E enjte, 18 Korrik, 2024

Kasami akuzoi pa argumente organizatën “Hapësira Socio – Kulturore” për aktivitete pornografike, si raportuan mediat?

Analiza e përmbajtjes së mediave tregon se mediat i kanë kushtuar rëndësi të mjaftueshme deklaratës së kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami se gjoja organizata “Hapësira Socio – Kulturore” merret me pornografi. Nga kjo analizë, del përfundimi se deklarata nuk bazohet në fakte të verifikuara, pasi Kasami thirret tek aktivitetet që i ka publikuar organizata, ndërsa në to nuk ka asgjë që ndërlidhet me pornografi. Një pjesë e mediave, kanë relativizuar deklaratën e Kasamit, duke publikuar tituj që fare nuk kanë të bëjnë me fokusin kryesor të deklaratës, ndërsa një pjesë tjetër e kanë shmangur akuzën për pornografi, duke e bërë inekzistente. Por, mediat që e kanë publikuar kanë respektuar parimin e balancimit në raportim, meqë u kanë dhënë hapësirë të ngjashme dy palëve, komunës dhe organizatës.

Shkruan: Sefer Tahiri

Politikanët në Maqedoninë e Veriut, qoftë të nivelit qendror apo lokal, shpesh bëjnë deklarata të cilat i japin duke nxituar, nën ndikimin e emocioneve, duke përdorur gjuhë denigruese për kundërshtarin ose duke u prononcuar me hamendje dhe pa i verifikuar faktet.  Një shembull për qasje të këtillë ishte edhe promoncimi i Bilall Kasamit, kryetar i komunës së Tetovës nga viti 2021, i cili akuzoi se në objektin e ish -Radio Tetovës, vullnetarët e organizatës joqeveritare “Hapësira Socio – Kulturore” zhvillojnë aktivitete pornografike! Por, kjo deklaratë e rëndë nga Kasami apo stafi i kabinetit të tij nuk u dokumentua, ndërsa kërkimi në rrjetet sociale dhe në Jutjub tregon se askund nuk është evidentuar se kjo organizatë ka bërë aktivitete të këtilla. Si raportuan për këtë rast mediat në gjuhën shqipe, e si ato në gjuhën maqedonase?

 

Kasami akuzon për pornografi, nuk e dokumenton !

Kryetari i komunës së Tetovës, më datën 27 tetor akuzoi Shoqatën joqeveritare “Hapësira Socio Kulturore” për pornografi (raport i Portalbit). Ai në një konferencë për shtyp u shpreh se “ka ankesa nga prindërit për të rinjtë nën moshën 18 vjeçare se aty bëhen aktivitete që realisht duhet të jenë për moshat mbi 18 vjeçare”.

“Një pjesë e atyre aktiviteteve kanë qenë të prezantuara edhe në publik nga vetë shoqata. Ankesa të tilla kam edhe unë personalisht nga prindër të nxënësve të shkollave fillore”, tha Kasami.

I pyetur nga Portalb.mk se për çfarë aktivitetesh konkretisht e ka fjalën, Kasami u përgjigj shkurt “Aktivitete pornografike”!

Sipas Fjalorit të gjuhës shqipe pornografi do të thotë “paraqitje e shëmtuar, me cinizëm e pa pikë turpi e marrëdhënieve seksuale në arte e në letërsi, që është karakteristike për moralin borgjez; tërësia e pikturave, e fotografive, e filmave, e shkrimeve etj. me përmbajtje të tillë”.

Kërkimi rezulton se organizata nuk ka pasur aktivitet pornografik

Nga kërkimi që bëmë në faqen e organizatës në rrjetin social Fejsbuk dhe kanalin zyrtar në Jutjub, rezulton se në ambientet e kësaj organizate, që gjendet te ish-objekti i Radio Tetovës, artistja Arta Gjakova më 4 shtator të vitit 2022 (video në Jutjub e këtij aktiviteti), ka mbajtur koncertin, të cilin e ka quajtur meditativ. Në të ka përdorur tingujt e muzikës, që i cilëson shërues. Por, të paktën nga videoja e publikuar në kanalin e kësaj organizate në Jutjub, nuk rezulton se ka pasur ndonjë aktivitet pornografik!

Kjo organizatë ka organizuar shumë aktivitete për të rinj, mes të cilave debate mbi çështje të ndryshme, mes të cilave edhe një debat i realizuar sipas formatit postmodern i quajtur “Space podcast” (i realizuar në anglisht mbi studimet e disa studentëve nga Pakistani në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë).

Përveç debateve të këtij formati, kjo organizatë joqeveritare që ka për synim të nxisë aktivizimin rinor dhe studentor, organizon edhe diskutime mbi vepra të lexuara, punëtori kreative, aktivitete muzikore, ekspozita, shfaqje të filmave dhe shumë aktivitete tjera, që e gjallërojnë jetën kulturore në Tetovë.

Më 29 gusht të këtij viti, kjo shoqatë joqeveritare organizoi debatin e njohur me titullin “Tregime pjeshkash” (raport i Portalbit).

“Për herë të parë dhe me këtë slogan “Tregime Pjeshkash” zbarkoi në Tetovë me nikoqir të Social Cultural Space Tetova (Hapësira Socio – Kulturore), të cilën organizatorët e këtij eventi e pranuan pa u menduar dy herë. Katër gra “për herë të parë” rrëfyen tregimet e tyre, ku mesazhi kryesor që u përcoll ishte rëndësia e edukimit gjinor në familje dhe në shkollë. Organizatorët thonë se ideja ishte që përmes këtij eventi edhe në Tetovë të krijohet një hapësirë e sigurt ku gratë mund të tregojnë përjetimet e tyre pa paragjykime si dhe të reflektohet për problematikat që dalin nga aty. Folëse ishin Rinisa Toska nga Amos Shelter, gazetarja Zana Muhaxhiri Ramadani, artistja dhe biznesmenia Mia Morina si dhe profesorja universitare Behare Kasami, të cilat nxorën në pah vetëm një pjesë të vogël të këtyre shqetësimeve. “Tregime Pjeshkash” nuk incizohet sepse ideja është të krijohet një hapësirë sa më e sigurt që të ndahen përvojat nga panelistet.”, thuhet në raportimin e Portalbit.

Natyrisht, se ky aktivitet është larg mendjes që të vihet në kontekst të cilësimit si pornografi, siç e bëri Kasami, por e përdorim si shembull ilustrues për të shpjeguar aktivitetet, që i bën kjo organizatë, e në të cilat nuk ka pornografi apo diçka që është në kontekst të pornografisë.

Kush është organizata “Hapësira Socio – Kulturore”?

Sipas Portalbit, në vitin 2018, organizata Democracy LAB, vullnetarë të rinj me ndihmën e një organizatë belge filluan realizimin e projektit për revitalizim të objekteve të braktisura në Tetovë. I vetmi objekt që i plotësonte kushtet për revitalizim ishte i ish “Radio Tetovës”. Leja e komunës për shfrytëzim të objektit për disa muaj u dha në formë memorandumi mes dy palëve, komunës dhe organizatës.

Pas skadimit të memorandumit të parë, u krijua shoqata “Hapësira Socio -Kulturore”, me të cilën komuna firmos tri memorandume të tjera.

Memorandumi i fundit i nënshkruar në prill 2021, u lejon që ambientet t’i shfrytëzojnë deri në prill të vitit 2024.

Më 17 tetor 2022, Komuna e Tetovës ka publikuar vendim me të cilin kërkohet që “Hapësira Socio – Kulturore” të lëshojë ambientet për 4 ditë. Më pas nga komuna ua kanë zgjatur afatin deri në fund të këtij muaji. Pas këtij vendimi të komunës, kishte reagime nga vullnetarët e rinj, përplasje kjo që vazhdon.

Një pjesë e mediave shqipe ishin të balancuara

Sipas raportimit të TV 21 Maqedoni, kjo shoqatë ka reaguar ndaj Kasamit dhe i ka hedhur poshtë pretendimet e tij. “Kryetari në detyrë i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përveç shpifjeve dhe qasjeve të gabuara të zakonshme për komunitetin, hapësirën tonë, dhe të rinjtë që kanë krijuar, mirëmbajtur dhe frekuentuar atë për 4 vjet, sot pa kurrfarë turpi, publikisht na akuzoi për organizim të “aktiviteteve pornografike” në hapësirat tona. Ne jemi të shokuar nga kjo deklaratë thellësisht fyese”, deklaronin nga “Hapësira Socio – Kulturore”.

TV 21, së bashku me Portalbin raportonin në mënyrë të balancuar, pasi duke respektuar rregullin e artë që për një çështje duhet të konsultohen së paku dy palë, të pavarura mes vete, publikuan qëndrimin e Kasamit dhe reagimin e organizatës joqeveritare.

Ndërsa portali VOX News, raportonte me titullin “Pornografi dhe alkool në Tetovë? Përplasen komuna me Qendrën e të Rinjve“, e brenda raportit publikoheshin qëndrimet e të dy palëve me baraspeshë gazetareske.

Disa media shqipe relativizonin, disa stërmadhonin

Disa portale tjera më 27 tetor të këtij viti e transmetonin në mënyrë objektive deklaratën e Kasamit, por titulli i këtyre mediave ishte me konotacion më të gjerë, pra interpretohej si akuzë ndaj të rinjve të qytetit dhe jo vetëm të organizatës, pasi në të thuhej “Skandaloze/ Bilall Kasami akuzon të rinjtë e Tetovës për aktivitete pornografike”. (portali Opinionportali Indeksportali Redaksiaportali Debatportali Lapsiportali Pika).

Një pjesë e portaleve në gjuhën shqipe relativizuan deklaratën akuzuese të Kasamit për pornografi, duke mos e theksuar fare atë dhe duke vënë theksin tek aspektet pronësore – juridike të objektit, të cilat nuk është se janë të parëndësishme.

  •             Kasami: Objekti i ish Radio Tetovës duhet të jetë i disponueshëm për të gjithë, jo vetëm për Qendrën sociale-kulturore (portali Zhurnal, 27 tetor 2022).
  •             Kasami: “Social Cultural Space Tetova” nuk do të ketë monopol në ish-     objektin e Radio Tetovës (portali Telegrafi, 27 tetor, 2022).

Portali Nistori raportoi me titullin “Hapësira Socio-Kulturore Tetova”, Kasami: Po keqpërdoren nxënës për aktivitete aspak kulturore“, por në raportin gazetaresk askund nuk përmendet akuza e kryetarit të Tetovës. Po ashtu edhe në përgjigjen e organizatës, ishte hequr pjesa, në të cilën kundërshtojnë qëndrimin e Kasamit për pornografi.

Mediat maqedonase, pak interesim për akuzën e Kasamit

Mediat në gjuhën maqedonase nuk i kanë kushtuar vëmendje dhe trajtim të veçantë një deklarate të këtillë të kryetarit të Komunës së Tetovës Kasami, që zgjoi shumë reagime në opinionin publik shqiptar. Kjo mbase është pasojë e faktit që sistemi mediatik, ndonëse jo në tërësi, vazhdon të jetë i ndarë etnikisht. Në këtë drejtim, edhe trajtimi i deklarimeve apo temave bëhet duke u bazuar tek prizmi i këtillë, ndërsa mediat i drejtohen publikut në mënyrë të segmentuar.

Portali i të përditshmes “Slloboden Peçat” raportonte me titullin, i cili shihet qartë se është i njëanshëm “Kasami: Shoqata e cila ka uzurpuar ambientet e komunës zhvillon aktivitete me karakter pornografik“. Por, në brendi teksti ishte i përgatitur sipas standardeve gazetareske, pasi kjo media e transmetonte edhe deklaratën e Kasamit, por edhe reagimin e shoqatës.

Portali Makpres raportoi me titullin “Kasami: Mora ankesa se Shoqata “Hapësira Socio  Kulturore” bën aktivitete pornografike në ambientet komunale, të cilat ua morëm“. Ky portal, edhe pse këtë deklaratë e publikon me titull bombastik, të njëjtën e publikon krejtësisht në fund të raportit.

Ndërsa portali Radio MOF (MOF është shkurtesë për Forum Rinor Arsimor), i cili kryesisht merret me çështjet e të rinjve, raporton gjerësisht për deklaratën  me titullin “Hapësira Socio  Kulturore  Tetovë ta lëshojë hapësirën dhe të bëjë kërkesë si të gjithë tjerët“. Por, në raportin gazetaresk aspak nuk përmendet akuza për pornografi, ndërsa shkurtimisht përfshihet përgjigja e organizatës.

Përfundime

Analiza e përmbajtjes së mediave tregon se mediat i kanë kushtuar rëndësi të mjaftueshme deklaratës së kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami se gjoja organizata “Hapësira Socio – Kulturore” merret me pornografi.

Nga kjo analizë, del përfundimi se deklarata nuk bazohet në fakte të verifikuara, pasi Kasami thirret tek aktivitetet që i ka publikuar organizata, ndërsa në to nuk ka asgjë që ndërlidhet me pornografi.

Një pjesë e mediave, kanë relativizuar deklaratën e Kasamit, duke publikuar tituj që fare nuk kanë të bëjnë me fokusin kryesor të deklaratës, ndërsa një pjesë tjetër e kanë shmangur akuzën për pornografi, duke e bërë inekzistente.

Por, mediat që e kanë publikuar kanë respektuar parimin e balancimit në raportim, meqë u kanë dhënë hapësirë të ngjashme dy palëve, komunës dhe organizatës.

Fakti që në mediat maqedonase nuk ka të punësuar gazetarë shqiptarë, ndërsa numri i korrespondentëve në Tetovë nuk është i madh, ka ndikuar që këto media të mos i japin peshën e duhur deklaratës së Kasamit për pornografi, deklaratë e cila nuk u dokumentua dhe për të cilën kreu i Tetovës nuk ka kërkuar falje!

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit