E mërkurë, 24 Korrik, 2024

ÇKA MUND TË SJELLË PËRFSHIRJA E ALEANCËS PËR SHQIPTARËT NË QEVERI

Përfshirja e ASH-së në Qeveri vjen me rreziqe dhe mundësi për të gjitha palët, por në këtë situatë të paparashikueshme ajo që sjell është stabiliteti për qeverinë, dhe pak më shumë qetësi për qytetarët të cilët e pakta që duan është të lëshohen në bllokadën dhe hazdisjen me zgjedhje të parakohshme

Shkruan: Sefer Selimi Jr.

Që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 dhe krijimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me një shumicë të brishtë parlamentare, edhe ish kryeministri Zaev por edhe trashëguesi i tij Kovaçeski në më shumë raste publike ishin shprehur që ‘’së shpejti, shumica parlamentare do të rritet’’. Atë kohë, këto deklarata shprehnin më shumë një dëshirë se sa një mundësi reale. Për më tepër,  shumica parlamentare u vendos në pikëpyetje pas zgjedhjeve lokale kur njëri nga partnerët, Lëvizja Besa, vendosi të braktis koalicionin qeverisës dhe u rreshtua me forcat opozitare për të krijuar një konglomerat të ri qeverisës me partitë opozitare të udhëhequra nga VMRO-DPMNE. Pas kësaj tentative të dështuar u bë rokadë partnerësh me ç’rast partia Alernativa braktisi koalicionin me Alencën për Shqiptarët dhe me katër deputetët e saj zëvendësoi Lëvizjen Besa duke siguruar mbijetesën e shumicës por jo mjaftueshëm për ta zgjidh problemin me brishtësinë e numrave. Në skenën politike së fundmi ka një përpjekje për të ndryshuar radhitjen e forcave në shumicën parlamentare, më seriozja deri tani, duke përfshirë Aleancën për Shqiptarët me tetë deputetët e saj në Qeveri. Në vigjilje të kësaj mundësie një pikëpamje për atë se kush çka fiton dhe kush çka humb në rast se Aleanca për Shqiptarët përfshihet në qeveri:

Aleanca për Shqiptarët – Partia ndodhet në krizë lidershipi pas humbjes katastrofale të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Këshillin Komunal të Tetovës që rezultoi me dorëheqjen e kryetarit të partisë, Ziadin Sela. Aleanca për Shqiptarët kishte ndërtuar imazhin e saj publik që nga fillimi të bazuar në dy figura kryesore, Kryetarin Sela dhe Sekretarin e partisë dhe Kryetarin e Gostivarit, Arben Taravari i cili pas dorëheqjes së Selës deri në kongresin e partisë është përcaktuar si ushtrues detyre i Kryetarit të ASH-së. Ky i fundit gjithsesi që është pretendenti dhe favoriti kryesor për ta udhëhequr partinë dhe përfshirja eventuale e ASH-së në Qeveri pa dyshim që do t’i ndihmonte kësaj ambicije, por për më tepër do të konsolidonte pushtetin e tij brenda partisë.

Duke u nisur nga fakti që kjo parti rrjedh nga PDSH-ja e cila historikisht ishte e betonuar në opozitë, krerët e kësaj partie duhet ta kenë mësuar fabulën e politikës në një shtet me sistem politik klientelist se sado që të jetë i përkushtuar dhe i vendosur një votues për ta mbështetur një parti politike opozitare, fatkeqësisht partia qeverisëse ta gllabëron atë me favoret, shantazhimet dhe joshjen me pushtetin i cili të ofron mundësisnë e artë që premtimet e tua të jenë më kredibile se sa ato të një partie që dergjet në opozitë. Nëse ASH-ja do të përfshihet me një marrëveshje korrekte në Qeveri, shumica e pushtetit duhet të koncentrohet në Tetovë për të rikthyer bazën e votuesve të humbur dhe për t’i dhënë shansën që në zgjedhjet e ardhshme të jetë në konkurrencë për të qenë fituese tek blloku shqiptarë. Gjithsesi që kjo nuk duhet të bëhet qorrazi, por me një përzgjedhje delikate mes profesionalizmit dhe kredibilitetit të kandidatit dhe për këtë si shembull të keq duhet ta marrin kandidaturën e tyre të fundit për kryetar komune në Tetovë.

Bashkimi Demokratik për Integrim – Në këtë rast humb partia por fiton lideri i tyre i ‘’pakontestueshëm’’ Ali Ahmeti i cili si kurrë më parë është para një presioni nga bashkëpartiakët e tij për zgjedhjen kadrovike dhe formën e organizimit të partisë. Flluskën  politike ‘’BDI e 20 viteve të ardhshme’’ ia dogjën në fytyrë ‘’Grupi i Zjarrit’’ të cilët jo vetëm që e vendosën atë në pozitë të vështirë brenda partisë por tash për tash kanë kapacitet për ta rrezikuar edhe shumicën në Parlament. Gjithsesi që kjo – zgjerimi i Qeverisë do t’ia hiqte këtë presion momental por asesi që do t’ia eliminonte përgjithmonë sepse supozimet janë që kjo lëvizje brenda BDI-së jo që nuk do të shuhet por do të thellohet edhe më tepër, e në mos për ta ndihmuar në zgjedhjet e ardhshme do ta dëmtojë shumë partinë.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë – Për këtë parti zgjerimi është thikë me dy tehe sepse në rast të përfshirjes së ASH-së në Qeveri dominanca, të paktën qoftë ajo edhe perceptive, e partive shqiptare do të rritet dukshëm, e në këtë rast oponentët politik mund ta përdorin si kalë beteje me votuesit konservativ nacional populist. Por nga ana tjetër do t’i jepte komoditetin për të përmbushur agjendën e vet politike dhe të qeverisë e cila mbahet peng në shumë raste vetëm nga mungesa e kuorumit në parlament dhe është e shantazhuar nga deputet individual të cilët brenda kësaj shumice të brishtë parlamentare kanë komoditetin të nxjerrin në pah lloj lloj teke e kapriço personale. E ndikuar thellë nga krizat e fundit globale, rejtingu i saj është dëmtuar dukshëm, ndërkaq një shumicë më e gjërë do t’i mundësonte të përfundonte mandatin deri në fund dhe t’i jepte një shans real për ta përmirësuar performancën e saj.

Alternativa – Nga shumica parlamentare kjo parti duket sikur shfaq rezistencën më të madhe për përfshirjen e ish-parnerëve të koalicionit parazgjedhor. Kjo me shumë gjasë mund të vijë nga ndjenja e fajit që kanë sepse në dy raste këto shkelën mbi këtë parti, e para duke u bërë zëvendësues të saj në vitin 2017 kur pas zgjedhjeve lokale u përfshinë në qeverinë të cilën e braktisi ASH-ja, dhe së fundmi pas garës në zgjedhjet lokale kur shkelën mbi marrëveshjen e koalicionit parazgjedhor dhe përsëri u përfshinë në Qeveri si zëvendësues të Lëvizjes Besa e cila e braktisi Qeverinë. Andaj, kritikat e tyre kanë mungesë të kredibilitetit moral, për më tepër kur sipas gjitha sondazheve parazgjedhore të vitit 2020 ato kanë të paktën dy deputet dhuratë nga koalicioni me ASH-në.

Lëvizja Besa – Ashtu siç pritej, fitorja në Komunën e Tetovës ‘’ia rriti mendjen’’ dhe me të edhe ambiciet kësaj partie, e cila në momentin e parë u mundua të imponohet si faktor në rrënimin e Qeverisë në të cilën ishte përfshirë  me koalicion parazgjedhor me LSDM-në dhe pastaj si faktori kyç që do të ndërtonte Qeverinë me VMRO-DPMNE dhe partitë tjera opozitare shqiptare. Edhe në këtë rast eventual të përfshirjes së ASH-së në Qeveri, kjo parti do të rend të paraqitet si opozita shqiptare, megjithatë kredon dhe kauzën kombëtare tash më e ka të varrosur në ditën e nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor me koncept qytetar me LSDM-në në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. Pengesë serioze është edhe mungesa në kapacitetin e infrastrukturës partiake dhe njerëzore që e posedon.

VMRO – DPMNE – Kjo parti vazhdon të ngelet toksike për çdo parti shqiptare që flirton me të, e para së gjithash për shkak të narativit dhe politikave nacionaliste që janë ose drejtpërdrejtë kundër shqiptarëve ose në tërthorazi prekin interesin e shqiptarëve për Maqedoninë e Veriut. Me përfshirjen e ASH-së në Qeveri, kjo parti përfundon e vetmuar në opozitë, si një parti e cila rrezikon interesin e përgjithshëm të shtetit për perspektivën evropiane dhe kohezionin mes qytetarëve. Nëse ASH-ja përfshihet në Qeveri, VMRO-DPMNE-ja mund të zgjedh tu bjerë daulleve nacionaliste ose të reflektoj dhe të ndryshoj qasjen, që është shumë pak e pritshme.

Si përfundim, përfshirja e ASH-së në Qeveri vjen me rreziqe dhe mundësi për të gjitha palët, por në këtë situatë të paparashikueshme ajo që sjell është stabiliteti për qeverinë, dhe pak më shumë qetësi për qytetarët të cilët e pakta që duan është të lëshohen në bllokadën dhe azdisjen me zgjedhje të parakohshme.

Të fundit