E premte, 12 Korrik, 2024

TË GJITHA “PSE”-TË E 28 NËNTORIT

Por, shpallja e pavarësisë mbi një gjeografi etnike shqiptare, e njohja e saj mbi një territor administrativ të caktuar në Londër e bën të rëndë definimin e 28 Nëntorit si festë jashtë Shqipërisë. Kur jemi te flamuri, shpesh definohet si i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm si i Shqipërisë. Pra, quhet flamur etnik e jo kombëtar. Në atë rast, pyetja logjike e radhës është se pse Shqipëria nuk i vë ndonjë shenjë dalluese flamurit shtetëror të saj?

Shkruan: Xhelal Neziri

Në dy anët e foltores së Parlamentit të Shqipërisë, në LED ekrane të mëdha, në mbledhjen solemne të Festës së 28 Nëntorit ishte shfaqur i njëjti flamur: shqiponja dykrenore me prapavijë të kuqe. Është ky flamuri shtetëror i Shqipërisë, por njëherësh edhe flamur etnik i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Një ikonografi e këtillë nuk do të ishte problem nëse në sallën e Parlamentit nuk do të ishin edhe anëtarët e Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës. “Duhej që në njërin ekran të shfaqej flamuri i Kosovës”, reagonin në rrjetet sociale disa intelektualë nga Kosova, të cilëve nuk u kishte pëlqyer kjo shfaqe. Në publikun e Kosovës mbase ishte pritur të ketë protokoll, i cili do të shmangte dominimin e njërit shtet ndaj tjetrit. Por, shfaqja e flamurit kuqezi në të dyja ekranet sikur kishte simbolizuar të kundërtën. E kjo jo që u kishte penguar aq shumë ministrave dhe deputetëve nga Kosova.

Ky reagim në fakt shfaq dilemën që përshkon shqiptarët si etni që jetojnë në gjashtë shtete të Ballkanit, e që assesi të arrijnë të bëjnë dallimin midis simboleve etnike dhe kombëtare. Nëse flamuri është shtetëror, pra vetëm i shtetit shqiptar si entitet politik dhe administrativ, ose nëse ai njëkohësisht është edhe simbol i shqiptarëve si etni/popull – si entitet kulturor.

28 Nëntori është dita kur më 1912 Shqipëria fitoi pavarësinë dhe vendosi që flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe të jetë simboli që do ta shënojnë shtetin dhe shtetësinë shqiptare. Në atë nëntor të para 110-viteve, ky shtet kishte nënkuptuar të gjitha rajonet ku jetojnë shqiptarët etnikë, apo ku të njëjtit janë shumicë. Dy muaj më herët, pra në shtator të vitit 1912, në Londër kishte filluar me punë Konferenca e Paqes. Sesionet kryesore nisën me punë në dhjetor, pra disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Fuqitë e mëdha të asaj kohe si Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia, ishin mbledhur në Londër t’i definojnë kufijtë dhe t’i ndajnë tokat e Ballkanit. Perandoria Osmane tashmë ishte tërhequr dhe kishte nënshkruar marrëveshjen paqësore. Pas diskutimeve disamujore, në korrik të vitit 1913, përfaqësuesit e fuqive të mëdha sollën vendim të njohin shtetin e ri shqiptar, i shpallur tetë muaj më parë, por me vetëm 60 për qind të territoreve të saj. Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë kurse Çamëria u caktua të jetë pjesë e Greqisë.

Nga kjo nyje historike burojnë edhe dilemat, keqkuptimet dhe keqinterpretimet e flamurit si simbol kombëtar ose si simbol etnik. Ky flamur u vendos të jetë simbol i kombit të ri shqiptar, i cili u krijua mbi një territor kompakt ku shumicë ishin njerëzit që i bashkonte gjuha, territori, historia dhe Skënderbeu, si kryefigurë historike. Ky komb ishte një konstrukt shtetëror apo kushtetues mbi një etni apo popull, si prodhim i kulturës.

Benedict Anderson thotë se kombi është një bashkësi e konstruktuar (ndërtuar) shoqërore, e imagjinuar nga njerëzit që të perceptojnë veten si pjesë e këtij grupi (shteti). Kombet filluan të shfaqen pas Revolucionit Francez të 1879, kur pronësia e shtetit nga kisha dhe mbretëria kaloi te të gjithë shtetasit. Deri atëherë ideologjia fetare i kishte mbajtur unik të gjithë shoqërinë me dallime të shumta, kurse familja mbretërore ishte imponuar si autoritet i pakontestueshëm në drejtimin e monarkisë. Me krijimin e shteteve moderne kisha humbi rolin e saj në sferën publike, kurse mbretëria u zhvesh nga pushteti. Me këtë u rrezikua edhe uniteti i shoqërive me dallime klasore, gjeografike, etnike apo racore, të cilat i bashkonte kisha e njëjtë në të cilën shkonin dhe mbretëria nga e cila qeveriseshin. Për të zëvendësuar ideologjinë fetare ose monarkinë të mbajtur nga njerëz të ndryshëm, kombi promovohet si një familje e përbërë nga të gjithë ata që kanë nënshtetësinë e një shteti të njëjtë.

Këtu sërish shfaqet dilema se çka është kombi shqiptar dhe çka është etnia (populli) shqiptar? A është flamuri kuqezi simbol kombëtar, vetëm i shtetit të Shqipërisë, apo etnik – i të gjithë shqiptarëve? Kur Vetëvendosje ishte në opozitë, ajo nuk pranonte simbolet kombëtare të Kosovës – flamurin, himnin dhe stemën. Diplomatë të huaj që takonin liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në zyrën e tij atëbotë nuk pranonin të fotografoheshin brenda zyrave partiake pasi aty nuk kishte simbole të Kosovës, por të “një shteti tjetër”. E njëjta situatë ishte edhe në Maqedoninë e Veriut në vitin 2005, kur duhej të miratohej Ligji për përdorimin e flamujve. Ndërkombëtarët nuk arrinin t’i kuptonin politikanët shqiptarë se pse insistojnë flamurin e “shtetit fqinj” (Shqipërisë) ta zyrtarizojnë në shtetin e tyre (Maqedoni e Veriut). Me ngulm kërkonin që ai të ketë shenja dalluese me qëllim që të dihet se bëhet fjalë për një flamur etnik të shqiptarëve të RMV, e jo për flamur shtetëror të Shqipërisë. Njëjtë si, ta zëmë, turqit qipriot që kanë një flamur ndryshe nga ai i Turqisë, edhe pse janë një etni me atribute të njëjta kulturore.

Krahasimi më i mirë ë mund t’i bëhet etnisë shqiptare është me atë gjermane. Përveç në shtetin e Gjermanisë, gjermanët etnik janë shumicë në Austri dhe përbëjnë gati gjysmën e Zvicrës. Pra, është një etni që shtrihet në tre kombe politike: gjerman, austriak dhe zviceran. Ata vazhdojnë të mbajnë një gjuhë – atë gjermane, si shtyllë kryesore e identitetit etnik, që është zyrtare në të trija shtetet, por kanë një flamur etnik si shqiptarët. Otto von Bismark në shekullin e nëntëmbëdhjetë i bashkoi provincat e Prusisë në një shtet që u quajt Gjermani, ku ai ishte kancelar i parë tij. Në momentin e fundit Austria e refuzoi këtë bashkim pasi, për dallim nga Gjermania njëetnike, ajo ishte një perandori multietnike. Të njëjtën gjë e bënë edhe gjermanët e Zvicrës me arsyetimin se “më mirë faktorë në federatën e vogël helene, sesa periferi dhe të parëndësishëm në Gjermaninë e madhe”.

Megjithatë, te pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë në rajon mbizotëron definicioni se Shqipëria dhe Kosova janë “një komb me dy shtete”. Kjo gjithsesi nuk nënkupton idetë e vjetëruara e shteteve të mëdha, të cilat u varrosën me projektin e Bashkimit Evropian (BE). Por, shpallja e pavarësisë mbi një gjeografi etnike shqiptare, e njohja e saj mbi një territor administrativ të caktuar në Londër e bën të rëndë definimin e 28 Nëntorit si festë jashtë Shqipërisë. Kur jemi te flamuri, shpesh definohet si i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm si i Shqipërisë. Pra, quhet flamur etnik e jo kombëtar. Në atë rast, pyetja logjike e radhës është se pse Shqipëria nuk i vë ndonjë shenjë dalluese flamurit shtetëror të saj?

 

Të fundit