E diel, 27 Prill, 2025

TRITANI KUNDËR DRITANIT PËR „BALLKANIN E HAPUR“

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare, Tritan Shehu, ka hedhur poshtë vlerësimet e kryeministrit malazez në largim, Dritan Abazoviq, se “Ballkani i hapur” dhe “Procesi i Berlinit” janë projekte që ndihmojnë njëri-tjetrin.“Një analizë kjo sikur ta bënte zëdhenësi i Vuçiçit!”-  transmeton kdpolitik.com reagimin e Shehut.

Kryeministri malazez në largim, Dritan Abazoviq, që njëherësh është edhe shef i diplomacisë, ka deklaruar në Bukuresht, ku merr pjesë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, se mbështet çdo nismë që shpie drejt bashkëpunimit dhe pajtimit në rajon dhe në këtë rrafsh ka kritikuar ata të cilët „Ballkanin e hapur“ dhe „Procesin e Berlinit“ i shikojnë si nisma rivale: „Nuk mendoj fare se „Ballkani i hapur“ dhe „Procesi i Berlinit“ janë në shpërputhje dhe nuk mund të mbështesni të dyja iniciativat,“ – ka deklaruar Abazoviq për agjencinë serbe të lajmeve „Beta“

Në një reagim të tij lidhur me këtë, në rrjetet sociale, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Tritan Shehu, ka thënë se „Abazoviç mund të ketë “të drejtë” vetëm në një kuptim, kur deklaron se “Ballkani i hapur” i dha vrull “Procesit të Berlinit!“- transmeton kdpolitik.com reagimin e Shehut.

„Vetëm nqs ai nënkupton se “Ballkani i hapur” e qartësoi BE-në për rreziqet, që po i ofronte Rajonit ai vetë, për përpjekjet që po bëheshin për të konsoliduar hegjemoninë ekonomike e politike të Serbisë në Rajon nëpërmjet tij,“ – thotë ish-kryediplomati shjqiptar duke nënvizuar se „Ballkani i Hapur“ u përdor si një instrument përcarës midis vendeve ballkanike dhe „goditës ndaj sovranitetit të Kosovës, thjesht destabilizues dhe pa dyshim si një zgjatim i Rusisë në Rajon nëpërmjet Serbisë“.

Këto elemente, thotë T. Shehu, “ishin shumë shqetësuese për Brukselin dhe e stimuluan atë të përshpejtojë Procesin e Berlinit, si mjeti kryesor zhvlerësues ndaj “Ballkanit të hapur”. Ndryshe nuk mund të “përkthehen” deklarata të tilla, nqs duam t’i japim atyre një kuptim e racionalitet! Por sidoqoftë ky “përkthim” bëhet i dyshimtë po të lexosh me poshtë atë që Abazoviç thotë, që është pikërisht e kundërta e të vërtetës:“Ballkani i hapur” nuk e pengon Procesin e Berlinit duke e konsideruar këtë si një konkurrencë të shëndetshme!“- citon Shehu kryeministrin malazez me mandate Teknik, duke përmbyllur komentimin: “Një analizë kjo sikur ta bënte zëdhenësi i Vuçiçit! “Ballkani i hapur” e Procesi i Berlinit janë diametralisht larg njëri-tjetrit. Krahasimi i tyre është si të krahasosh “natën me ditën”– përfundon ish-kreu i diplomacisë shqiptare.

Të fundit