E premte, 25 Prill, 2025

FIFA PO HETON SERBINË, SHFAQËN HARTË ME KOSOVËN SI PJESË TË TYRE

FIFA hapi procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pasi një flamur që tregonte Kosovën si pjesë të vendit të tyre dyshohet se ishte varur në dhomën e zhveshjes, pasi u përballën me Brazilin në Kupën e Botës, raporton Reuters, përcjell Kdpolitik.com.

Imazhi i flamurit me mesazhin “nuk dorëzohemi” në serbisht u bë virale në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Hajrulla Çeku, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës.

“Imazhe të turpshme nga dhoma e zhveshjes së Serbisë, duke shfaqur mesazhe urrejtjeje, ksenofobike dhe gjenocidale ndaj Kosovës, duke shfrytëzuar platformën e Kupës së Botës FIFA”, ka shkruar Çeku në Twitter. “Ne presim veprime konkrete nga FIFA duke pasur parasysh se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është anëtare e plotë e FIFA-s dhe UEFA-s”.

Kosova u bë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s në vitin 2016, tetë vjet pasi vendi shpalli pavarësinë nga Serbia, e cila e kundërshton këtë.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamuri të shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes me rastin e ndeshjes Brazil – Serbi”, thuhet në një deklaratë.

Procedurat u hapën në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës FIFA 2022.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se dënon ashpër “aksionin agresiv” kundër vendit.

“Kupa e Botës është një ngjarje gëzimi dhe uniteti dhe duhet të dërgojë mesazhe shprese dhe paqeje, jo mesazhe urrejtjeje. Ne i bëjmë thirrje FIFA-s të marrë masa kundër veprimeve të tilla,” thanë ata.

Serbia, e cila humbi 2-0 nga Brazili, do të luajë të hënën me Kamerunin.  Federata e tyre e futbollit (FSS) nuk u përgjigj kur u pyet për koment.

Të fundit