E shtunë, 13 Korrik, 2024

RRITJA E INFLACIONIT, SHPORTA KONSUMATORE ME ÇMIMIN MË TË LARTË NË RAJON

Sipas Eutostat-it Maqedonia e Veriut është vendi me përqindjen më të lartë të inflacionit me vlerë prej 19.4 për qind në bazë të IHÇK-së (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit), në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Profesoresha universitare, Teuta Qerimi, thotë se ndër shqetësimet kryesore për inflacionin e vazhdueshëm të lartë është rënia e standardit të jetesës së qytetarëve. Ekonomistja Haxhere Osmani vlerëson se pagat e ulëta dhe mungesa e mundësive për punë të denjë kanë kontribuar fuqishëm në pabarazinë e të ardhurave në rajon. Ndërsa, Isamet Bakiu  nga Oda Norvegjeze e Republikës së Maqedonisë së Veriut, thotë se kostoja e jetesës për qytetarët në vendin tonë ka dallime të mëdha në mënyrë disproporcionale në krahasim me vendet tjera të rajonit, gjë që gjithashtu kërcënon synimet drejt BE-së.

Shkruan: Puhiza Osmani

Sipas Statistikave të fundit të bëra nga Eurostati (Zyra statistikore e Bashkimit Evropian), Maqedonia e Veriut është vendi me përqindjen më të lartë të inflacionit me vlerë prej 19.4 për qind në bazë të IHÇK-së (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit), në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, profesoresha Teuta Qerimi thotë se inflacioni paraqet një rrezik të qartë dhe të dukshëm për ekonominë tonë. Sipas saj ndër shqetësimet kryesore për inflacionin e vazhdueshëm të lartë është rënia e standardit të jetesës së qytetarëve.

“Sipas konkluzionit tim Maqedonia e Veriut ndodhet në një skenar të rrallë dhe katastrofik, në të cilin inflacioni është rritur me vlera marramendëse brenda këtyre katër viteve të fundit. Rruga e vetme që vendi jonë të dalë nga kjo krizë, është të përpiqet që ta mbajë rritjen e çmimit të shportës konsumatore në nivelin më të ulët të mundshëm dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që njerëzit të mos e vënë re. Inflacioni i ulët dhe i qëndrueshëm do të ndihmonte për të mbajtur nën kontroll pritjet e konsumatorëve. Unë shpesh e përdor nocionin e një spiraleje paga-çmim, që do të thotë rritje më të larta të pagave për punëtorët, që ata të mund ta përballojnë këtë inflacion veç më të rrënjosur”, thotë Qerimi.

Ekonomistja Haxhere Osmani, thekson se mungesa e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse në rajon do të thotë se pasiguria në të ardhurat dhe vendet e punës vazhdon të ndikojë negativisht në një pjesë të madhe të popullsisë. Sipas saj, për një numër të madh punëtorësh, puna nuk është rrugëdalje për të përballuar rritjen e çmimit të shportës konsumatore dhe as garanci për një jetë dinjitoze. Varfëria në punë mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit, sepse rreth një në katër punëtorë jeton nën kufirin e varfërisë në Maqedoninë e Veriut.

“Pagat e ulëta dhe mungesa e mundësive për punë të denjë kanë kontribuar fuqishëm në pabarazinë e të ardhurave në rajon. Nivelet e larta të papunësisë, pasiviteti ekonomik dhe varfëria mbeten burime sfidash. Këto tendenca nuk janë vetëm një fyerje për drejtësinë sociale, ato janë një rrezik për stabilitetin social dhe politik, dhe rrjedhimisht për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut. Pagat e ulëta dhe normat e larta të varfërisë kontribuojnë në deficitin e kërkesës agregate, gjë që ndikon në rritjen e mëtejshme të çmimit të shportës konsumatore. Nivelet e larta të pabarazisë në të ardhura sjellin me vete rreziqe të mëdha, duke përfshirë lëvizshmërinë e ulët sociale, nënshfrytëzimin e potencialit njerëzor, uljen e kohezionit social dhe gërryerjen e besimit në institucione”, thotë Osmani.

Nga Oda Norvegjeze e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Isamet Bakiu u shpreh se kostoja e jetesës për qytetarët në vendin tonë ka dallime të mëdha në mënyrë disproporcionale në krahasim me vendet tjera të rajonit, gjë që gjithashtu kërcënon synimet drejt BE-së.

“Dallimet në paga, në kushtet e punës si dhe në rritjen e çmimit të shportës konsumatore, gjithmonë e më tepër po thellohen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe vendeve anëtare të BE-së. Pagat mesatare në Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë rreth një të katërtën e pagës mesatare në BE. Prandaj nuk është për t’u habitur që kushtet e këqija të punës dhe të jetesës në rajon i shtyjnë njerëzit të emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira. Këto trende kanë pasoja të mëdha për sa i përket mungesës së punës dhe financave publike të qëndrueshme. Më shumë se një e treta e popullsisë së Maqedonisë së Veriut aktualisht jeton jashtë vendit. Për shkak të këtyre tendencave të cilat e vështirësojnë gjendjen ekonomike për qytetarët është e parashikueshme se emigracioni dhe rënia e ndjeshme e ofertës së fuqisë punëtore do të vazhdojnë që të rritet”, thotë Bakiu.

 

 

 

 

 

 

Të fundit