryetarit të Komunës, akuzat e pabaza dhe tendencën për t’i denigruar njerëzit dhe aktivitetet e zhvilluara të jep përshtypjen se ato burojnë ose nga injoranca që i verbon për të bërë dallimin ose nga urrejtja ideologjike dhe mentaliteti i robit që e urren lirinë, pavarësinë dhe organizimin autonom e autokton të komunitetit. Ajo që këtë përpjekje të destinuar për të dështuar për më tepër e bën skandaloze deklarata dhe akuza e vetë Kryetarit Kasami i cili pa ofruar prova akuzoi para opinionit se në këtë hapësirë janë zhvilluar aktivitete ‘’pornografike’’, akuzë të cilën tash gjithsesi do duhet ta provoj para organeve të drejtësisë – sepse edhe po mos ta padisin vullnetarët e hapësirës gjithsesi që do ta padisin prindërit, fëmijët e të cilëve kanë qenë pjesë e aktiviteteve ose në instancë të fundit për të këtilla akuza mundet vetë prokuroria të nis hetimet. Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, e që këta udhëheqës lokal të denigrohen plotësisht para opinionit publik, si hajdutët në mes të natës, një grup i cili me çelës të vjedhur e të paautorizuar, të udhëhequr nga ish-zëvendës ministri për kulturë, zëvendësojnë bravën e derës hyrëse duke i privuar nga aksesi në hapësirë vullnetarët. E që kjo të jetë edhe më absurde, para derës vendosin roje për të ruajtur hapësirën dhe mjetet brenda hapësirës nga pronarët e ligjshëm – e që në fakt nënkupton uzuprim klasik nga ana e Kryetarit dhe autoriteteve lokale.
E gjithë kjo histori e trishtë dhe absurde për komunitetin dhe të rinjtë e Tetovës u nis dhe u zbatua nga ata që duhej të ishin krah, mbështetës dhe financues të kësaj iniciative qytetare. Sidoqoftë kjo histori do të vijë pasoja për palët, e këtu humbësi më i madh do të jetë vetë Kryetari i Komunës, Bilall Kasami i cili mbase i dehur nga një kaçik pushtet u lëshua në një avanturë kaq të pamatur e të panevojshme që do ta vendos përballë të rinjve të Tetovës, organizatave lokale qytetare e ndërkombëtare dhe para gjithë komunitetit ndërkombëtar si një pushtetar që nuk e duron lirinë, që e urren pavarësinë dhe që është kundër vlerave evropiane.
Kjo histori nuk do të përfundojë këtu, por do të vazhdojë – dhe do të vazhdojë për mirë sepse atë që nuk e kuptojnë iniciatorët e këtij veprimi është që hapësirën nuk e bëjnë muret por njerëzit brenda tyre, që një vend nuk e bëjnë pllakat por idetë, që një komunitet nuk mbahet nga shtypja por nga liria, nga pavarësia – andaj Spejsi do të gjejë mure e pllaka të reja ndërkaq muret e objektit të ish-radio Tetovës do të frymojnë me turp, apo do të mbulohen nga sërish nga harresa.