E shtunë, 19 Prill, 2025

TODOROV: AHMETI ËSHTË LOJTARI MË ME PËRVOJË NË POLITIKË, VMRO DHE LSDM ASSESI NUK ARRIJNË TA LEXOJNË

Ish-ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, ka thënë sonte në emisionin Win-Win në Televizionin Telma se Ali Ahmeti është lojtari politik më me përvojë në skenë, loja e të cilit assesi nuk arrin të lexohet as nga VMRO-DPMNE e as LSDM, përcjell Kdpolitik.com.

“A i pëlqen apo jo dikujt, nuk e di.  Por në këtë moment njeriu është duke luajtur një lojë politike që, mendoj, partitë e tjera të mëdha maqedonase, si VMRO-DPMNE dhe LSDM, nuk mund ta luajnë në nivelin që janë tani. Dhe kjo është e trishtueshme”, ka theksuar Todorov.

Sipas tij, të gjitha proceset aktuale i shkojnë në favor vetëm Ahmetit.

“Hyrja e Aleancës në qeveri i përshtatet më së miri BDI-së. Pse?  – Sepse BDI është kryesore në qeveri. Nëse nuk ka zgjedhje deri në 2024, kujt i përshtatet më shumë?  – BDI-së.  Natyrisht që i shkon për shtat edhe LSDM-së, sepse ka një rejting të ulët dhe nëse nesër ka zgjedhje, pasnesër nuk do të jetë në pushtet. Kjo është e qartë. Por BDI nuk do ta ketë pushtetin që ka sot pas asnjë prej zgjedhjeve të ardhshme. Nga ky aspekt, kjo i shkon më shumë për të forcuar pozicionin e tij. Së dyti, çdo parti opozitare që është shfaqur në të kaluarën dhe që i afrohet BDI-së, BDI-ja punon me shumë mjeshtëri dhe e mposht në tavolinë, jashtë zgjedhjeve. Ka ndodhur me Besën, tani ka ndodhur me Aleancën”, ka thënë Dimitrov.

Sipas tij, fotografimi i Arben Taravarit me Mickovskin dhe Apasievin kohë më parë, kur njoftuan se kanë 61 deputetë, e kanë dëmtuar shumë Aleancën. “Dhe BDI-ja me mjeshtëri e përdori atë në elektoratin e saj”, ka shtuar Todorov.

Sipas tij, BDI gjatë gjithë kohës e luan lojën nga e cila ka një përfitim të madh, sepse është faktori kryesor në qeverisje dhe ka qenë në pushtet për 18 vjet edhe me LSDM-në edhe me VMRO-DPMNE-në. Por, ka nënvizuar Dimitrov, “BDI kurrë nuk ka pasur një rol vendimtar kaq të fortë sa ka tani”.

Të fundit