Festat, ikonografitë, identifikimet janë manifestim i një qenësie, janë melankoli kujtese kolektive që dëshmojnë gjallni në të tashmen dhe të ardhmen. Identiteti shqiptar rezistues përgjatë kohës historike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare njohu stadin më të lartë të mbrujtjes, formësimit si një identitet unik që duhej të përveçohej dhe afirmohej si identiteti kulturor, politik dhe shtetëror. Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe, njashtu siç e kanë dëshmuar tashmë edhe shumë autorë të huaj, ky manifestim identiteti kulturor kishte në gjenezë premisën properëndimore dhe natyrshëm po shpërfaqte praninë e vetë në konkordancë me paradigmën europiane të Rilindjes, duke filluar nga De Rada dhe korrespodenca i tij me Lamartinin si një lloj reference europiane për letërsinë shqipe dhe duke kulmuar me “miqësinë europiane” mes Faik Konicës dhe poetit francez, Gijom Apolinier.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Nëntori mbetet muaji i festës, i ditës së flamurit që përfaqëson identifikimin unik shqiptar si një univers identiteti kolektiv-historik dhe i pavarësisë së shtetit shqiptar si një formësim përpjekjesh të panumërta gjithashtu në arealin e një ndjeshmërie kolektive historike. 28 nëntori mbetet data më e rëndësishme e idealitetit kolektiv shqiptar i projektuar si vizion gjithëpërfshirës, eternal dhe historik nga Rilindja Kombëtare, një nga periudhat më të ndritshme të qenësisë shqiptare.
Pikërisht në këto partitura kujtese ku merr kuptim trajektorja e gjallnisë shqiptare, gjithë ndjeshmëria historike identitare, e cila në muajin nëntor shpërfaq edhe ikonografinë e identifikimit me gjithë atë univers përpjekjesh historike, që vijnë për të dëshmuar rrojtjen e përveçme ne gadishullin e trazuar të Ballkanit.
Ne e dimë tashmë se ky univers përjetësie identitare është krijuar nga paradigma e Rilindjes Kombëtare, në veçanti në hemisferat e poetikës së romantizmit shqiptar, që e ngriti idealitetin e Shqipërisë së përjetshme në gjithë gjerësinë e vetë, në gjithë ato dimensione historike dhe mitologjike që ishin vënë në funksion të bërjes së Shqipërisë, duke përjashtuar në të shumtën e rasteve edhe vetë funksionin e letërsisë dhe të tekstit letrar si entitet që performohet në funksione tjera.
Festat, ikonografitë, identifikimet janë manifestim i një qenësie, janë melankoli kujtese kolektive që dëshmojnë gjallni në të tashmen dhe të ardhmen. Identiteti shqiptar rezistues përgjatë kohës historike gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare njohu stadin më të lartë të mbrujtjes, formësimit si një identitet i dallueshëm që duhej të përveçohej dhe afirmohej si identiteti kulturor, politik dhe shtetëror. Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe, njashtu siç e kanë dëshmuar tashmë edhe shumë autorë të huaj, ky manifestim identiteti kulturor kishte në gjenezë premisën properëndimore dhe natyrshëm po shpërfaqte praninë e vetë në konkordancë me paradigmën europiane të Rilindjes, duke filluar nga De Rada dhe korrespodenca i tij me Lamartinin si një lloj reference europiane për letërsinë shqipe dhe duke kulmuar me “miqësinë europiane” mes Faik Konicës dhe poetit francez, Gijom Apolinier.
Padiskutim, përtej manifestimit identitar në kohë festash, siç është edhe festa e flamurit, përpjekja shqiptare për afirmim të qenësisë së vetë kulturore dhe politike duhet të njoh edhe përpjekjet tjera, ato lëvizje të pafundme të përditshme që mundësojnë transformim modern shoqëror, që njohin lirinë si kreativitetet dhe botëshikime tjera transformuese që janë në sinkron me matricën europiane të vlerave. Në asnjë rast nuk do të mund të mbulojmë defektet tona, duke u mbështjellë vetëm për një ditë me flamur, apo duke rënë në transin folklorik të ikonografisë historike, pa njohur për më tepër rrugën e mbrothësisë që nënkupton një transponim të gjerë shoqëror vlerash përtej llumit të deritashëm ku në të shumtën e rasteve na ka katandisur politika e kuptuar në format më brutale dhe më mediokre të mundshme.
Matrica identitare në asnjë rast nuk mund të jetë një entitet i ngurtë, një sistem i mbyllur, përkundrazi ajo duhet të jetë një botë e hapur bashkëpunimesh, përbredësimesh të vlerave më të larta, interkomunikimesh, aksioni shoqëror dhe qytetar mbi parime thellësisht humane. Asnjë kauzë qytetare që pretendon të formësohet në hapësirën publike nuk mund të jetë cak goditjesh, cak lemeritjeje dhe paragjykimesh. Çdo kauzë, çdo aksion shoqëror duhet ta njoh legjitimitetin e vetërealzimit në kuadër të principeve të interesit publik. Interkasioni i gjithë aktorëve të hapësirës publike mbi principet e bashkëpunimit duhet të njoh sinergjinë dhe lirinë e plotë të manifestimit. Momentet historike marrin kuptim kur brenda suazës identitare ne përbrendësojmë dinamika tjera afirmimi dhe nuk ngujohemi vetëm në folklorizëm bjerrakohës.
Në këtë pikë, ne do të gjendemi brenda teorive të dekosntruktimit historik, që nuk i njeh vetëm narracionet e lavdisë, por edhe të kultivimit të pandërprerë të qenësisë sonë në sheshin e realiteteve të reja shoqërore dhe kulturore. Danillo Kish na sugjeron të mos i dëgjojmë britmat mbi “trenat e historisë”, ndërsa filozofi Nikollaj Bergjaev na sugjeron që nga historia të marrim pjesët e gjalla, ato që mund të valorizohen në të tashmën dhe të ardhmen.
Dhe, padiskutim, narrative historike nuk mund të jetë uniforme, e njëanshme, ideologjike dhe e dominuar nga ligjërime të ngime. Ajo duhet të njoh diversifikimin, njashtu siç tashmë ka të botuara shumë libra nga autorë të huaj, që me shumë objektivitet dhe brenda narracioneve moderne historike e faktojnë historinë shqiptare, e cila gjatë kohë ka vuajtur nga eklipset e narrativës ideologjike.
Koha është që të zgjerohet botëshikimi jonë mbi historinë, mbi ngjarjet dhe mbi determinimet në jetën tonë kolektive. Momentet e qenësishme historike duhet të jenë një premisë për të një shndërrim të madh cilësor në jetën tonë kombëtare dhe jo vetëm një “ekstazë” çasti ikonografie që mëpastaj tretet në banalitetin e asgjësë dhe moslëvzijes.