E premte, 12 Korrik, 2024

ZEQIRI: NJË HAP I VOGËL NË DUKJE PËR NJË PROJEKT TË MADH NË ARDHJE

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Izet Zeqiri  në ceremoninë me rastin e fillimit të rindërtimit të objekteve në Kazermën “Ilinden” falënderoi të gjithë funksionarët që kanë ndihmuar në realizimin e projekteve për UNT. Ai tha se ky fillim i punimeve është një hap i vogël në dukje i një projekti të madh në ardhje. Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, u shpreh se institucionet e arsimit i mbajnë gjallë punonjësit dhe studentët.

 Shkruan: Gentuar Ismaili

Dita e flamurit, 28 nëntori përkoi me nisjen e punimeve të rikonstruimit të kampusit të ri të universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ku të pranishëm ishin funksionarë shtetërorë, anëtarë të qeverisë dhe kryetarë komunash.

Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri deklaroi se ky fillim i punimeve është një hap i vogël në dukje i një projekti të madh në ardhje.

Zeqiri gjithashtu u shpreh se ai është falënderues ndaj të gjithë kontribuuesve të UNT-së.

“Edhe pse në pamje të parë, siç edhe e shihni pamja e hapësirës ku gjendemi, lë shumë për të dëshiruar, gjendja është siç është, hapësira të lëna pas dore, ndërtesa të rrënuara, por besoni për ne që jemi pjesë e UNT-së, është vendi më i bukur që do donim të jemi. Kjo është shtëpia jonë, dhe ndjenja që na ofron kjo ditë, është e papërshkrueshme”, tha rektori Zeqiri.

Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, u shpreh se institucionet e arsimit i mbajnë gjallë punonjësit dhe studentët.

“Universiteti ‘Nënë Tereza’ e ka dëshmuar që me programet studimore, me pesë fakultetet, mbi 40 programe studimore, shumë marrëveshje bashkëpunimi, është shumë i rëndësishëm, sepse shumë studentë të UNT-së janë pjesë e programeve në universitete të jashtme në bazë të këtyre programeve dhe marrëveshjeve”, tha ministri Shaqiri.

Përndryshe, UNT-ja u themelua në vitin 2016, kurse deri tani ligjëratat studentët i kanë mbajtur në dy objekte të improvizuara në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” dhe tek objekti LSM-së.

Deri tani UNT ka pasur dy rektorë, shteti ka pasur së paku 3 qeveri dhe 3 ministra të Arsimit shqiptar, por objekti i UNT-së është ende në fazë fillestare.

Të fundit